Fokus/Përmes internetit zhvillohet demokracia
Përmes internetit po zhvillohet një revolucion i madh: e kanë quajtur fenomeni “we-gov”. Peticione dhe këshilla, rrjete të veçanta sociale dhe tweet-e: çdo ditë qytetarët marrin pjesë në mënyrë aktive në krijimin e politikave publike. Sipas analizave, deri në 2020-n ky bashkëpunim do të përmirësojë efikasitetin e institucioneve
Sot, iniciativat e mëdha po lindin nga interneti dhe rrjetet sociale të tij. Pa sforco të mëdha, dhe sigurisht pa asnjë kosto po eksperimentohet një formë e re demokracie. Në botë e quajnë “Open Government”, por ka edhe një përcaktim ndoshta më efikas, “Wikikracia”. Kjo e fundit, sipas shumë shpjegimeve, nuk është gjë tjetër veçse demokracia e fuqizuar nga mjetet bashkëpunuese të rrjetit (wiki) dhe nga inteligjenca kolektive që ka krijuar fenomene si “Wikipedia”. Në nivelin akademik fenomeni është shumë i studiuar, edhe pse në fund të fundit i është shtuar edhe një “w” duke kaluar nga e-gov, qeveria në rrjet për të ofruar shërbime në we-gov, qytetarë që bëhen bashkëkrijues të politikave publike. Sipas një raporti të fundit të bërë nga “Elon University” dhe “Pew Reserach Center” për të ardhmen e internetit, brenda vitit 2020 format e bashkëpunimit online do të përmirësojnë efikasitetin e institucioneve demokratike për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve. Ky fenomen sigurisht që mund të quhet revolucion. Në shumë vende është duke ndodhur. Sipas analistëve, Presidenti i parë “wiki” i historisë është Barak Obama. Më shumë se sa strategjia elektorale online, në këtë kontekst vilen shumë instrumentet e aktivizuara për të favorizuar pjesëmarrjen. “Sfidat që kemi përpara janë të mëdha, sepse qeveria nuk mund t’ia dalë vetëm pa kontributin kreativ të popullit amerikan”, tha atëherë Presidenti i sapozgjedhur Barak Obama, duke prezantuar edhe sajte si “data.gov”, “challenge.gov” dhe “apps4democracy”. Duhet thënë se rezultatet e mira të arritura deri më tani janë shumë inferiore në krahasim me çfarë pritej. “Dorëheqja e përgjegjësit të projektit Vivek Kundra, në qershor, sigurisht që nuk është shenjë e mirë”, thotë David Osimo që merret me këto çështje në Komisionin Europian. Stafeta e “Open Government” duket se ka kaluar në Mbretërinë e Bashkuar në duart e David Cameron. “Po përpiqemi të vendosim teknologjinë dhe inovacionin në qendër të gjithçkaje që bëjmë”, shpjegoi kohët e fundit në Nju Jork në një konferencë Rogan Silva, 29 vjeç, asistent i Kryeministrit. “Duam të bëhemi qeveria më e hapur dhe më transparente në botë për të sjellë një lloj risie në marrëdhëniet me publikun”. Shembulli i parë është një sajt ku mund të diskutosh për shkurtimin e shpenzimeve për të reduktuar borxhin publik. Numri i përdoruesve është me qindra mijëra. Por nuk është se “Wikikracia” vjen nga qeveritë. Është më tepër një lëvizje që nis nga poshtë dhe që ka një datë të saktë fillimi. Në shtator të vitit 2003, Tom Steinberg prezantoi “Mysociety”, me siguri projekti më ambicioz i e-democracy i realizuar ndonjëherë. Me një donacion fillestar prej 250 mijë sterlinash, grupi i Steinberg-ut zhvilloi brenda pak vitesh një sërë shërbimesh sa të thjeshta aq edhe efikase: “Fixmystreet”, një aplikacion për të njoftuar direkt autoritetet lokale mbi problemet e lagjeve ku banonin, “Theyworkforyou”, një përmbledhje e azhurnuar thuajse në kohë reale për çdo anëtar të Parlamentit. Dhe në fund një mënyrë për t’i dërguar peticione online Kryeministrit. Shërbimet janë falas, ekonomike dhe të thjeshta për t’u përdorur. Ky është bilanci provizor: pas shtatë vjetësh, më shumë se 200 mijë persona i kanë shkruar të paktën 1 herë Kryeministrit, madje disa peticione kanë modifikuar vendimet e marra nga qeveritë e mëparshme dhe shumë prej shqetësime të banorëve janë zgjidhur. Në vitin 2009 vëmendja u zhvendos nga qeveria nacionale në atë lokale. “Kthesa” u bë në një konferencë të organizuar nga guru-ja i ueb 2.0 Tim O’Reilly. “Të ardhurat u ulën, kostot u rritën. Nëse nuk ndryshojmë mënyrën se si funksionojnë, qytetet do të dështojnë”, tha Jennifer Pahlka, që disa muaj më vonë prezantoi “Codeforamerica”, një fondacion për të ndihmuar qytetet amerikane për t’u bërë më transparente dhe më eficente me ndihmën e uebit. Vitin e kaluar aderuan Bostoni, Uashingtoni dhe Siatëlli, por shembulli më i arrirë është Filadelfia me sajtin “opendataphilly.org”, ku të dhënat online kanë ndihmuar shumë qytetarë për t’u angazhuar në publikbërjen e qytetit. Nga ana tjetër, “Codeforamerica” funksionon kështu: çdo qyteti i dërgohen për një vit 5 zhvillues, që janë me mision për llogari të uebit. Disa ditë më parë u mbyll seleksionimi për 2012-n: për 26 vende konkurruan 550 persona nga e gjithë bota. Përse e bëjnë? Sepse besojnë. I quajnë “civil hackers”, janë ekspertë teknologjie me pasionin për ndarjen e vlerave dhe një politike të re përmes internetit. Edhe në Itali një nga sajtet më të njohura është “Open polis”, ku që prej vitit 2008 vendosen online të gjitha të dhënat e aktivitetit të Parlamentit dhe monitorojnë aktivitetin e 130 mijë politikanëve të zgjedhur. Por tani qëllimi është se si të gjenden “mjetet” e nevojshme për pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e qytetarëve: rrjetet sociale të qytetarëve, si “Epart”, “Decorourbano”, “Uptu” apo “CriticalCity” përdorin uebin për t’i inkurajuar personat të bëjnë gjëra konkrete për qytetin e tyre.
