E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia globale mes parashikimeve dhe krizës

05-10-2011 / Nga Ilirian Dahri

Për dy vitet e ardhshme ekonomia globale  duket se do të ketë akoma probleme. Analizat më të fundit të Fondit monetar ndërkombëtar japin një panoramë të asaj që mund të ndodhë në dy vitet e ardhshme me rritjen globale por edhe në vendet e eurozonës. Parashikohet se në vitin 2012, ekonomia botërore do të rritet me 3,5%, edhe pse parashikimet e kryera më herët flisnin për një rritje që do të arrinte në 4,2%. Ndoshta e gjitha kjo ka të bëjë në njëfarë mënyre edhe me vetë vendet e eurozonës dhe krizën e tyre por gjithsesi edhe pse parashikimet janë parashikime dhe shpeshherë nuk mund të jenë të sakta,  sipas tyre viti 2012 do të jetë ndoshta një vit akoma dhe më i vështirë se 2011. Në të vërtetë kriza europiane po shqetëson edhe vendet që ndodhen jashtë Europës. Është rast i presidentit të Brazilit, Dilma Rousseff, i cili gjatë vizitës që po kryen në Europë ka dashur të shprehet mbi krizën e disa vendeve të Bashkimit Europian: -“Kujdes, masat tejet shtrënguese rrezikojnë të provokojnë një përshkallëzim të krizës” - është shprehur Rousseff. Ndoshta presidenti i një vendi jo europian i është referuar fakteve të kaluara (të viteve 1980), të Brazilit të cilat në të vërtetë shkaktuan mjaft dëme makroekonomike në ekonominë e këtij shteti.  Pak më tej Rousseff ka shtuar se: “Është e vështirë të dalësh nga kriza nëse nuk rriten konsumet dhe nëse nuk mbështetet rritja e Gdp”. Nisur nga fakti se tashmë Brazili është shndërruar jo vetëm në një lider rajonal por trajton në tavolina të veçanta edhe me Shtetet e Bashkuara, Kinën por edhe me Bashkimin Europian dhe që në të njëjtën kohë po kërkon të lidhë akoma dhe më tej raportet edhe me shtete që po ecin fuqishëm nga ana ekonomike (India, Kina dhe Afrika e Jugut), ndoshta këto këshilla do të ishin mirë të dëgjoheshin. Sidoqoftë tashmë Europa është e angazhuar diku tjetër duke u përpjekur më të gjitha mënyrat  që kriza greke mos të përfshijë edhe vendet e tjera të Bashkimit europian. Nga ana tjetër troika (Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Ndërkombëtar Monetar), kanë marrë premtimin nga Greqia se do të shkurtojë 30 mijë punonjës të cilët do të paguhen në fillim, me 60% të pagës, dhe që pastaj mund të shkurtohen përfundimisht nga administrata publike nëse nuk gjejnë një punë brenda vitit. Ministri i Financave të Greqisë ka përmendur shpesh, madje që në çastet e para të emërimit të tij, se po shkonte në luftë. Faktet e fundit i japin tërësisht të drejtë. Qeveria greke ka parashikuar se për vitin 2011, defiçiti do të jetë 8,5%, ndërsa parashikimi i disa kohëve më parë jepte shifrën e 7,6% ndërsa për vitin 2012 defiçiti do të jetë 6,2% e Gdp. Edhe konsumet e brendshme do të jenë në rënie dhe do të zbresin në 6,2% për vitin 2011 dhe 3,85 në vitin 2012. Rritja ndërkaq do të jetë negative nga -3,9%, që ishte parashikuar do të arrijë në 5,5%. Për të vazhduar akoma me papunësinë që do të arrijë në shifrën e 15,2% dhe me një borxh publik që do të arrijë në 172% të Gdp në vitin 2012. Ndërkaq për të bindur troikën, qeveria greke ka premtuar edhe taksa të reja, si në shkurtimet e pagave të punonjësve publikë me 20% dhe për pensionet mbi 1 500 euro. “Masat shtesë të kursimeve të njoftuara për vitin 2011 dhe 2012 vlejnë 6,6 miliardë euro” – ka saktësuar ministri i Financave të Greqisë nëpërmjet një komunikate. Gjithsesi këto shkurtime shpenzimesh që janë paraqitur dje, në bilancin e vitit 2012 në parlamentin e vendit fqinj dhe që duhen votuar brenda muajit e kanë shtuar së tepërmi pakanësinë e grekevë kur flitet madje se këto shkurtime duhet të ishin akoma dhe më të shumta, dhe duhet të arrinin në deri në 50%. Ndoshta as kjo nuk mund të mjaftonte për daljen e Greqisë nga kriza. “Nuk ishte parë kurrë që një qeveri të konsideronte shkurtimet nga puna si një masë për daljen nga kriza – do të nënvizonte zëdhënësi i partisë opozitare të djathtë, Demokracia e Re. Por ndërkaq edhe troika ka kërkuar shkurtimin me 20%, brenda vitit 2015, duke marrë parasysh faktin se 727 mijë grekë që punojnë në sektorin publik janë pak a shumë një shifër e barabartë me 746 mijë të punësuarit në sektorin e turizmit i cili jep një kontribut prej 16% në Gdp e Greqisë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›