Mbi grupin e ministrave që vijnë nga oborri personal i Edvinit
Niko Peleshi, Zv/Kryeministër: Njihet si njeriu i punëve të këqija në Korçë. I ka humbur qytetit vlerat arkitekturore, infrastruktura urbane lë për të dëshiruar dhe qindra biznese ankohen për zhvatjen e tyre nga Nikot e rrugës që strukën në ngrehinën e Bashkisë. Për t’i shpëtuar pensionit të parakohshëm pas 2 vitesh, Edvini i bën një nder.
Sajmir Tahiri, ministër i Brendshëm: I njohur për lidhjet e tij me botën e krimit dhe kontrabandës. Mik i afërt i Arben Frrokut, i dyshuar për vrasjen e ish kryekomisarit të Kombinatit, Dritan Lamaj. Pak muaj më parë emri i Tahirit u shfaq në një tjetër botë krimi, atë të kontrabandës së ilaçeve të babait të tij, Bashkim Tahiri. E sigurt është se krimi dhe kontrabanda me Sajmir Tahirin ministër të Brendshëm, do lulëzojnë.
Erjon Veliaj, ministër i Punës, Mirëqenies Sociale dhe Rinisë: Nëse ka një abuzues me fondet private dhe shtetërore për punësimin e të rinjve në Shqipëri, ai mban emrin e Erjon Veliajt. Ish drejtuesi i MJAFT-it u detyrua të merrte kompjuterin e financave në krah kur u largua nga kjo organizatë. Shuma e përvetësuar është 300 mijë euro. Në drejtorinë e Krimit Financiar ka një padi të ngritur kundër tij, por edhe sot e kësaj dite institucionet vazhdojnë të heshtin. Nga shtatori, njeriu që u bë i njohur në kancelaritë perëndimore për shkak të e-mailit “Griselda”, do të drejtojë një dikaster që ka në fokus pikërisht të rinjtë, punësimin dhe mirëqenien. Dhe kësisoj vjedhja e fondeve do të vazhdojë e do të vazhdojë...
Ilir Beqja, ministër i Shëndetësisë: Iu hoq mandati për shkelje të Kushtetutës, pasi kishte përfituar fonde publike me vlerë 250 milionë lekë, gjatë kohës së ushtrimit të funksioneve të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Në Ministrinë e Shëndetësisë i jepet çdo mundësi për të thyer rekordin e abuzimeve.
Arben Ahmetajn, ministër i Zhvillimit Ekonomik: Vjen në qeveri direkt nga oborri personal i Edi Ramës. Mbi të rëndon edhe sot e kësaj dite akuza për grabitjen e 15 milionë eurove Telekomit, përmes kompanisë së tij “Hermes”.
Edi Rama emëron ministër, burrin e ish-gruas së tij/Ministri i radhitur si i fundit në listën e publikuar të Qeverisë së re të Edi Ramës, ai i Çështjeve Vendore, Bled Çuçi, është bashkëshorti aktual i ish – gruas së Edi Ramës Delina Fico, bëjnë të ditur burime të Indeksonline. Bled Çuçi ishte i angazhuar në Partinë Socialiste si ekspert i zgjedhjeve. Ndërkaq, Ministria për Çështje Vendore nuk ka ekzistuar më herët në Shqipëri. Qeveria Rama, përbëhet prej 19 ministrive. Edi Rama dhe Delina Fico kishin jetuar bashkë për një periudhë kohe thuajse 6-vjeçare. Ata asnjëherë nuk kanë folur për arsyen e ndarjes së tyre.