E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbi 76 mijë m² hapësira publike të liruara në Tiranë

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Mbi 76 mijë m² hapësira publike janë tashmë të lira nga ndërtimet pa leje, duke lehtësuar qarkullimin e qytetarëve.

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, bëri të ditur sot, se gjatë punës së Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) janë liruar 76,696 m² hapësira publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme.

Sipas shifrave të publikuara prej tij, janë realizuar gjithsej 1850 lirime të hapësirave publike, ku 1428 prej tyre janë kryer në mënyrë vullnetare nga qytetarët, ndërsa 422 janë ekzekutuar me vendime për prishje.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme vijon në Tiranë,  me ndërhyrjen e Policisë Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit.

Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.

E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon me prioritet në gjithë territorin e vendit.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›