E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi 70 mije persona perfituan nga amnistia e pronave

Mbi 70 mijë persona kanë përfituar nga amnistia për rivlerësimin e pasurive të patundshme në të gjithë vendin. Burime nga ministria e Financave bëjnë me dije se deri në datën 31 gusht që ishte edhe afati i fundit janë rivlerësuar me vlerën reale të tregut mbi 70 mijë pasuri dhe vlera totale e rivlerësimit të këtyre pronave arriti në 3 miliardë lekë duke rritur ndjeshëm të ardhurat në buxhetin e shtetit. Interesin më të madh për të rivlerësuar banesat e tyre e kanë treguar qytetarët e Tiranës, Durrësit, Korcës dhe Fierit. Të gjithë qytetarët, që kryen procesin e rivlerësimit, paguan vetëm 1 për qind diferencën midis vlerës së tregut me vlerësimin e vjetër të pasurisë. Ndërkohë, pas 31 gushit, ka nisur të taksohet me 10 për qind. Qeveria ndërmori një ndryshim në ligjin për faljen fiskale të miratuar në korrik të vitit të shkuar duke e shtyrë afatin e përfundimit të saj për në 31 gusht. Edhe pse amnistia pritej që të përfundonte në fund të marsit, ekzekutivi mendoi që ta shtyjë atë deri në 31 gusht vetëm pjesën për rivlerësimin e pronës dhe nga shtyrja e amnistisë deri në këtë datë përfituan më së shumti emigrantët. Është pikërisht rivlerësimi i pronës, pjesë nga e cila qytetarët kanë përfituar më shumë nga amnistia. Ecuria e vlerës së tregut ka evoluar ndjeshëm në dy dekadat e fundit duke bërë që cmimet e pasurive të paluajtshme të rriten së tepërmi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›