Nishani i qeverisë mbi 21 janarin
Nejse, le të kthehemi tek gjoja ministri i Brendshëm që më nxiti të shkruaj këto fjalë kur e dëgjova të thoshte para Komisionit të Sigurisë në parlament, pasi mbrojti me këmbëngulje ministrin e vërtetë, pra Gonin, duke goditur kabllogramet e diplomacisë më të madhe në botë si llafe rrugësh, se për zbardhjen e 21 janarit policisë iu dashka bashkëpunimi i organizatorëve të tubimit. Domethënë policia po zbardhkërka 21 janarin dhe nishani zbardhës i saj qenka opozita. Ska si të jetë ndryshe në fakt, por ky është rasti për të rithënë se kjo qeveri se gjen një shoqe në botën e lirë që të vrasë me pushkë protestues ditën për diell, ti masakrojë barbarisht nëpër komisariate, ti denigrojë si kokëpalarë në publik dhe në fund të thotë po zbardh vetë të zezat që i ka bërë po vetë nën dirigjimin e të parit të saj. Ka vetëm një mënyrë për ta zbardhur 21 janarin dhe kjo është hetimi dhe ndëshkimi i atyre që vunë opozitën në nishanin e pushkës nga dritaret e kryeministrisë. Këtë zbardhje smund ta bëjë dot as ministri Nishani, as komisioni parlamentar i ministrit qesharak të drejtësisë që Saliu ngriti duke shkelur si gjithmonë ligjin për të marrë nishan mbi Presidentin e Republikës, mbi Prokuroren e Përgjithshme, mbi katër gazetarë të futur në rrethin e shënjestrës së tij prej kohësh, mbi opozitën po e po. Këtë hetim mund ta bëjë vetëm Prokuroria e Republikës që ka ecur mjaft me çuarjet në gjyq të atyre që qëlluan me gurë, shumë prej të cilëve kanë marrë edhe dënime krejt të pamerituara, por ka ngecur komplet me ata që qëlluan me pushkë, prej të cilëve sështë dënuar asnjë, falë sigurisht edhe Tomës e Sashenkës që nxorrën të larë prototipat e kapur me zjarr në grykë nga kamerat e pavarura. Dhe ndërkohë sështë nisur fare drejt atyre nga duhet ta fillonte hetimin e kompromentuar në themel.
Ah po, prokuroria ka thirrur e dëgjuar ca deputetë të opozitës, kollaj se në opozitë janë dhe opozita nuk bën presione alla Sali mbi prokurorinë, të cilët sidoqoftë kanë dëshmuar pa asnjë ngurrim. Por duhet të kishte thirrur të parin Sali Berishën, të dytin Lulzim Bashën, të tretin Hysni Burgajn, sjam në dijeni nëse ky është thirrur po si kot që është sështë çudi që edhe të jetë thirrur, pastaj ca kapo të policisë si puna e atij gansterit që u gradua drejtor bashkiak e rreh gratë në zyra, dhe me rradhë. E njëkohësisht prokuroria jo vetëm sduhet të qe tutur e futur në sirtar bashkë me dosjen përvëluese, po duhet të kishte kërkuar, me mbështetjen e plotë të opinionit publik e të komunitetit ndërkombëtar, që të gjithë të rreshtoheshin pa llafe e as naze tek dera e saj. Që të mos krijohet asnjë ekuivok, tek ky rreshti fus pa merak e hezitim edhe veten time si njëri ndër organizatorët, madje organizatori kryesor i demonstratës së 21 janarit. Mirëpo prokuroria e trysnuar nga presionet mafioze të Saliut mbi Prokuroren e Përgjithshme dhe e keqtrajtuar vijimësisht nga gjykatat politike të Tomës e të Sashenkës, ka zgjedhur të bëjë politikë me politikën e të shohë punën e vet, nënkupto të mos e bëjë detyrën e saj deri në fund në asnjë nga rastet kur detyra vete dhe e çon organin e akuzës në derën e shtëpisë së Saliut. Cështë e vërteta këto raste janë bërë si shumë dhe rritja e numrit të krimeve që lidhen me derën e të parit të qeverisë nuk e lehtëson detyrën e prokurorisë, përkundrazi e rëndon. Po nga ana tjetër si mund të vazhdohet kështu me dosjet e rënda të krimeve me bekim qeveritar që po bëhen dalangadalë kapicë e me kulturën e pandëshkueshmërisë totale që po shtrin rrënjët thellë e më thellë në këtë vend teksa prokuroria rri e strukur në vendin e saj?
Kjo gjëndje ska lidhje me asgjë që ndodh në cilindo vend të Europës, po vetëm me realitetet pa demokraci, pa drejtësi, pa karar në zararet e qeverisë dhe pa kandar për të peshuar fajet e pushtetarëve, as me fuqinë e votës që është marrë peng as me forcën e ligjit që është bërë leckë. Kjo gjëndje ska asnjë shpresë tjetër veç ngulmimit opozitar të çdo qytetari kundër të keqes tek dera, bashkimit të të gjitha forcave të shoqërisë që spajtohen me statusin e qytetarisë që ka fituar krimi, korrupsioni, mediokriteti akut. Kjo gjëndje është vetë alarmi për të vënë çdo energji intelektuale, morale, shpirtërore të këtij vendi në dispozicion të një ndryshimi radikal që ti çojë gjërat në vendin e tyre. Në të kundërtën të gjitha të këqiat që kemi parë sdo jenë gjë hiç me të këqiat që do shohim dhe nishanin e qeverisë mbi 21 janarin do ta ketë nesër mbi vete si rregull jo çdokush që sot dihet se nuk e do qeverinë, po gjithkush që nuk merr sot nishan qeverinë me fjalët, me qëndrimin në bisedat shoqërore e me protestën e vet ndaj së keqes.