E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK - Lista Rugova, pasdite marrëveshja

Nga Express më 20 shkurt 2011 në ora 12:33

Drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës do të kenë edhe një takim jo formal me përfaqësuesit e Listës “Ibrahim Rugova” dhe mandej pasdite pritet të bëhet edhe nënshkrimi i marrëveshjes për koalicion me këtë subjekt.

Mandatari për formimin e Qeverisë njëherësh edhe kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi dje ka nënshkruar marrëveshje për koalicion me tri subjekte politike, Aleancën Kosova e Re, Partinë e Pavarur Liberale dhe Grupin Parlamentar 6 Plus.

Marrëveshje për koalicion pritet të nënshkruhet edhe sot mes PDK-së dhe Listës “Ibrahim Rugova”, por ende nuk janë dhënë detajet se si do të ndahen postet ekzekutive me këtë subjekt.

Njëri ndër themeluesit e Listës “Ibrahim Rugova”, Astrit Haraqija ka thënë për Kosovapress do të kenë edhe një takim jo formal me përfaqësuesit e PDK-së, ku pritet të sqarohen të gjitha çështjet dhe pastaj pritet që pasdite të zyrtarizohet marrëveshja.

Haraqija bëri të ditur se deputeti i Listës “Ibrahim Rugova”, Ukë Rugova do të votojë edhe Bexhet Pacollin për president të vendit.

Nënshkrimin e marrëveshjes në mes PDK-së dhe Listës “Ibrahim Rugova” e ka konfirmuar edhe Memli Krasniqi, i cili ka thënë zyrtarizimi pritet të ndodh pasdite.

Ndryshe edhe pse Lista “Ibrahim Rugova” ka vetëm një deputet në Kuvendin e Kosovës pritet që PDK-ja ti jap së paku një ministri kësaj strukture.

Ndërkaq derisa Aleanca Kosova e Re, Partia e Pavarur Liberale dhe Grupin Parlamentar 6 Plus kanë bërë publike emrat që do të jenë në ekzekutiv, ka mbetur ende paqartë se kush do të jetë kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës dhe se cilat poste do t’i ketë përfundimisht Partia Demokratike e Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›