E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi gjuhën e urrejtjes

FATOS LUBONJA

Në një shkrim të disa kohëve më parë guxova të shkruaja për nevojën e kritikës brenda partive, nisur nga ideja se kjo pritet më së pari nga elementët më të arsyeshëm pranë tyre. Si për të provuar pashpresën e asaj që propozoja, mora si përgjigje vetëm sharje dhe gjuhë urrejtjeje nga dy prej të përmendurve në shkrim, Ardian Klosi dhe Agron Tufa. Megjithatë nuk më mungoi një përgjigje që prisja – si zhvillim debati – nga deputeti i PD, Mark Marku. Edhe pse jo si përgjigje ndaj meje, Marku, në një nga shkrimet e tij të botuara në Mapo, shkruante se polarizimi i thellë nuk lejon zhvillimin e mendimit kritik brenda partive sepse, linte të kuptohej, kur lufta me kundërshtarin është e egër, ajo që ndodh është bashkimi i të gjithëve kundër tij.
Duke lexuar sintezën e gjuhës së urrejtjes të dalë nga goja e të dy liderëve, në kabllogramet e Ambasadës nuk mund të mos e rikujtoja këtë argument. Por mu bë edhe më i fortë ky rikujtim , kur pashë lajmin se Edi Rama dhe Sali Berisha janë përballur në ceremoninë e 20-vjetorit të fondacionit gjerman në Shqipëri, Fridriech Ebert dhe, me gjithë përpjekjen e ambasadores që ata ti japin dorën njëri-tjetrit, kjo ska ndodhur, përkundrazi të dy liderët kanë derdhur helmin e urrejtjes së ndërsjellë me një sërë batutash denigruese për njëri-tjetrin.
Duke parë dy liderë që kanë në dorë fatet tona të sillen si fëmijë, që edhe në familje ti kesh të bëjnë gjëmën e jo më në krye të vendit nuk mund të mos të të lindin një sërë pyetjesh, të tilla si: këtë gjuhë e sjellje të urrejtjes e prodhon lufta për pushtet e për para apo është gjuha e urrejtjes që e ka ashpërsuar këtë luftë deri në këtë shkallë? Në çmasë është kjo gjuhë e urrejtjes instrument i një pjese për të sunduar partinë dhe çfarë do të mund të ndodhte sikur kjo pjesë të sfidohej nga pjesa më racionale në emër të arsyes e të së mirës së shumicës? A nuk ka ardhur koha ti ndërrojmë liderë si Berisha dhe Rama, që kanë gjeneruar gjithë këtë urrejtje, saqë as dorën nuk i japin njëri- tjetrit, apo këta, me sjelljen e tyre, nuk janë tjetër veçse shprehje e mënyrës se si ne sillemi në përgjithësi me kundërshtarin, çka do të thotë se ndryshimin duhet ta kërkojmë më thellë.
Personalisht mendoj se ndryshimin duhet ta kërkojmë më thellë – ma provoi këtë edhe debati i dështuar që përmenda në krye të këtij shkrimi, – por nga ana tjetër gjykoj se liderë/elitë me tjetër kulturë, me tjetër shembull sjelljeje, do të ishin një instrument i rëndësishëm ndryshimi. Përndryshe, me këta urrejtës në pushtet, zor se mund të bëjmë përpara.
Adam Michniku në librin e tij Në kërkim të sensit të humbur, të botuar së fundi në Shqipëri, thotë duke cituar Barbara Scarga: urrejtja është një ndjenjë që nuk di ta vështrojë botën veçse nga optika e mohimit. Madje edhe në atë që të tjerëve u duket e vlefshme, e rëndësishme, ajo sheh vetëm veprim të nënrrogoztë, degradim, mashtrim, sepse i tillë është kondicioni i saj natyror njerëzor. Urrejtja asesi nuk synon përmirësim përkundrazi, situata e krijuar asaj i shkon për osh, ajo konstaton me kënaqësi çdo gabim që konfirmon drejtësinë e pozicionit të vet, çdo ndërmarrje të paarrirë. Por, mbi të gjitha me këtë pozicion do të helmojë gjithçka përreth. Dhe kështu nis të precipitojë derisa mbërthen gjithë shoqërinë.
Duket sikur Scarga ta ketë shkruar për realitetin shqiptar. Tek ne sundon një situatë që i shkon aq për osh urrejtjes, saqë mund të thuhet se ajo mbretëron e parivalizuar nga ndonjë ndjenjë tjetër. Ngjarja në 20-vjetorin e fondacionit Frederich Erbert flet shumë për këtë. Liderët tanë në ato pak replika që shkëmbyen, duke përdorur një eveniment paqeje si spond lufte, treguan se nuk janë në gjendje të përçojnë asgjë tjetër veç urrejtjes. Një urrejtje, që synonte thjesht e vetëm ta ulte e poshtëronte kundërshtarin në sytë e të tjerëve.
