Shoqëria civile si mision i pambaruar
Herë mbas here, në shtypin e shkruar dhe masmedian shqiptare janë hedhur analiza, komente apo kritika rreth rolit të shoqërisë civile apo sektorit të tretë dhe destinimit të ndihmës së huaj në mbështetje të këtij sektori. Pa pretenduar për një trajtim shterues të problemit, posaçërisht për shkak të dimensionit shumëplanësh të tij, por me dëshirën që të hedh sadopak dritë mbi marrëdhëniet ndërmjet shoqërisë civile dhe ndryshimeve që kanë ndodhur në shoqërinë e sotme shqiptare, në vijim po ofroj opinion tim rreth evoluimit të këtyre marrëdhënieve. Qysh në krye të herës dëshiroj të theksoj se në Shqipëri, ashtu si dhe në vendet e tjera ish-socialiste, në mungesë të kulturës së filantropisë, veprimtaria e organizatave të shoqërisë civile ka qenë mbështetur gjerësisht nga donatorët e huaj – kryesisht institucionet dhe agjencitë zhvillimore të vendeve më të fuqishme të botës demokratike, OKB-ja, organizatat bamirëse perëndimore, por nuk kanë munguar edhe kontribute nga palë të treta (kryesisht përmes fondacioneve fetare etj.). Në këtë diversitet apo pleksje interesash të donatorëve dhe individëve të veçantë, grupeve përfituese apo të shoqërisë në tërësi, mund të konkludohet pa hezitim se përgjithësisht mbështetja ka qenë efektive, d.m.th. ka kontribuar në zhvillimin e tregut të ideve, në formësimin e një vizioni më bashkëkohor mbi shoqërinë demokratike dhe ekonominë e tregut të lirë për të cilën vende si yni u përcaktuan qysh në fillimet e ndryshimeve sistemike dy dekada më parë. Gjithashtu janë mbështetur grupe dhe shtresa shoqërore në nevojë, sektorë të rëndësishëm të shërbimeve publike si arsimi, shëndetësia etj. Në këtë mënyrë, veprimtaria e shoqërisë civile, krahas ndihmesës për zgjimin apo emancipimin shoqëror, i ka kontribuar krijimit të një terreni mbështetës për reformat e rëndësishme që janë ndërmarrë në vendin tonë gjatë këtyre dy dekadave që nga shembja e komunizmit. Një arritje e pamohueshme është që gjatë kësaj periudhe, shoqëria shqiptare ka evoluar nga autocensura e individit dhe kontrolli shtetëror në të gjitha fushat; apatia e theksuar qytetare, mentaliteti individualist dhe mungesa e vlerave të komunitetit e atyre fetare etj., në një lloj rikrijimi shumëplanësh të saj që, me gjithë problemet që mbart, është disi normale, gjithnjë brenda kontekstit të kohës kur jetojmë. Në një terren më konkret, janë rritur kapacitetet e individëve dhe të shoqërisë në tërësi për të mos kapërdirë pa përtypur, d.m.th. pa atë përpunimin intelektual të nevojshëm që qytetari mesatar në shoqëritë moderne bashkëkohore u bën ideve që hidhen në mjedisin shoqëror, politikave që ndjekin qeveritë, zhvillimeve që ndodhin në arenën ndërkombëtare etj. D.m.th. qytetari mesatar i sotëm nuk është më aq individualist dhe i painteresuar për fatet e përbashkëta në shoqërinë ku jeton, siç ka qenë, p.sh. dhjetë vjet më parë. Natyrisht që në këtë proces, një rol të pazëvendësueshëm ka luajtur dhe luan masmedia, evolucioni cilësor i së cilës ka ngushtuar distancën midis njerëzve dhe ka sjellë njëlloj unifikimi të perceptimit të zhvillimeve që ndodhin përditë në realitetin që na rrethon. E, meqë jemi te ky realitet, në vlerësimin tim, perceptimi rreth tij evidencon dukshëm të paktën tri Shqipëri që nuk ngjasojnë aspak njëra me tjetrën. E para është Shqipëria rozë ose virtuale, të cilën rreken ta krijojnë disa politikanë në pushtet, analistë, komentatorë politike, mbështetës të paguar në sferat intelektuale etj. E dyta është Shqipëria që nxin, e mbushur me përshkrime të shfaqjeve të varfërisë dhe mjerimit ekonomik të vendit (që nuk mungon as edhe në segmente të caktuara të shoqërive më të zhvilluara); me krizën që rrezikon të na gllabërojë të gjithëve (në fakt bota është zhvilluar përmes krizave dhe pamundësia e sistemit të ekonomisë së tregut për planifikimin dhe parandalimin e tyre është një defekt i njohur i tij prej së paku 100 