Mbi grupin e ministrave të zgjedhur në bazë të trashëgimisë së Sigurimit të Shtetit dhe Nomenklaturës
Rekrutimi i ministrave, në 3 vatra infeksioni
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, Rama e mbajti fjalën. Në qeverinë e re socialiste nomenklatura e vjetër komuniste vjen nëpërmjet pinjollëve, atyre që e quajnë “gjë të vogël” apo “gabim njerëzor” diktaturën e Enverit e Ramizit. Ky përfaqësim në qeverinë e Ramës i jep grupit qeverisë një karakteristikë tipike e të veçantë. Nëse të përndjekurit politikë do mblidhen vit pas viti në shkurt 1951 për të kujtuar 22 viktimat e pushkatuara ne incidentin e “bombës në ambasadën sovjetike”, të përzgjedhura për pushkatim nga funksionari i Sigurimit Edip Çuçi, tani do ta kenë më të vështirë, pasi në qeverinë e re ministër është nipi i tij, Bledar Çuçi. Kësisoj kontributi i djeshëm i Edipit gjen përfaqësimin në ekzekutiv sepse tani është rikthyer i nipi. Nëse të përndjekur të tjerë kanë akoma kujtimin e një kryetari dege të punëve të brendshme që quhet Hyda Celibashi, tanimë në qeveri do të kenë të birin. Natyrisht as Çuçi (i riu) dhe as Celibashi (i riu), nuk duan të dëgjojnë se në Shqipëri ka pasur diktaturë, enverizëm, etj, pasi këto janë gjëra të së shkruarës. Ka edhe më. Nëse dikush do kujtojë profesorin e sociologjisë komuniste që krenohej se ishte komunist edhe kur ky kishte cofur, tanimë do kenë në qeveri sërish Beqjen (i riu). Jo për ndonjë gjë, por shprehja e djeshme e “komandantit legjendar” “Hamdi të thomë”, ndoshta do kujtohet e bëhet batutë të mbledhjet e pritshme të Këshillit të Ministrave. Nëse bën hije në qeveri, një njeri që e ka punën e parë si jetën si ministër e që do merret me punët sociale, natyrisht vjen si biri i një oficeri të diktaturës. Por edhe kontingjenti i bijve të sekretarëve të parë të PPSH-së në rrethe, tanimë ka kapur diplomacinë. Kapitalizmit të djeshëm “në kalbëzim e sipër” që e luftuan me gjithë shpirt, do përpiqen tani ta lavdërojnë e ta marrin me të mirë. Fusha e mbrojtjes ka një femër në krye, jo për ndonjë meritë të madhe, por për faktin se babai i ka punuar në Komitetin Qendror të PPSH-së dhe vetë zonja hyn në rrethin e ngushtë të miqve të kryesocialistit. A ju ka marrë malli për qeverinë e shokut Adil Çarçani. “Eh, ishte qeveri e mirë” - thonë këta që kanë formuar Këshillin e ri të Ministrave. Por edhe këtu e kanë kapur fillin nga e kaluara. Kanë sjellë zëvendësin e Adil Çarçanit në qeverinë e fundit të tij, shokun Shkëlqim Cani. Shoku në fjalë ka partishmëri të lartë dhe në këtë kohë kur qeveria socialiste në vazhdën e traditave të qeverive komuniste, do kërkojë triskëtimin e rikthimin e sistemit të tallonave. Shkëlqimi është pika e fortë e lidhjes me të famshmen qeveri “Çarçani” qeveri që i katandisi shqiptarët në një popull të harruar afrikan, pa pretendime, por të uritur e zhuritur varfëri të llahtarshme. Së fundi, rendin do ta vendosë sh.Saimir Tahiri. Policët e goditur me gurë, drunj, dinamit, etj më 21 janar 2011 nga turmat që dirigjonte Tahiri, duhet të durojnë që në krye të Ministrisë së Brendshme është pikërisht shoku në fjalë.