Mbi disa nga sfidat fillestare të Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike
Sfida e parë me të cilën Lulzim Basha do të ballafaqohet si kryetar i PD-së është sfida e perceptimit të tij si delfin i Berishës, perceptim që është imponuar edhe si angazhim mediatik i opozitës. Kjo sfidë, do të thotë se Lulzim Basha në angazhimet e tij si kryetar i PD-së vetë duhet të kuptojë se tashmë ai është kryetar partie. Kjo do të thotë se Lulzim Basha duhet të dëshmojë se e ka të qartë se përgjegjësia për çështjet partiake është e tij, dhe se nga angazhimi i tij në radhë të parë varet edhe fati i mëtejshëm i saj. Dhe kur them këtë kam parasysh aspektet që lidhen me vullnetin, aftësinë dhe gatishmërinë për të forcuar partinë edhe nëpërmjet unitetit dhe thellimit të këtij uniteti të anëtarësisë, por edhe të drejtuesve apo të ish-drejtuesve të ndryshëm të saj në nivele të ndryshme politike. Me këtë dua të them se Lulzim Bashës i duhet që të krijojë hapësira për bashkëveprimin dhe bashkëpunimin e të gjithë atyre që vërtet duan një PD të fortë edhe si opozitë ndaj një shumice kuvendore që ka dalë me mënyra nga më makabret dhe më kundërdemokratiket, edhe në raport me vetë organizmin e saj të brendshëm. Kjo do të thotë se Lulzim Basha nuk duhet të ndjekë politikën e spastrimeve radikale në parti në emër të përgjegjësive për humbjen e zgjedhjeve, pasi që nuk mund të hidhet poshtë kontributi i njerëzve që PD-në e kanë çuar në fitore të vazhdueshme, por as të mos i kufizojë mundësitë e njerëzve të rinj që të kontribuojnë për konsolidimin, forcimin dhe suksesin e shpejtë të saj. Kur jemi këtu, duhet të kuptohet drejt se thithja e kuadrove të reja në parti, është pak më specifike, pasi që partia, sido që të jetë, është një organizim që vepron në bazë të një ideologjie, ashtu siç veprojnë të gjitha partitë në botë, dhe edhe thithja e kuadrove të reja, duhet të bëhet në bazë të përputhjeve ideologjike, e jo në bazë të parapëlqimeve apo arsyeve të tjera. Në anën tjetër, duhet bërë dallimi ndërmjet një zotësie profesionale që kanë individët e caktuar, nga aftësitë e tij politike dhe menaxherialo-politike, e që do të thotë, se individë të ndryshëm mund të kenë zotësi të mëdha në profesionin që kanë, por mund të mos jenë fare politikanë. Në anën tjetër, Lulzim Basha duhet të dijë të mbajë qëndrim të drejtë dhe të vlerësojë kontributin e secilit veprimtar të PD-së gjatë viteve dhe të krijojë mekanizma që ata të vazhdojnë të jenë kontribues edhe të mëtutjeshëm të saj. Dhe fjalën e kam për gjeneratat e politikanëve që e riformuan dhe e çuan drejt fitoreve PD-në pas vitit 1997 e këndej, ani që ata tashmë janë në grupin e atyre që mund të bartin mbi vete edhe përgjegjësi për humbjen. Dhe kur them këtë, së pari fjalën e kam për Berishën e me të tjerët pas tij. Ndonëse Berisha nuk është kryetar partie, duhet të kihet parasysh fakti se ai do të vazhdojë të jetë kryetar shpirtëror i PD-së, dhe kjo nuk ka asgjë të keqe, sepse Berisha është njeriu që barti mbi supet proceset më të vështira politike, institucionale dhe shtetërore të shteti shqiptar qoftë kur ishte në pushtet, qoftë kur ishte në opozitë. Nuk e kam ndërmend të bëj tash listën e këtyre proceseve, por duhet të përmendi sfidat e përmbysjes së regjimit komunist, sfidat e reformimit të shtetit shqiptar gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar, sfidat e ballafaqimit të një kundërshtari politik meskin, perfid, makabër, që trashëgonte metodat më kundërdemokratike të një regjimi diktatorial, e që rishkatërroi shtetin shqiptar më 1997. Me fjalë të tjera, Berisha është një pasuri e madhe për PD-në dhe për