vjetësh); me keqqeverisjen deri në atë masë sa të ngulitet përfytyrimi se zyrat kryesore të shtetit tonë janë kthyer në zyrat e një organizate mafioze ku vendoset për rrënimin tonë dhe çfarëdo zgjatjeje të sundimit të kastës së sotme drejtuese është zgjatje e agonisë sonë kolektive etj. Kjo Shqipëri e dytë, në mungesë të alternativave zhvillimore, publike, institucionale (të adresuar në Kuvendin e Shqipërisë), krijohet hap pas hapi nga aspirantët për pushtet, pa qenë në gjendje të artikulojnë se çfarë mund të bënin apo duan të bëjnë ndryshe nga çbën qeveria e sotme. Ndërkaq, larg e më larg këtyre dy Shqipërive, gjendet Shqipëria reale, ajo e qytetarëve që në mungesë të shpresës për realizimin e pritshmërive të saj nga qeverisja e radhës (qeverisja është e të gjithë qytetarëve), bëjnë përpjekje sfilitëse për të përmirësuar çdo ditë jetesën e tyre, për të gëzuar të mirat që mundëson sistemi i ekonomisë së tregut dhe shoqërisë demokratike në të cilën jetojnë. Nuk ka dyshim se e shtrirë ndërmjet këtyre tri Shqipërive gjendet edhe shoqëria civile shqiptare, në përpjekje për të përmbushur misionin e saj, pa injoruar rrethanat në të cilat gjendet dhe vepron. Më konkretisht, OJF-të shqiptare, si pjesë të shoqërisë civile, kanë pasur dhe kanë të njëjtat probleme si dhe simotrat e tyre në ish-Lindjen komuniste.
Së pari, ato vazhdojnë të jenë autokratike, d.m.th. ka pak ose aspak qarkullim figurash drejtuese të tyre, ndonëse kanë shërbyer dhe shërbejnë edhe si inkubator për formimin e profileve profesionale, publike dhe në disa raste edhe politike të një numri funksionarësh të qeverisë së sotme dhe të atyre të mëparshme. Nuk duhet lënë pa përmendur edhe fakti se PD dhe z. Berisha u rikthyen në pushtet në vitin 2005 edhe falë aftësisë për të kuptuar rolin dhe kontributet e domosdoshme në shoqëri të elitave si agjente të ndryshimit, duke përfshirë edhe vetë shoqërinë civile.
Së dyti, OJF-të, si pjesë të shoqërisë civile, janë të krijuara kryesisht nga lart-poshtë, d.m.th. kanë ardhur përgjithësisht si imitime të modeleve të suksesshme në vendet perëndimore europiane dhe SHBA, por edhe janë inspiruar deri diku dhe nga paqëndrueshmëria dhe politizimi konstant i administratës publike. Thënë ndryshe, një pjesë e madhe e tyre nuk janë produkte apo derivate të zhvillimeve në komunitet, të rrënjëzuara në të dhe avokate të interesave të tij, nuk janë krijuar nisur nga komunitetet ku jetojnë qytetarët. Kjo shpjegon edhe faktin se mbi 80% e organizatave të shoqërisë civile janë të regjistruara dhe veprojnë në kryeqytet, edhe pse pretendojnë të kenë aktivitet në nivel kombëtar. Pa folur pastaj për keqpërdorimin që një pjesë e zyrtarëve të lartë publikë – ligjvënës apo vendimmarrës – u bëjnë posteve publike e politike që mbajnë përmes krijimit apo inkurajimit të padukshëm të rrjeteve të OJF-ve që herë-herë funksionojnë si xhepa drejt të cilave devijohen fonde publike e të donatorëve dhe në disa raste të tjera shërbejnë për zbritje të butë nga postet që mbajnë. D.m.th. paqëndrueshmëria e administratës dhe institucioneve të larta publike dhe mungesa e konkurrencës në të, si dhe përfshirja e një pjesë të administratës së lartë në konflikt të hapur apo të fshehtë interesi, është ndër shkaqet e deformimit të rolit të shoqërisë civile aty ky shfaqet, deformim i cili nuk mund të mos reflektojë dhe në imazhin publik rreth transparencës së menaxhimit financiar të OJF-ve.
Së treti, OJF-të, si pjesë të shoqërisë civile, ishin dhe vazhdojnë të jenë dukshëm të drejtuara nga donatorët. Ky drejtim apo orientim shfaqet si në fokusin e veprimtarisë së tyre, ashtu edhe në vartësinë e dukshme financiare nga donatorët. Natyrisht, në krijimin e kësaj gjendjeje, sipas mendimit tim, ka ndikuar edhe mungesa e kulturës së filantropisë nga ana klasës së mesme, ndonëse kjo e fundit është fuqizuar, sidomos në periudhën mbas krizës së vitit 1997. Faktor tjetër është edhe mungesa e qëndrueshmërisë
