E Shtunë, 31 Tetor 2026

Madhështia e tolerancës

Trimi të fal. Fisniku gjithmonë toleron. Harbuti mendon vetëm si të hakmerret. Mëkatarët e papenduar e quajnë dobësí zemërgjerësínë. Lum ata që e mundin të keqen me forcën e mirësísë!
Zakonisht tolerant tregohet ai që e ndien veten superior. Nuk mund të jetë tolerant ai që lëngon nga kompleksi i inferioritetit. Sa më tolerant të jetë një lider, apo një forcë politike, aq më reputacion fiton ajo dhe aq më shumë admirohet nga elektorati. Veçanërisht për çështje madhore kombëtare. Meskinët nuk mund të jenë tolerantë. As xhahílët nuk mund të jenë të tillë. Nuk e honepsin tolerancën mendjemëdhenjtë, prepotentët, gjithë liliputët e “aristokracisë së hajdutëve, që ndihen sot të privuar nga demokracía. Ndonëse ajo i ka bërë milionerë! Nuk mund të jenë shpirtmëdhenj bijtë e ish-bllokmenëve. Bijtë e atyre që masakruan një popull të tërë. Nuk mund të jenë të tillë gjithë ata që u mësuan të sundonin pa kundërshtarë. Ata që e përfytyrojnë veten sikur kanë lindur të privilegjuar. Sikur janë “prerë” vetëm për të drejtuar. Madjé sikur janë krijuar për t’u adhuruar, apo sikur janë të zbritur nga qielli vetëm për t’u duartrokitur. Këta tipa as që tentojnë t’u fitojnë njerëzve zemrat duke bërë për ta diçka të dobishme. Të gjithë duhet të jenë ndaj tyre vetëm mirënjohës. Mirënjohës që këta i kanë lënë gjallë. Ish-bijtë e bllokmenëve as që mendojnë për fatin e të tjerëve. Të tjerët janë paracaktuar, sipas tyre, të sakrifikohen për ta.
Toleranca për bijtë e bllokmenëve konsiderohet dobësí, poshtërim, kërkesë ndjese për fajësí të pashlyera. Mjerë ai popull që detyrohet të presë zgjidhje të halleve të veta nga njerëz që janë në konflikt me veten, me të kaluarën e tyre, me fatin e njerëzve të thjeshtë. Populli i mban sytë nga politika. Ndaj, kur në horizont shfaqen shpresa të mëdha, kur bota demokratike tregohet dashamirëse ndaj aspiratave të tij, populli gjithë sy e veshë përpiqet të shohë se cila forcë politike bën lëshime edhe në kurriz të interesave të saj për hir të të ardhmes së tij. Se populli të çmon jo nga fjalët e bukura, as nga fjalimet patetike, as nga hipokrizia, as nga keqardhja dhe lotët e krokodilit për të, por nga toleranca që ti tregon për zgjidhjen e probleve të tij. Vetëm tolerancën lartëson populli në majat e vlerave të vërteta të politikës. Dhe jo inatet, jo mllefet, jo sharjet, shpifjet e mallkimet e përditshme ! Nuk i çmon populli këmbënguljet e kota, kokëfortësitë e paarsyeshme. Nuk i çmon populli “idealizmat” false, as “krizat” e stisura, as grevat e mitingjet “madhështore”. është lodhur boll ky popull nga madhështitë e rreme ! është nginjur ai me “feneret ndriçues”, me “vendi me mirëqënien më të lartë!”, e tj. është neveritur populli me mburrjet pompoze për të përballuar një armik a koalicion armiqsh. është zhgënjyer ai nga premtimet boshe se do të bëhet nami, sikur (Mos o Zot!) socialistët të vijnë në pushtet.
Harbutëría spekulon me tolerancën. Ajo tenton ta shfrytëzojë atë si një kapital moral vetëm të sajin. Ta shpallë atë si virtyt, a si meritë vetëm të vetën, si idealizëm të saj. Edvin Rama nuk i çmon hapësirat demokratike, që i ka krijuar atij dhe forcës së tij politike mazhoranca në parlament, në komisionin e hetimit, apo qoftë edhe dje në hartimin e Kodit Zgjedhor. Kurse populli, që vuajti me dekada nga intoleranca komuniste, përtërihet tek sheh se si për interesat e tij kjo mazhorancë bën lëshime dhe shprehet e gatshme të ulet në tavolinë për zgjidhje të problemeve, që shqetësojnë vendin. Mazhoranca e shpalli prioritare arritjen e liberalizimit të vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Dhe e çmon më shumë më tepër tolerancën, sesa gjithë grevat e urisë dhe manifestimet “madhështore” të çdo forme. Ajo nuk merret me shpifjet dhe akuzat bajate të opozitës. Ajo vazhdon qetësisht punën për realizimin e premtimeve.
Lum kush e ka kuptuar që sjellja fisnike, edhe kur sjell humbje të përkohshme, garanton të ardhme. Kurse edvin Rama nuk i mban qëndrimet e veta arrogante vetëm nga ligësía e shpirtit. Nuk ngul këmbë ai si mushka për numërimin e fletëve të votimit vetëm për kapriçio, a shpirtngushtësí. Jo! Natyrisht, pa përjashtuar edhe këto, Edvini është një lloj “lideri”, i cili nuk i përket tashmë vetes. Ai e ka lidhur kalin e pushtetit të vet në hurin e livadhit, ku kullosin kuajt e bijve të ish-bllokut. Atje ku fle krimi komunist i papenduar. Aty ku ky krim lëngon nga ankthi i pasigurisë për të nesërmen.
Edvini po e shpie kështu P.S.-në në greminë. Ai po e zhvesh atë nga çdo element, qoftë edhe fillestar i një të majte, e cila të ngjasonte sadopak me simotrat e saj europiane. Ai po e përçan çdo ditë të majtën dhe po tenton ta shndërrojë atë në një avokate të grabitësve të pasurisë kombëtare, a të krimeve monstruoze të komunizmit. Mirpo të gjitha këto, në fund të fundit, i paguan populli. Sjelljet e Edvin Ramës i rëndojnë së ardhmes së një populli, që po e përballon heroikisht tranzicionin e vështirë. Megjithatë, mazhoranca asnjëherë nuk ka kaluar në dëshpërim. Ajo bën çmos t’i krijojë mundësí opozitës së majtë të kryejë misionin e saj në parlament. Sipas filozofísë së kësaj mazhorance, asgjë nuk është e pamundur. Prandaj kjo përsërí shpreson që edhe Edvin Rama të zgjohet një ditë nga ethet e ambicies së tij për pushtet me çdo kusht dhe të kuptojë madhështinë e tolerancës për zgjidhjen e “ngërçeve”, që ai i sajon vetë!...
Po le t’i mbyllim këto radhë me fjalët e Shekspirit të madh: “Në kohën tonë të ngjallme e shpirtllum (sajuar sot, në Shqipërí, nga e majta!) i duhet vetë virtytit t’i lutet vesit...që t’i bëjë mirë!”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›