E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi gjërat që i dimë dhe ato që duam t’i dimë (e s’po na thuhen)

NUK E DI SE CILA mund të jetë më e dëmshme për qytetarët e Kosovës. A është më e dëmshme nëse ata që e kanë pushtetin mbajnë takime sekrete me përfaqësues të Serbisë në kurriz të Kosovës? Apo nëse ata që e pretendojnë pushtetin, dinë për bisedime sekrete, por për arsye që nuk janë në gjendje t’i shpjegojnë, informatat i mbajnë për vete? Duhet thënë që në fillim – ka një mungesë të frikshme serioziteti në qasje nga të dyja palët. Në kohët kur me të madhe nga të gjitha anët paralajmërohen situata kur do të mund të lëvizet drejt kompromiseve të reja - së paku, për një pjesë të territorit të Kosovës - me synimin që Prishtina e Beogradi të mos i bëhen pengesa njëra-tjetrës në proceset integruese ndërkombëtare, pushteti e opozita kosovare janë zënë në qarkun e mohimeve dhe akuzimeve të ndërsjella, të cilat jo vetëm që nuk i kontribuojnë ndonjë kthimi të procesit në favor për vendin, por japin tablonë e padëshiruar të një Prishtine të pashpresë dhe gati të dorëzuar.

PLOT 13 HERë ëSHTë përmendur fjala “e vërtetë”, duke u lakuar në rrasa të ndryshme, gjatë deklaratës së shkruar të AAK-së për ato që i ka quajtur “bisedime sekrete të qeverisë me Serbinë” në konferencën për shtyp të Ardian Gjinit. Mirëpo, sa më shumë që Gjini përmendte fjalën “e vërtetë”, aq më e pakapshme dukej të bëhej “e vërteta e bisedimeve sekrete” për gazetarët e pranishëm. Dhe, me gjithë premtimet e paralajmërimet e zyrtarëve të AAK-së, se të mërkurën do të jetë Dita D, kur populli do ta dijë të vërtetën të përcjellë me fakte konkrete, gazetarët u gjenden në një situatë të pazakontë sikleti. Nënkryetari i AAK-së, sa s’i akuzonte gazetarët që i kishte thirrur në konferencë, duke folur në stilin “çka keni ardhur të më pyesni mua për gjërat që i dini vetë”. Kërkoj falje nëse në ndonjë mënyrë gjatë këtyre ditëve jemi trullosur nga vapa e madhe verore, ose mendtë i kemi pasur nga plazhi e deti, duke bërë që në ndonjë mënyrë të dështojmë në profesionin tonë të dashur, mirëpo, së paku në mediumin tonë, e them me përgjegjësi, nuk e dimë se çfarë po ndodh. Kemi pritur që Qeveria të na tregojë diçka, siç do ta donte rendi, pasi që tekefundit bëhet fjalë për fatin e qytetarëve të këtij vendi, por, fatkeqësisht, kemi parë vetëm mohim, ose ofendime për opozitën. Përfundimisht, u gëzuam që së paku dikush nga opozita po na e kuptonte hallin dhe do të na ndriçonte situatën, por, sërish fatkeqësisht, pamë vetëm fjalë në hava dhe ofendime për pushtetin.

çKA PO NDODH? Pasi që ne në media nuk po jemi në gjendje të tregojmë se çka po ndodh në temën e “bisedimeve sekrete”, po e shfrytëzojmë rastin, që së paku, të tregojmë ato që i dimë.
E para, e dimë se edhe përfaqësuesit e pushtetit, edhe përfaqësuesit e opozitës politike, janë pyetur nga përfaqësues të shteteve të rëndësishme perëndimore, se si do të reagonte opinioni kosovar nëse Prishtina zyrtare do të pranonte “një status special” për veriun e vendit, në emër të njohjes së pavarësisë nga Beogradi.
E dyta, e dimë se pozita dhe opozita janë konsultuar nga të njëjtit përfaqësues të shteteve që e kanë njohur Kosovën se sa mund të jenë të pranueshme idetë për shkëmbime territoresh e rivizatime të kufijve mes Kosovës e Serbisë.
E treta, e dimë se nga “miqtë ndërkombëtarë” kanë ardhur porositë se pavarësisht nga numri i njohjeve dhe mbështetjes nga shtete të fuqishme, rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në OKB dhe integrimet e saj euroatlantike do të jenë një pikëpyetje e madhe pa njëfarë lloji të pranimit nga Serbia dhe aleati i saj me të drejtë vetoje në Këshill të Sigurimit, Rusia.
E katërta, e dimë edhe se ka fare pak vullnet, si nga institucionet kosovare, ashtu edhe nga mbështetësit e pavarësisë, që të ndërmerret çfarëdo veprimi që do të dukej si më radikal për të shtrirë autoritetin e Prishtinës në tërë territorin e Kosovës.
E pesta, e dimë dhe po e shohim çdo ditë se Beogradi po lanson balona provues të trajtave dhe formave të ndryshme, me qëllim të përgatitjes së qytetarëve serbë për kompromis me Kosovën, ashtu edhe për përçimin e porosive për Prishtinën, e fundit duke qenë “deklarata për shpalljen e pavarësisë në Veri”.
E gjashta, e dimë se, për arsye të shumta - e në radhë të parë me qëllim të ruajtjes së pushtetit, ose të sigurimit të ardhjes në pushtet - ka fare pak gatishmëri ndër përfaqësuesit politikë kosovarë, në pushtet dhe opozitë, pra, që në çfarëdo forme të konfrontohen me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, qoftë edhe me çmimin e tregtimit me veriun.
Dhe e shtata, ndoshta më e dhimbshmja, e dimë se (ndonëse i dinë të gjitha që u përmenden më lart) institucionet e pushtetit ende nuk kanë ndonjë strategji të qartë se si dhe çka duhet bërë në situatën në të cilën ndodhemi, ashtu siç e dimë edhe se subjektet opozitare nuk kanë ndonjë strategji alternative për situatën e përshkruar.

Së KëNDEJMI, NDOSHTA PARA se të na davaritin me lojërat e panevojshme të pingpongut ndërmjet vete (si në rastin e temës së bisedimeve sekrete), si pushteti ashtu edhe opozita do të ishte e udhës që qytetarëve të këtij vendi, ose së paku votuesve të tyre, t’u tregojnë se kur do t’ua prezantojnë planet që sigurojnë avancimin e Kosovës si shtet të pavarur e me sovranitet në tërë territorin e saj.
Ose, ndoshta edhe një tjetër: A kanë kaçik ta bëjnë këtë?

adriatik@kohavision.net

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›