Prognozë për 10 vjetët e ardhshëm dhe integrimi
Faza kryesore të tranzicionit shqiptar (1990-2012).
Para se të merremi me prognozë, po rreshtojmë kalimthi disa nga fazat më karakteristike të tranzicionit shqiptar. Të tilla mund të klasifikohen:
Faza e nisjes, 1990-1994: hyrja në ambasada, lëvizja studentore e sindikaliste; miratimi i Paketës Kushtetuese; tensione civile e politike; krijimi i partive të reja.
Periudha kritike, 1994-1997: prirja për një republikë gjysmëpresidenciale dhe hedhja poshtë në referendum e projektkushtetutës që sintetizonte këtë prirje; manipulimi i zgjedhjeve në maj 1996 dhe tetor 1996; kriza e piramidave e kolapsi i gjithanshëm ekonomik, institucional e politik.
Faza e normalizimit: 1997-1999: rindërtimi fizik dhe ligjor i institucioneve (komisariate, gjykata, prokurori, zyra të tjera publike); miratimi i Kushtetutës (nëntor 1998) me një sistem konvencional parlamentar qeverisjeje; përballimi i krizës së Kosovës, partneriteti me NATO-n.
Faza e tranzicionit të përshpejtuar, me 3 etapa kryesore: Etapa e parë (1999 – 2005)- shtratimi normal i zhvillimeve institucionale, strukturore, ekonomike, shoqëruar me transferim pushteti (atë presidencial, më 2002-shin, atë kryeministror, më 2005-n). Etapa e dytë (nga 2005 deri ditët tona)- anëtarësimi në NATO, liberalizimi i lëvizjes së lirë në hapësirën Shengen (2010), përpjekjet për arritjen e standardeve të vendit kandidat. Etapa përmbyllëse (deri më 2022-shin)- thellim reformash, mbyllje të procesit të anëtarësimit në BE, përfshirë potencialisht dhe futjen në eurozonë.
Etapa përmbledhëse:
integrimi në BE (2012-2022)
Pikërisht në këtë etapë përmbyllëse priten të thellohen shndërrime të tilla, si: demokratizimi i mëtejshëm i sistemit politik-institucional; transformimi apo tranzicioni ekonomik, ku një hallkë e rëndësishme mbetet tranzicioni social; tranzicioni i identitetit me ndryshime në luajalitet (sovranitet kombëtar) dhe relativizmi i tij në kuadër të ndërvarësisë në rritje, përfshirë vetë-integrimin kombëtar nëpërmjet integrimit europian; integrimi më i plotë në sistemin perëndimor (apo tranzicioni diplomatik), pjesë e të cilit është tranzicioni ushtarak (i konkretizuar tashmë me integrimin në NATO) dhe pikë kulmore anëtarësimin në BE. Në kuadër të këtij anëtarësimi, brenda periudhës (2012-2022), do të ketë nevojë për ndërhyrje dhe do të kërkohen përmirësime e reforma në 4 nivele: mikro (në edukim, shëndet, punësim); mezo (në qeverisjen kombëtare qendrore e vendore); makro (në adoptimin e politikës fiskale e monetare në nivel europian); global (në kuadër të globalizimit e ndërvarësisë në rritje). Po ashtu, në realizimin e standardeve të BE-së, do të dimensionohen veçori të tilla, si: dialogu demokratik në zgjidhjen e problemeve; alternimi politik-social i fuqisë dhe ndërlidhja e problemeve sociale me shpërndarjen e të mirave materiale; korrelacioni midis treguesve politikë e ekonomikë për reduktim korrupsioni e efektivitet në fusha të tilla si reduktimi i varfërisë, punësimi, edukimi e mjedisi (në nivelet mikro dhe mezo); kohezioni e fuqizimi i kapitalit social, etj. Në periudhën e ardhshme 10-vjeçare, nisur nga ngërçi i sotëm politik, janë të pritshme jo vetëm zhvillime pozitive, por dhe vonesa e vështirësi. Kështu, krahas mundësive në rritje të shkollimit, kualifikimit e punësimit në kuadër të lëvizjes së lirë; pritet të rezultojë i suksesshëm aplikimi i politikës monetare europiane (në kuadër të eurozonës), fuqizimi i kooperimit ekonomik, partneritetit e solidaritetit; shndërrimet pozitive të identitetit të qytetarit; avancimet demokratike të proceseve të gjithanshme shqiptare, mundësia për mbështetje financiare në sektorë parësorë sidomos ata infrastrukturorë, në modernizimin e teknologjive, sidomos atyre të informacionit etj. Edhe mbrojtja e interesave të qytetarëve, përfshirë dhe ato të biznesit, pritet të jetë shumë më e garantuar, si nga përmirësimet e qeverisjes në çdo nivel dhe administratave përkatëse; ashtu edhe rregullimet ligjore e korrigjimet në gjyqësor në çdo nivel.
