Mbi autoritetin profesional që duhet përçuar në hetimin e krimeve të komunizmit
Në parathënien e librit mbi “Gulag-ët”, fitues i çmimin të njohur “Pulitzer” në Amerikë, autorja Anne Applebaum çuditet, por edhe trishtohet, se në Europë partitë e majta nuk kritikojnë dhunën dhe terrorin stalinist në vendet e Europës Juglindore në të njëjtën mënyrë si dënohet dhuna dhe terrori i nazistëve të Hitlerit apo i fashistëve të ish-socialistit Musolini. Siç e keni kuptuar vetiu, kjo është mëse e vërtetë dhe në përmasa më të mëdha ndodh edhe te e majta shqiptare, e cila jo vetëm nuk e ka dënuar a kritikuar ndonjëherë regjimin komunisto-enverist, por mban të njëjtën gazetë, "Zëri i Popullit", të njëjtën anëtarësi, ka prej tyre që në gazeta ku ndikimi financiar i Ramiz Alisë dhe i bllokmenëve të tjerë nisin e bëjnë apologji dhe bile krenohen me luftën e saj dhe “sukseset e ndërtimit të Shqipërisë së re, kështjellës së vetme të socializmit në Evropë”... etj,etj marrëzira kësisoji.
Kurse e vërteta flet ndryshe, sepse historia e komunizmit në Shqipëri flet për diktaturën më të egër në Lindje. Zbulimet e kohëve të fundit të varreve masive me eshtrat e viktimave të diktaturës, ka risjellë edhe njëherë nevojën për të kthyer kokën në kohën më të errët të kombit shqiptar. është e kuptueshme që Shqipëria sot jeton në mes së vjetrës që refuzon të vdesë dhe së vërtetës që nuk lejohet të lindë.
Në Shqipëri, gjatë 45 vjetëve regjim komunist i llojit më të ekzagjeruar stalinist u vranë si “armiq të popullit” 5.577 burra dhe 450 gra, u burgosën 26.768 qytetarë të pafajshëm, vdiqën 998 burra e gra në burgjet e errëta, u çmenden 308 burra e gra nga torturat barbare, u internuan 32.000 plus qytetarë, shumica fëmijë, dhe 7.002 qytetarë vdiqën në kampe pune e gulage të komunizmit shqiptar (pa numëruar dhjetëra mijë guximtare që rrezikuan jetën për të kërkuar lirinë). Pa përmendur masakrën e Tivarit ku Ramiz Alia, komisar politik dhe bashkëpunimi i PKSH me Serbinë në harresën e kësaj tragjedia. Deri më sot ka pasur një mungesë vullneti politik për t’u shkuar në fund këtyre ngjarjeve dhe fakteve që janë në arkivat e Shtetit, dhe dëshmitarët që janë ende gjallë. Ligjet e Lustracionit janë kthyer shpesh në anti-Kushtetuese, sepse sistemi i drejtësisë deri në kupolën më të lartë ishin të infektuar nga metastaza komuniste (rasti i Fehmi Abdiut është ikonoklasti i kësaj kënete në drejtësi). Në dyert e Arkivit Qendror të Shtetit kanë trokitur dhe trokasin shumë familjarë të të pushkatuarve dhe të të humburve gjatë regjimit komunist që kërkojnë të dhëna për të gjetur eshtrat dhe për të pasur një varr ku të vendosin lule në përvjetor.
Po ashtu, komisioni hetimor për të zbardhur tragjedinë e Tivarit ku u vranë mijëra kosovarë e shqiptarë ka gjetur direkt në të majtën shqiptare oponencën e parë. Masakra e Tivarit është vetëm një pjesë e vogël e krimeve për të cilat mund të hetohet roli i Ramiz Alisë. Të mos harrojmë këtu vrasjet në kufi të 13 shtetasve dhe plagosjen e një tjetri nga periudha 23 maj 1990 deri më datën 8 korrik.
Përveç komisionit hetimor për masakrën e Tivarit, Partia Demokratike dhe qeveria Berisha ngriti tashmë edhe Institutin e Studimeve për Krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri. Dy ditë më parë, Kuvendi miratoi kandidaturat e propozuara për anëtarë të bordit të Institutit që do të hetojë mbi krimet e regjimit terrorist. Ky institut, përveç zbardhjes së disa krimeve të komunizmit, do të promovojë edhe fushatat antikomuniste në vend dhe do të ndërmarrë nisma përkujtuese ndaj atyre që u prekën nga ky sistem. Në librin “Zonja e Zezë, Nexhmije Hoxha” është shkruar diçka për t’u pasur në vëmendje: “Për fat keq ka ndodhur diçka e trishtueshme. Ndërsa ka shumë mprehtësi në motivimin e diktaturës, ka shumë primitivitet në zbërthimin e saj, ngaqë diktatura i ka futur duart edhe në palën që do ta gjykonte atë. Dhe kjo palë, po nuk u çliruar nga duart e ndyra e të padukshme të fajtorëve, a mund të japë gjykim të drejtë? Disa të tjerë mendojnë se kjo ishte një kohë e shkuar dhe hajde të shikojmë përpara. Së pari, nuk është kohë e shkuar ajo që quhet si biçim tranzicioni, që është vetëm një formë tjetër e diktaturës, natyrisht pa Enver Hoxhën. Së dyti, të shkosh përpara nuk do të thotë të sulmosh kujtesën historike, nuk do të thotë të mos shqyrtosh fatin tënd dhe ndodhitë tragjike që ka kaluar ky popull. Shoqëria shqiptare ka një llogari të pambyllur. Ajo duhet që me dinjitet, me ligj, me humanizëm, jo për hakmarrje, por me një informim të tejdukshëm, ta bëjë gjykimin e diktatorit dhe të rrotullzave të saj”. Shqyrtimi i dhunës dhe i krimeve gjysmëshekullore të komunizmit në Shqipëri kërkon, detyrimisht, njohjen dhe dokumentimin e tyre. Gjatë këtyre viteve, kryesisht njerëz dhe gjithë rrethi i tyre familjar që kanë vuajtur burgjeve, internimeve etj., kanë botuar libra me mjaft vlerë në këtë drejtim. Po përmendim disa prej tyre: At Zef Pllumi, Arshi Pipa, Agim Musta, Luan Myftiu, Maks Velo e shumë e shumë të tjerë.