Nëse do të kërkonim rrënjët kulturore të kësaj urrejtjeje, do të thosha më së pari se, individualisht, ajo është shenjë e, mungesës së pjekjes së këtyre individëve, shenjë e një egoizmi, që nuk është temperuar me moshën nga edukata e mirë, nga ndjenja më të larta e më fisnike, përkundrazi që ka ardhur duke u bërë më i rrezikshëm për shkak të pushtetit. Por, kjo urrejtje ka edhe një dimension të fortë social-politik. Urrejtja ka vetinë ti bashkojë njerëzit rreth ndjenjave më të ulëta, që sillen rreth dhunës dhe frikës, veçanërisht në një shoqëri ku padituria dhe mungesa e ndjenjave të kultivuara bashkohet me frustracionet e varfërisë dhe të pasigurisë. Për të gjitha këto duhet të kemi/gjejmë/krijojmë një shkaktar/armik, të cilin duhet ta urrejmë, ta asgjësojmë, që të shpëtojmë. Kësisoj, asgjësimi i armikut bëhet shpejt program politik. Fatkeqësisht, ky është fillimi dhe fundi i programeve politike të partive tona. Përtej këtyre nuk ka asnjë projekt racional se çfarë duhet të bëjmë për të dalë nga gjendja ku jemi. Përkundrazi, ka një ngulmim për të na mbajtur në këtë gjendje, që të kujton ngulmimin e Enver Hoxhës për të na mbajtur vazhdimisht të rrethuar nga armiku i jashtëm e i brendshëm. Sepse urrejtja, për nga natyra e saj, nuk ka veti ndërtuese, por shkatërruese; sepse ajo nuk na e lejon vetëkritikën, që është kushti për ndryshim jo vetëm i vetes, por edhe i tjetrit; sepse ajo, sikurse thotë Scarga, nuk synon përmirësimin e gjendjes përkundrazi, situata e krijuar asaj i shkon për osh, ajo konstaton me kënaqësi çdo gabim të armikut që i konfirmon drejtësinë e pozicionit të vet.
Po të vesh re teknikat që përdor gjuha e urrejtjes për ta ndezur e mbajtur gjallë këtë ndjenjë, që e bën njeriun instrument të dhunës, – për çka ka mobilizuar një numër jo të vogël gazetarësh e propagandistësh në të dy kampet, – do të konstatosh se ajo ngulmon të godasë pareshtur thjesht e vetëm pjesën emotive të njerëzve, atje ku janë përqendruar frikërat dhe shpresat, inatet dhe mëritë e së tashmes e të së kaluarës, paragjykimet, supersticionet, tabutë, kodet morale. Për ti prekur këto tastiera, urrejtësi nuk ngurron aspak ti hyjnë të urryerit në jetën private, në familje, në marrëdhëniet intime, në krevat, në nevojtore, në të kaluarën komuniste, në mënyrë që ti gjejë dobësi për ti bërë ato publike, ashtu sikurse nuk ngurron të përdorë shpifjen, fyerjen, shtrembërimin. Në pamundësi apo në pritje për ta vrarë atë fizikisht, ai kërkon ta vrasë atë moralisht, ta mohojnë, ta poshtërojnë, deri në pikën që ta përjashtojë mundësinë që ky të mund ti japë dorën urrejtësit – në rastin më të mirë vetëm mund tia puthë ngaqë sia kafshon dot. E, për të mbretëruar i qetë në këtë punë, urrejtësi ngulmon ta helmojë krejt opinionin publik me frymën dhe teknikat e tij. Opinioni publik, – thotë Pazolini, – si një kafshë e egër, ashtu sikurse ka nevojë të qetësohet lidhur me gjëra që nuk do ti urrejë, po ashtu ka nevojë të nxitet lidhur me gjëra që kërkon ti urrejë. A e keni vënë re se si urrejtja arrin të bashkojë në tryeza kafenesh apo mbledhje partie individë që mund të kenë kritika pa fund për njëri-tjetrin, kujtime më se të këqija, por këto qetësohen e harrohen pasi, sapo ulen së bashku, fillojnë e flasin për armikun e urryer me një solidaritet të rremë.
Kam përshtypjen, megjithatë, se tani që kanë kaluar njëzet vjet nga rënia e komunizmit, njerëzit sikur janë zgjuar nga një gjumë i thellë me një ëndërr të gjatë, duke thënë: njëzet vjet janë shumë, janë vërtet shumë. Dhe ky zgjim shoqërohet me zhgënjimin e madh me këtë klasë politike, që i ka drejtuar me një zemërim e neveri, e thellë ndaj saj. Dhe më duket se më të madhen neveri e ngjall gjuha e urrejtjes që përdor kjo klasë si shoqëruese e korrupsionit të saj, akuzat e ndërsjella plot urrejtje pa asnjë program serioz, racional ndryshimi, pa asnjë dashuri të vërtetë ndaj tyre. Ajo sikur është faqja më e shprehur së jasht

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›