E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi opozitën shqiptare të Maqedonisë

 Fitim Dika

Përfundimi është se pas zgjedhjeve ku përveç luftës për pushtet ishte edhe lufta brenda opozitës, fitues janë dyshja Ahmeti-Thaçi, pasi para zgjedhjeve të gjithë ishim skeptikë se kush do jetë dyshja kundërshtare dhe këtë e mësuam më pas, ku RDK-ja, DR-ja dhe BDSH-ja mbetën forca rajonale në Gostivar, Dibër dhe Kumanovë respektivisht dhe kjo padyshim përbën edhe fitore për PDSH-në. Pra zërat për largim të udhëheqësit Menduh Thaçi si lider i PDSH-së nuk është serioze, pasi te ne akoma jetojmë në një vend me demokraci të brishtë; vallë me humbjen e zgjedhjeve të vitit 2009 nga BDI-ja, ku humbi Tetovën dhe Gostivarin, do duhej të jepte dorëheqje Ali Ahmeti?

Po të analizohet çështja pozitë-opozitë, kuptojmë se blloku opozitar shqiptar, me platformën e saj më shumë të ngjashme ndërmjet veti dhe të ndryshme nga ajo e BDI-së, në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoj pak më shumë vota se BDI-ja. Ndryshe kjo nënkupton se një bashkim i forcave opozitare do fitonte mbi partinë lider BDI.

Por sa ka mundësi që kjo të ndodhi? Përkundër që Izet Zeqiri dhe Rufi Osmani janë ndër intelektualët më të mëdhenj shqiptarë, ata nuk arritën ti bindin shqiptarët dhe mbetën një forcë rajonale. RDK-ja po arrin të kuptojë se pa një marrëveshje opozitare do e ketë të vështirë edhe fitoren e saj në Gostivar. Këtë na e sqarojnë zgjedhjet e fundit ku vetëm një bashkim mes PDSH-së dhe RDK-së do mund të fitonte ndaj BDI-së në Gostivar.

DR-ja dhe BDSH-ja do fitojnë një numër votash në Dibër dhe Kumanovë gjegjësisht; ndërsa kryetari i Haraçinës, mbetet të shohim se me kë do fillojë të bashkëpunojë.

Edhe PDSH-ja si fituese morale e opozitës, pa një bashkim me të është akoma larg fitores përfundimtare ndaj BDI-së. Vetëm një bashkim opozitar do mundte që në zgjedhjet e ardhshme të fitonte ndaj BDI-së, pasi votuesit çdoherë shtohen ndaj opozitës dhe nga rezultatet e fundit votat opozitare padyshim që do vazhdojnë të rriten. Mbetet të shohim se sa partitë e vogla shqiptare do kuptojnë thënien e Herman Hesses, ndërsa PDSH-ja mbetet të shikohet se si do sillet si Vëllai i Madh i opozitës shqiptare!

Sa e kanë kuptuar opozitarët se prej koalicionit mes tyre do fitojnë të dyja palët dhe se si do bindin shqiptarët se edhe pse udhëheqin dy qytete të rëndësishme si Gostivarin dhe Tetovën, ata përsëri nuk mbartin mbi vete përgjegjësinë e situatës së tanishme, pasi ajo më tepër bie mbi qeverinë. Në këtë lojë, detyra e BDI-së është përçarja e opozitës, që me siguri do e ketë kuptuar rrezikun.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›