***
Intervista e Beth Noveck, këshilltare e Obamës dhe e Cameron-it
“Revolucioni i ardhshëm për teknologjinë do të jetë demokracia”. Profesoresha Beth Noveck, 40 vjeçe, ndodhet në një pozicion të privilegjuar për t’u shprehur kështu. Ajo u bë e famshme pasi hodhi në rrjet pyetjet e zyrës së patentave amerikane duke inkurajuar pjesëmarrjen e qytetarëve. Deri në janar ishte shefe e teknologjisë së informacionit në administratën Obama, ku ishte edhe përgjegjëse për projektin “Open Gov”. Më 16 maj u “rekrutua” nga qeveria britanike për të vazhduar më tej punën e saj.
Shumë vëzhgues në SHBA thonë se “Open Gov” po kalon një moment krize. Kështu mendoni edhe ju?
-Pjesa më e madhe e njerëzve duan një shtet që funksionon dhe ka humbur besimin te qeveria. Qytetarët nuk munden më me politikën. Janë të lodhur. Mosfunksionimi i institucioneve politike është lajm i përditshëm. Unë nuk shoh ndonjë moment krize për “Open Government”, përkundrazi po rritet interesi i qeverive për të adaptuar struktura për zgjedhje kreative dhe inovative. Jemi vetëm në fillim.
Në librin “Wiki Government” ju mbështesni idenë se teknologjia mund t’i bëjë qeveritë më të mira, demokracitë më të forta dhe qytetarët më të fuqishëm. Si mund të ndodhë kjo mrekulli?
-Inovacioni më i madh i shekullit të kaluar ishte burokracia. Ndërsa ai i këtij shekulli do të jetë ndërtimi i një demokracie të vërtetë. Nuk i referohem vetëm botës ku qeverisim, por edhe faktit për t’i bërë vendimet të hapura ndaj ideve të reja që vijnë nga poshtë. Kush qeveris ka gjithë nevojë për pjesëmarrje më të madhe.
Një demokraci në rrjet rrezikon të duket elitare: po ata që jetojnë në zona që nuk kapen nga interneti, po ata që nuk e përdorin?
Në SHBA zakonisht një i ri qëndron më shumë se dhjetë orë në ditë në internet. 82 për qind e amerikanëve ka një telefon celular. Numri është më i madh në shumë vende europiane. Me kalimin e kohës, rreziku nuk do të vijë nga mungesa e aksesit ndaj teknologjisë, por nga mungesa e mundësive për të marrë pjesë në procesin politik.
Përse u larguat nga administrata Obama?
-Jam një docente ligji dhe kisha vetëm dy vjet pritshmërie.
Cili është roli juaj me Kryeministrin David Cameron tani?
-Puna nuk ka nisur akoma. Objektivi do të jetë krijimi i strategjive për ta favorizuar pjesëmarrjen e qytetarëve.
Një qeveri wiki përbëhet nga transparenca, publikimi i të dhënave dhe pjesëmarrja. Çfarë ka më shumë rëndësi?
-Nuk mund të flasësh për qeveri wiki pa tri elementet. Një qeveri wiki përdor teknologjitë për të vendosur në komunikim institucionet me zgjidhjet më kreative të propozuara nga qytetarët. Unë e quaj: “Open Innovation for democracy”. Kur bëjmë pyetjet e duhura dhe japim informacionet e duhura, interneti mund t’i ndihmojë institucionet të punojnë më mirë.
Sa kushton kjo për një administratë? Ku mund të gjenden paratë?
-Në të vërtetë kushton pak. Për shembull, duke hedhur të dhënat publike, për të cilat kemi nevojë, për të marrë vendime më të mira dhe për të treguar se cila është mënyra më e mirë për të reduktuar gabimet.