Berisha denoncon tentativën e Edvinit për ridënimin e ish-të përndjekurve
Deputetët e Ramës po mbajnë në parlament qendrimet e Hysni Milloshit për luftën e klasave dhe ridënimin e ish-të përndjekurve politikë. Mazhoranca e djathtë miratoi dje disa amendamente të reja për shtesat në dëmshpërblimin e disa kategorive, ndërkohë që kryeministri Sali Berisha ka denoncuar kthimin e politikës së re të Edvinit në një llogore të vjetër që kërkon rikthimin e luftës së klasave
TIRANE - Kuvendi miratoi dje në mbrëmje në parim dhe nen për nen disa ndryshime në ligjin “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, ndërkohë që votimi në tërësi pritet të bëhet seancën e ardhshme. Projektligji për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë ka shkaktuar debate të ashpra mbrëmë gjatë seancës parlamentare, ku përfaqësuesit socialistë, i konsideruan të jashtëligjshme amendimet që iu bënë ligjit, me justifikimin e pabazë se shkakton thellime shoqërore dhe njëherazi me pretendimin se është projekt elektoral, i padrejtë dhe i pazbatueshëm.
Nisma e shumicës parlamentare, për të vënë në vendin e duhur dinjitetin dhe moralin shoqëror, për ata që dhanë jetën për mbrojtjen e vlerave dhe lirinë njerëzore, ka ndeshur në qëndresën tendencioze të opozitës.
Kreu i qeverisë Sali Berisha, e vlerësoi miratimin e amendamenteve, si aktin më të madh njerëzor në vend.
“Ky është një akt ligjor, një akt moral, por me asgjë ne nuk mund të dëmshpërblejmë vitet e rinisë së tyre. Me këtë vendim që marrim sot, më së shumti, ne i shtojmë moralitetin këtij parlamenti dhe kësaj shoqërie. Mendoj se këtu duhet të jemi të bashkuar. Unë jam i vetëdijshëm, se fatura është jo e thjeshtë, por shumë e rëndë, është për këtë shoqëri që ata të mbikalohen. Po bëhet një akt i madh njerëzor. Një pjesë e jona këtu, kemi përjetuar kohërat kur vëllau i mbyllte derën vëllaut pasi ai ishte rrënuar në burg”, tha kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë, vuri në dukje se është keqdashëse trillimi se qeveria po shpërblen kriminelë lufte.
“As edhe një të vetëm, por përkundrazi, po dëmshpërblehen viktimat e krimit të komunizmit. Le të lexojmë aktet e krimeve kundër njerëzimit. Të gjitha krimet që u kryen në emër të një regjimi dhe ideologjie të caktuar”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se nga vitet vitet ‘45, Presidenti i SHBA-së Harri Trumat dhe kryeministri i Britansië së Madhe, krijuan komitetin e përbashkët dhe ky komitet kishte qëllimin që t’u jepte shqiptarëve lirinë, kishte qëllim që t’i çlironte nga regjimi që sapo doli nga lufta dhe u dhunoi zgjedhjet dhe njëherazi ekzekutoi opozitën. “Ky komitet mobilizoi resurse të mëdha, elitë intelektuale dhe politike shqiptare. Ky komitet financoi stërvitjen e qindra burrave trima shqiptarë dhe me ta kishte vetëm një qëllim, çlirimin e shqiptarëve nga diktatura. Por ky operacion, ndër më të mëdhenjtë në histori, i kryer për të rrëzuar perden e hekurt pati fatin e keq pasi një tradhtar, sikundër ndodhi, ishte një kryeagjent rus dhe i jepte Rusisë të gjitha detajet. Ai mori dënimin kapital nga Britania, mori dënimin kapital, por ne duhet të njohim jetën, sakrificën, përpjekjen e të gjitha atyre që ranë për t’u bërë të lirë. Këta ishin nacionalistë të vërtetë, luftëtarë që luftuan katër vite kundër okupacionit dhe kur panë se Enver Hoxha po vendoste një pushtim të ri, u larguan dhe ranë në pritat e një tradhëtari që u jepte Rusëve të gjitha të dhënat.
Paketa ligjore e propozuar nga dikasteri i Drejtësisë synon të zgjidhë në mënyrë integrale problematikën e dalë nga zbatimi i ligjit në fjalë dhe rivendosjen e së drejtës për kategori të përjashtuara nga përfitimi, sipas parimit të barazisë para tij. Projekti përfshin dëmshpërblimin edhe për ish-të dënuarit që nuk kanë lënë pasardhës në linjë të drejtpëdrejtë, duke e zgjeruar rrethin e përfituesve tek vëllezërit dhe motrat, si dhe fëmijët e këtyre të fundit. Me këtë ndryshim krijohet mundësia e përfitimit edhe për familjarët e klerikëve. Gjithashtu, ndryshimet realizojnë dhe një saktësim të kritereve ligjore që ish-të dënuarit politikë dhe familjarët e tyre duhet të plotësojnë për të përfituar dëmshpërblimin, duke precizuar më mirë veprat penale politike, referuar legjislacionit të kohës, si dhe duke njohur si provë të internimit çdo akt administrativ apo dokument zyrtar që e provon atë.
Ministri i Financave, Ridvan Bode tha në Kuvend se “për dëmshpërblimin e kësaj shtrese qeveria ka vënë në dispozicion rreth 30 milion dollarë. Janë 1440 dosje të ish-të përndjekurve, të cilët brenda këtij viti do të përfitojnë dëmshpërblimin në vlerën e rreth 980 milion lekë të reja. Kjo shumë do të vihet në dispozion të tyre në mënyrë automatike”.