Mbi intrigat e sajimit të akuzave të paqena në diktaturë
Nuk është e lehtë të ngresh një akuzë të padrejtë. Duhet djallëzi mendjeje dhe poshtërsí shpirti. Nuk duhen as fakte, as prova, madje, as argumente. Deri sa nuk kishte mbrojtje ligjore, hetuesit xhahilë s’kishin pse dënonin me dorën në zemër. S’kishin pse kërkonin dëshmitarë të ndershëm, njerëz që të kishin frikë Zotin. a ligjin Ata ishin vetë edhe ligji, edhe Zoti ! Prandaj sajonin akuza me hamendje, me paragjykíme, me dyshime. Prandaj i montonin akuzat edhe mbi vetë deponimet e të pandehurve, të cilët detyroheshin prej këtyre xhelatëve të shpifnin kundër vetes. Prandaj u sajonin lloj-lloj akuzash edhe të sëmurëve psikikë. Madje, ndaj gjithkujt që, për t’u shpëtuar torturave çnjerëzore, pranonin të dënoheshin pa faj. Për hetuesit komunistë dënimi i një “armiku”, çmohej si një hakmarrje “hyjnore”. Sipas filozofísë së tyre kriminale ndërtohej duke shkatërruar. Për ta dënimi nuk duhej t’i shërbente ringjalljes shpirtërore të mëkatarit. Hetuesit xhahílë komunistë ishin të bindur për pafajësínë e të pandehurit. Nuk mund ta kuptonin ata se si mund të faleshin disa fajtorë për një të pafajshëm. Përkundrazi! Ata për një fajtor dënonin qetësisht njëqind të pafajshëm! Se “drejtësía” komuniste frymëzohej nga filozofía e urrejtjes. Qëllími i saj nuk ishte kurrsesí ekuilibri shoqëror, paqja sociale, por frika dhe terrori. Vetëm drejtësía e demokracísë udhëhiqet nga humanizmi, dashuria për njerínë, mbrojtja e shoqërísë dhe përdëllimi i viktimave.
Diktatura i sajonte akuzat nga imagjinata e saj e sëmurë. Dhe vetëm sa për të ruajtur “procedurat”, “mundohej” t’i detyronte të pandehurit që t’i sajonin vetes fajësí të paqena. Prandaj diktatura as që kishte nevojë për drejtësínë. Prandaj ua kishte “besuar” atë xhelatëve të saj. Ndërkohë për avokatinë nuk bëhej fjalë. Për “mbrojtjen” e të pandehurit diktatura kishte ngarkuar ta kryenin vetë hetuesit mizorë. Ndërsa dëshmitarë ajo betohej se mund të nxirrte me “kopaçe” edhe gjithë qytetin. Por parapëlqente si të tillë maskarenjtë, shpifësit profesionistë, gjithë të terrorizuarit, gjithë atyre që u kish falur krime, në këmbim të pranimit për t’u bërë të poshtër. Por diktatura prirej të mashtronte dhe njerëz naivë, të cilët, si të papërvojë në intriga, pranonin “sugjerímin” e hetuesve se kështu (duke shpifur) do të ndihmonin të pandehurin. Dhe kishte që binin në “grackë”, duke menduar se, meqë Sigurími i ditkësh të gjitha, këta, duke heshtur, vetëm sa do të merrnin veten dhe familjen më qafë. Po kish dhe raste që hetues dinakë i pëshpërisnin të pandehurit të kërkonte si dëshmitar mbrojtës në gjyq ndonjë shokun, a míkun e vet, se këtë ia garantuakësh ligji. Ky qe një nga ato “kurthet” e zakonshme, me të cilat hetuesit xhelatë kapnin “peshq” të tjerë, duke i akuzuar si bashkëpunëtorë me të pandehurin. Kështu shumoheshin akuzat false dhe njerëzit bëheshin të poshtër për njëri-tjetrin. Që të garantonte pushtetin dhe të përjetësonte sistemin, diktatura survejonte shoqërínë me veten e saj. Ndoshta prandaj një i ditur ka thënë se “Demokracía popullore është kopaçja e popullit për popullin!”. Tërë kohën kjo “dhelpër” synoi të bënte spiunë mundësisht të gjithë shqiptarët. Deviza e saj ishte “Të gjithë kundër të gjithëve” për të garantuar gjoja unitetin “partí-popull!”! Prandaj ndodhte që, kur “kaçatorët” i sillnin hetuesit ndonjë “anekdotë”, që u kish treguar viktima gjatë “shëtitjes” dhe këta, të pakënaqur, i qaheshin xhelatit se ajo nuk tingëllonte armiqësore, ky, pasi i falënderonte me buzën në gaz, i garantonte se do t’i vinte asaj ( anekdotës !) një “kokë”, që ajo të buçiste madje si ultra reaksionare ! Ndoshta, prandaj shumë të pafajshëm, që ridënoheshin, vinin në burg të gëzuar, që kishin mundur të shpëtonin nga implikimet e rafinuara të hetuesve, të cilët ishin shkolluar për të montuar shpifje, intriga dhe akuza false. Po kishte dhe të pandehur babaxhánë, që mashtroheshin nën thirrjen se duhej të pranonin akuzat e paqena për të ndihmuar partinë. Dhe, porsa Sigurímit nuk i duheshin më të tilla “deponime”, u ndryshonte të mashtruarve hetuesin, u prishte, pra, “kontratën” dhe fillohej nga e para me torturat më çnjerëzore. Dhe, kur viktimat e kuptonin kurthin, nisnin të ulërínin. Atëherë, u pritej gjuha dhe pushkatoheshin natën, pasi qenë helmuar ditën. Pati dhe dëshmitarë, që, kur kuptonin se me shpifjet e hetuesíve po rëndonin njerëz të pafajshëm, qanin si fëmijë të zënë në faj, mallkonin me shpirt hetuesit xhelatë dhe trupin gjykues, pastaj kërkonin mënyra për të vrarë veten. Ndërkohë nga Ministria dërgoheshin në burgje “juristë”, që t’u mbanin leksione të torturuarve për paprekshmërínë e personit gjatë procesit të hetuesisë dhe vuajtjes së dënimit. Por, kur të ngujuarit në stalla kuajsh nuk e mbanin dot të qeshurën, “juristët” urdhëronin policínë t’i “bindtte” ata me shkopinj të rëndë gome.
E, megjithatë, mu në mes të këtyre bishave, krejt të pambrojtur, gjalluan shumë e shumë heronj, që e pështynë diktaturën në fytyrë. Prandaj hetuesit nuk guxuan as t’u afroheshin këtyre trimave për t’i pyetur. Po shkonin e ua hidhnin aktakuzat te sportelet e qelive. Pati dhe që, kur i arrestonin me klithmën “Në emër të popullit!”, heronjtë u gjegjeshin kryelartë: “Korrigjoje! Jo në emër të popullit, por Në Emër të Armiqve të Popullit!”. Dhe ndërsa mali gjëmonte, xhelatët, u suleshin sypatremburve t’i shqyenin si bisha të uritura! Por autoburgjet nuk pushonin së sjelli çdo javë turma të dënuarish pa faj, kurse nga kampet e punës së detyruar të tjerë të pafajshëm dërgoheshin për t’i vdekur në Burrel. Prandaj krijimi i akuzave false dhe depersonalizimi i shqiptarëve duhet t’u peshojë më rëndë hetuesve dhe gjithë xhelatëve të komunizmit!