Monumentet e urrejtjes në ish-Jugosllavi
Në vendet e ish Jugosllavisë statujat gjigande dhe simbolet e tjera të identitetit kombëtar e të fesë janë kthyer në një mani të vërtetë. Që kur armët kanë pushuar, rivaliteti etnik po shfryhet edhe në këtë mënyrë
Pak ditë para shpalljes së ndërtimit të statujës më të madhe në botë të Jezuit, pranë detit, në qytetin e Splitit, nga ana e kryetarit të bashkisë Zeljko Kerum, një tjetër “sherif” lokal, presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik, i shoqëruar nga i famshmi Emir Kusturica, kishte inauguruar kantierin e Kamengradit, në Vishegrad, Bosnjë-Hercegovinë.
Projekti i Kamengradit përbëhet nga një grup ndërtesash, të stileve të ndryshme dhe me shije të dyshimtë, në qendrën historike të Vishegradit, në brigjet e Drinës, pranë urës së njohur në të gjithë botën për romanin e Ivo Andriç (çmim Nobel për literaturën në vitin 1961), “Ura mbi Drin”. I ngjashëm me një lloj Disneylandi, Kamengrad duhet të shërbejë si skenografi për përshtatjen kinematografike të romanit të Andriç.
Pas xhirimeve, ky instalim me kosto 30 milionë euro, duhet të zëvendësojë Vishegradin e vjetër boshnjak. “Duhet të përfaqësohen të gjitha epokat, përfshirë Rilindjen, nga e cila boshnjakët u përjashtuan për shkak të pushtimit turk”, shpjegoi Kusturica, që mesa duket ka një vizion shumë personal për historinë.
Kamengradi dhe Jezui i Splitit e ilustrojnë më së miri maninë e monumenteve që kanë kapluar Ballkanin kohët e fundit. Pasi në këtë pjesë të botës armët kanë pushuar, arkitektura është bërë një shtrirje e politikës. Një politikë (falë Europës) e cila ka një karakter mjaft agresiv, por që nuk kufizon simbolet e proporcionet. Në Nis, në Serbinë Jugore, është ngritur disa metra larg autostradës “kryqi më i madh në botë”.
Në Shkup të Maqedonisë, u përfundua një tjetër monument kitsch prej 40 metrash, që përfaqëson Lekën e Madh (për të mos ofenduar grekët, u quajt Kalorësi). Në pak vjet, fuqia nacionaliste maqedonase arriti të shkatërrojë qendrën e Shkupit, një shembull i urbanizimit modern, i projektuar nga Kenzo Tange, pas tërmetit të vitit 1960, duke e transformuar në një park skulpturash vulgare që përfaqësojnë “heronjtë kombëtarë”. Në Split, kryetari i komunës nuk dëshiron të kufizohet vetëm me Jezuin dhe do të ngrejë statuja të Gjon Palit II, të presidentit të parë kroat, Franjo Tuxhman e kështu me radhë.
Në shoqëritë perëndimore, monumentet janë ndërtuar së bashku me kombin (ndërmjet shekullit XVIII dhe XX), për t’i ofruar popullit një sërë imazhesh, heronjsh e mitesh, të cilët duhet t’i bashkonin e në këtë mënyrë të harronin ndarjet. Monumentet kontribuonin në mbajtjen e një miqësie që do të shërbente si bashkim shoqëror.
Ndërsa në Ballkan monumente kanë një funksion komplet të ndryshëm: shërbejnë për të tejkaluar boshllëqet e historisë, reale apo të imagjinuara. Dashuria e nacionalistëve për historinë është një gënjeshtër e qartë: historia e popullit të tyre nuk është asnjëherë e mjaftueshme, sepse ata nuk mund të bëjnë pa imagjinatën e një historie alternative.
Pastrimi simbolik - Monumentet e Ballkanit i binden logjikës së përjashtimit nga të tjerat. Kllapia arkitektonike e Vmro (partia e djathtë në fuqi në Maqedoni) nuk shërben për të forcuar karakterin maqedonas, por shërben për të harruar internacionalizmin modern të periudhës së Titos dhe kujtesën e qyteteve të vjetra otomane, me bukurinë e tyre lindore dhe popullsinë e tyre shqiptare, nga ku duhet të fshihet çdo kontribut i identitetit kombëtar. Operacioni Kamengrad në Vishegrad nuk ka qëllim tjetër përveçse të “purifikojë” në mënyrë simbolike urën e vjetër, që megjithëse përpjekjet e Kusturicës, e ruan karakterin e saj otoman. Në qytetin e imagjinuar nga Kusturica, kjo urë është thjesht një aksesor skenografik i thjeshtë, një element i integruar në nacionalizmin serb.
Të poshtërosh tjetrin, por edhe t’i tregosh që nuk ka më një vend, ka qenë edhe qëllimi i priftërinjve të Hercegovinës (pjesa kroate dhe katolike e Bosnjës), që kanë “dekoruar” Mostarin me një pyll kryqesh e kullash për t’ ja kaluar në numër e në lartësi minareve lokalë.
Autori është shkrimtar dhe kritik kroat
Përgatiti: L. Lita