E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatim-taksat sektori më abuziv për 2008-ën

Autori i Lajmit: red.
Tatim-taksat janë sektori që i ka shkaktuar më shumë dëme shtetit shqiptar për vitin 2008. Ky përfundim është nxjerrë nga Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka evidentuar shkeljet e administratës publike në dëm të shtetit shqiptar. Në bazë të përfundimeve të këtij raporti janë plot 4.046.635.000 lekë dëme të shkaktuara. Raporti vjetor i Kontrollit të Lartë të Shtetit, dorëzuar për miratim në Kuvend, vëren një numër të madh shkeljesh në dogana, tatime, prokurimet publike, projektet e financuara nga donatorët, në sistemin e pagave dhe shpërblimeve nga zyrtarët qendrorë dhe lokalë. Është plot 1.887.633.000 lekë dëmi i shkaktuar nga tatim-taksat. Nga 152 kontrollet e ushtruara gjatë kësaj periudhe, është konstatuar se degët e Tatim-Taksave në Tiranë dhe Vlorë janë sektorët më abuzivë me fondet publike të qeverisë “Berisha”, respektivisht me afro 629.960.000 lekë dhe 598.538.000 lekë. Në sistemin e taksave dhe tarifave vendore shkeljet më të mëdha janë vënë re në Bashkinë e Tiranës ku dëmi i shkaktuar është 195.773.000 lekë, ndërsa në Bashkinë Durrës ky dëm ka shkuar deri në 38.382.000 lekë. KLSH-ja vëren se këto dëme ekonomike janë shkaktuar si “detyrime tatimore, penalitete për tatim-fitim, TVSH, dividende e tatim në burim si edhe nga mosaplikimi i gjobave për mosdorëzim në afat të bilancit financiar”. Kontrollet e ushtruara nga specialistët e KLSH-së, në fushën e prokurimeve publike kanë evidentuar 779.815.000 lekë dëme ndërkohë që pas tij renditet sektori doganor me 694.656.000 lekë dëme. Në sistemin doganor shkeljet më të mëdha janë në degën doganore të Tiranës dhe Vlorës, përkatësisht 349.816.000 lekë dhe 254.611.000 lekë kryesisht për shkak të “detyrimeve doganore të papaguara në zhdoganimet e disa artikujve, autoveturave dhe nga subjektet që kanë operuar me autorizim për regjimin e përpunimit aktiv, si dhe mosaplikim të sanksioneve ligjore”. Dëmi i shkaktuar në fushën e urbanistikës është 153.737.000 lekë dëme, ndërsa shpenzimet operative kanë shkaktuar 116.119.000 lekë. Bëhet gjithashtu e ditur se shkelje financiare dhe parregullsi janë konstatuar edhe në fushën e shpërblimeve, me rreth 26.000.000 lekë, tek sistemi i pagave, me 24.000.000 lekë etj. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar dëmshpërblimin e thuajse të gjithë vlerës, prej më shumë se 4 miliardë lekësh, nga punonjësit e administratës qendrore dhe lokale. "Nga vlera e përgjithshme e dëmit, KLSH-ja ka rekomanduar zhdëmtimin në shumën e 4.032.455.000 lekë, ose në masën 99.6 për qind”,- citohet në raport. Sipas KLSH-së, deri në fund të 2008-ës janë nxjerrë urdhrat përkatës për shpërblimin e dëmit dhe janë në proces arkëtimi rreth 2.8 miliardë lekë, ose 68 për qind e vlerës totale, të rekomanduar nga ky institucion për t u dëmshpërblyer.

Dëmet ekonomike
Në sektorin e tatim-taksave 1.887.633.000 lekë
Në fushën e prokurimeve publike 779.815.000 lekë
Në sektorin doganor 694.656.000 lekë
Në fushën e urbanistikës 153.737.000 lekë
Në fushën e shpenzimeve operative 166.119.000 lekë
Në fushën e shpërblimeve 26.363.000 lekë
Në fushën e sistemit të pagave 24.372.000 lekë
Në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore 11.962.000 lekë
Në inventarizimin e aseteve mungesë materiali 2.148.000 lekë
Në fusha dhe sektorë të tjerë 349.830.000 lekë

Sipas subjekteve
Në fushën e të ardhurave
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës 309.898.000 lekë
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve 3.680.000 lekë
Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat e saj vartëse 499.000 lekë
Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit 40.000 lekë
Ministria e Brendshme dhe strukturat e saj vartëse 22.000 lekë
Në fushën e shpenzimeve
Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve 461.779.000 lekë
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës 39.600.000 lekë
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, 17.931.000 lekë
Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit 13.501.000 lekë
Ministria e Brendshme dhe strukturat e saj vartëse 3.141.000 lekë
Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat e saj vartëse 1.691.000 lekë
Ministria e Punës, Çëshjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, 777.000 lekë
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit 62.000 lekë
Ky lajm është publikuar: 01/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›