Nuk do të jenë të pakta edhe aspektet negative. Kështu, mund të krijojnë shqetësime serioze, në vitet e ardhshme, problemet e tregut dhe ndikimet e shumëllojshme; niveli ekonomik, stili i jetës e standardi i saj; raporti prodhim/konsum, prodhimi e mbijetesa e bizneseve shqiptare të lidhura me të (raporti i mallrave shqiptare me ato të importit). Vetë tregu e biznesi shqiptar do të vazhdojnë të dominohen nga mallra e teknologji të një cilësie më të ulët, kurse eksportet bujqësore apo, në përgjithësi, prodhimet e shërbimet shqiptare do të ndeshen me kushtëzime e barriera të shumta në BE. Kjo imponon rritjen e ndërveprimit brenda hapësirave shqiptare. Madje, nëse nuk bashkohen kapitalet përkatëse mbarëshqiptare, vështirësitë e llojllojshme nuk do të jenë të pakta. Edhe çmimet, duke u unifikuar më tej, mund të bëhen shqetësuese për qytetarët shqiptarë (krahasuar me pagën mesatare kombëtare poshtë asaj europiane), papunësia një gangrenë në vete, niveli i pensioneve apo i asistencës sociale larg standardit mesatar etj. Sidoqoftë, një epërsi e madhe e procesit të integrimit europian, në kuptimin kombëtar (politik-ekonomik e social-kulturor), mbetet ndërveprimi i territoreve shqiptare, një kooperim i gjithanshëm, që mund të çojë deri në rregullime të domosdoshme administrative…
Për një ndërveprim të unifikuar në hapësirat shqiptare
Edhe në kuadër të binomit sovranitet – ndërvarësi, si çështje thelbësore për shqiptarët mbetet po ajo e një shekulli më parë çështja kombëtare. Si do të çohet më tej ajo në përputhje me proceset integruese dhe ndikimet e vetë globalizimit? Si mund të realizohet unifikimi apo bashkimi kombëtar në situata të tilla? A mund të mbyllet, në një fazë të dytë, procesi i integrimit dhe vetë-integrimit me plotësimin e aspiratës historike të një bashkimi të mirëfilltë? Cili është probabiliteti i shndërrimit të tij nga mundësia në realitet në kuadër të projeksionit politik të BE-së, sidomos në perfeksionimin e organizimit administrativ të saj si një entitet potencial me pamje federale? Sidoqoftë, nëse integrimi politik-territorial apo bashkimi juridik-administrativ, që veç faktorëve e mjedisit shqiptar varen shumë dhe nga aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, mbeten një mori aspektesh të unifikimit e ndërveprimit kombëtar, që mund dhe do të thellohen, zgjerohen e përmirësohen brenda fushave kryesore të jetës sonë kombëtare, shpirtërore e materiale. Po ashtu, do të thellohet më tej kooperimi mbarëshqiptar në rrafshin politik-diplomatik, ekonomik-doganor, kulturor-edukativ etj., ku një rol thelbësor do të marrë funksionimi më i mirë i hapësirës së përbashkët ekonomike shqiptare. Në këtë kuadër, parësor do të rezultojë unifikimi i tregjeve, rritja e hapësirave të veprimit ekonomik e financiar, jo thjesht atyre territoriale, por dhe atyre njerëzore, të kapitaleve, investimeve, shërbimeve; lufta e përbashkët kundër korrupsionit, krimit ekonomik e financiar etj. Më konvergjente do të jetë veprimtaria kombëtare në fushën e politikës së jashtme dhe diplomacisë, deri duke shfrytëzuar një infrastrukturë materiale të përbashkët, p.sh, në shërbimin diplomatik e konsullor. Akoma më intensiv do të jetë bashkëveprimi legjislativ e ekzekutiv; ndërveprimi midis parlamenteve, dikastereve, institucioneve të pavarura, p.sh. gjykatave e prokurorive, përfshirë dhe gjykatat kushtetuese, i strukturave ndërmjetëse, p.sh. dhomave të tregtisë e industrisë, i bizneseve të njëjtit profil; realizimi i projekteve të ndryshme infrastrukturore me bashkim kapitalesh e ekspertize. Aty, një rol të veçantë do të marrë kooperimi energjetik, deri unifikimi i tij nëpërmjet larmisë dhe plotësisë hidro – termo. I rëndësishëm do të bëhet s