shqiptarët, edhe duke mos qenë kryetar i partisë. Në këtë kuptim, krijimi i hapësirave për të, konsultimi i vazhdueshëm me të, si dhe moslejimi i degradimit të tij dhe të kontributit të historik të tij, janë detyrë në radhë të parë e vetë Lulzim Bashës. Dhe kjo duhet të bëhet pavarësisht perceptimit të imponuar të tij si delfin i Berishës, sepse kundërshtari politik do të provojë të gjejë të gjitha mundësitë që të fryjë gjërat për të keqen e PD-së. Në këtë aspekt, Lulzim Basha duhet ta konsiderojë veten me fat që Sali Berisha është gjallë dhe ka forcën shëndetësore, morale e politike të vazhdojë të angazhohet për të mirën e partisë, qoftë me angazhimin e drejtpërdrejtë, qoftë edhe me këshilla, dhe forma të tjera të kësaj natyre. Në këtë sfidë të parë, Lulzim Basha duhet të profilizojë veten kryetar real të partisë, duhet ta profilizojë veten lider dhe burrështetas dhe të dëshmojë aftësi, zotësi dhe zhdërvjelltësi të mëdha për ballafaqimet e afërta dhe më të vonshme politiko-partiake dhe institucionale, të tregojë forcë morale, psikologjike dhe vullnet qëndrese ndaj të gjitha formave të luftës psikologjike, të luftës speciale që e majta do të zhvillojë për ta dështuar atë në drejtimin e partisë, si kusht për dështimin opozitar dhe zgjedhor të saj.
Sfida tjetër e rëndësishme e Lulzim Bashës si kryetar partie është të mundësojë një proces rishikimi të veprimtarisë së PD-së gjatë viteve, proces i cili do të nxjerrë aspektet pozitive të këtij angazhimi, e që si aspekte dhe metoda mund të jenë të dobishme edhe më tej, si dhe aspektet negative që mund të jenë bërë në kushte dhe rrethana të caktuara. Pra, sfida e Lulzim Bashës si kryetar partie nuk duhet të jetë vetëm një proces analize për humbjen e 23 qershorit, por të të gjitha aspekteve pozitive e negative që e kanë karakterizuar funksionimin e partisë gjatë viteve, e të cilat në një mënyrë apo tjetër janë reflektuar edhe në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2009, edhe të zgjedhjeve të 23 qershorit, sepse duhet pranuar se vështirësitë dhe problemet që janë shfaqur në angazhimet e partisë gjatë viteve, kanë pasur ndikim edhe në rezultatet e saj zgjedhore të saj, dhe në qeverisjen e saj. Në këtë kuptim duhen parë edhe prurjet kuadrovike në parti, edhe daljet nga ajo, edhe raporti me aleatët dhe të gjitha aspektet e tjera që mund të kenë pasur ndikim pozitiv apo negativ qoftë në rezultatet zgjedhore, qoftë në qeverisjen e vendit, qoftë në të bërit opozitë Në këtë aspekt duhet rishikuar edhe aspekti ideologjik i saj, përkatësisht ripërcaktimi i ideologjisë partiake, përkatësisht riprofilizimin e PD-së si parti e qendrës së djathtë, rishikimi i qëndrimeve ndaj asaj që përbën bazën shoqërore të ideologjisë së qendrës së djathtë, e që janë të përndjekurit e regjimit komunist, përkatësisht ata që e ndërtuan filozofinë politike të djathtë, siç janë Mit’hat Frashëri, Ernest Koliqi, dhe të tjerë si këta, për të parë bazat e ideologjisë së djathtë shqiptare, gjithë atdhetarët e djathtë që u detyruan të mërgonin për shkak të bindjeve të tyre politike, si dhe ish të përndjekurit e regjimit komunist, të shpronësuarit dhe të internuarit nga ai regjim. Gjithë ky proces që do të duhej të bëhej edhe me rishikime programore, do të ndihmonte qartësisht PD-në që të rikrijonte perceptimin pozitiv nga të gjithë këta, por edhe do të ftonte edhe të tjerë që nuk kanë interes për politikën, ose janë ende të papërcaktuar në pikëpamje politike, që të bëjnë të tyre konceptet e djathta politike dhe qeverisëse, si dhe do të rikthente kredon morale të një angazhimi opozitar të saj gjatë kohës sa do të jetë në opozitë.
