“Ndarje torte për orekse të sëmura – qeveria “Piktori 1” ka zhdukur Shkencën”
Reagimi i Kryeministrit Berisha
Kryeministri Sali Berisha ka reaguar në rrjetin social “Facebook” lidhur me strukturën e re të qeverisë Rama, të cilën kryeministri në detyrë e quan, qeveria “Piktori 1”. Në një postim të publikuar në profilin e tij, Berisha akuzon Ramën se ka rritur me 30% shpenzimet qeveritare, dhe me po kaq numri i anëtarëve të saj. Ndarjen e bërë nga Rama, kryeministri në detyrë e cilëson si ndarje të tortës për orekse të sëmura. “Fillim i mbarë për të luftuar krizën! Rriten shpenzimet e qeverisë për veten e saj me 30%! Të dashur miq, risitë e para të qeverisë “Piktori 1” janë: rritet me 30% numri i anëtarëve të kabinetit; rriten me 30% shpenzimet e qeverisë për veten e saj. Kështu mendon ai se luftohet më mirë kriza?!”- vijon reagimi i kryeministrit. Duke iu referuar ndarjes së ministrive, Berisha thekson se “Shkenca për qeverinë “Piktori 1” nuk ekziston (e gjora mori malin!); Kushërira Koleka merr administratën në varësi, për hatër të kushëririt dhe 1 milion hektarë pyje mbeten jetim”. Ndarje torte për orekse të sëmura. Hajde qeveri hajde!"