Një sfidë tjetër që është shumë e rëndësishme, është ajo që ka të bëjë me të bërit opozitë, sepse nga kjo varet shumë edhe përmirësimi i mëtutjeshëm i perceptimit të PD-së si forcë që i bën punët më mirë sesa kundërshtari politik dhe se meriton dhe duhet të jetë sërish forcë qeverisëse në shtetin shqiptar. Lulzim Bashës si kryetar partie i ka rënë të ballafaqohet me një shumicë të kriminalizuar qeverisëse, e cila sido që të jetë është shumicë qeverisëse, e cila do të ketë në dispozicion mundësi të shumta pushtetore, por edhe mundësi të shumta keqpërdorimi të pushtetit, qoftë edhe kundër opozitës. PD në krye me Lulzim Bashën, me gjakftohtësi, me qasje shumëdimensionale e kritiko-racionale duhet të përcaktojë strategjinë e veprimit opozitar, e atij veprimi që do të jetë qëndrestare karshi një shumice të madhe kuvendore, karshi metodave më perfide që do të mund të përdorë qoftë edhe kundër vetë opozitës së djathtë, përfshirë edhe arsenalin mediatik dhe tjetër, të jetë e vëmendshme ndaj të gjithë veprimeve të kësaj shumice të kriminalizuar, si dhe të lërë të hapura të gjitha mënyrat e veprimit opozitar demokratik.
Një sfidë tjetër, po ashtu, shumë e rëndësishme, është qëndrimi ndaj partive politike shqiptare në rajon, e që do të thotë edhe rishikim i qëndrimit të gjertanishëm të mbajtur nga kjo parti. Kur them këtë, kam parasysh qëndrimin ndaj partive politike në Kosovë, në radhë të parë, pasi që në Kosovë, të tri partitë më të mëdha, e kanë shpallë veten parti të djathtë. Përveç LDK-së, e cila është themeluar si parti gjysëmkonservatore me orientime ideologjike të djathta, edhe PDK e Hashim Thaçit dhe AAK e Ramush Haradinajt e kanë shpallë veten parti të djathta, edhe pse ato kurrë nuk kanë qenë, e as nuk janë të tilla, pasi që të dyja kanë dalë nga grupime marksist-leniniste, siç ka qenë Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) etj. Në këtë kuptim, rishikimi i marrëveshjeve, i bashkëpunimeve ndërpartiake, është një domosdoshmëri që duhet të ndodhë sa më shpejt. Për më tepër kur eksponentë ndër më të lartët të këtyre dy partive jo vetëm që shprehën hapur simpatitë për PS-në dhe Edi Ramën, por edhe e dekoruan atë me mirënjohje dhe vlerësime të ndryshme. Të kujtojmë këtu shpalljen qytetar nderi që kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, përfaqësues i AAK-së së Ramush Haradinajt, i bëri Edi Ramës në kontekst të 100 vjetorit të pavarësisë, si dhe shpalljen qytetar nderi të Skënderajt nga ana e Sami Lushtakut, kryetar i Skënderajt, përfaqësues i PDK-së së Hashim Thaçit në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit.
Megjithatë nuk janë këto sfidat e vetme me të cilat Lulzim Basha do të ballafaqohet si kryetar i PD-së, edhe pse këto mund të jenë ndër sfidat fillestare dhe ndër më të rëndësishmet që ka ai që në fillimet e tij si kryetar partie.