Hatixheja e ngujuar në shtëpi: Burri im 5 vjet në koma

Hatixheja duke folur për "Shekullin" / Foto: Franc Zhurda
Magdalena Alla
As pesë ditë, as pesë muaj, por në këtë 18 maj mbush pabesueshmërisht pesë vjet në koma.
Të vetmet gjëra që dallojnë se tek ai ka jetë janë sytë edhe goja. Janë të vetmet që 58-vjeçari fatkeq, Skënder Goga, lëviz në gjithë trupin e shtrirë dhe të palëvizur. Por me të dyja këto as flet, as sheh, as njeh dot të afërmit. Merr frymë, por edhe kjo hera-herës i vështirësohet. Në këto raste i sëmuri arrin mbledh buzët dhe bashkëshortes së tij, Hatixhesë, i duhet që ta ruajë çdo moment, për tia lëvizur në kohë kanjulin, aparatin e frymëmarrjes me të cilën merr frymë jo normalisht nga hundët, por nga gryka. Edhe sytë i mban hapur afro dhjetë minuta, pastaj bie në gjumë. Gjatë gjithë kohës më shumë fle, tregon 54-vjeçarja, Hatixhe Goga. Në një çast tjetër nëpërmjet sondës në formë shiringe të madhe, ajo i jep ushqimin në formë të lëngët e të copëtuar.
Gjendet në koma, edhe pse gëzon një pamje si të ishte krejtësisht i vetëdijshëm për gjendjen e tij, për çfarë ndodh rreth e rrotull. Mjekët thonë që dëgjon, por thjesht nuk është në gjendje të reagojë, thotë bashkëshortja. Me një fytyrë që nuk e pret të tillë prej një të sëmuri në koma, as e zbehtë, as e hequr, po krejt e kundërta. Kuqëlon e zbardhon, pa pikë rudhe, si të ishte e një trupi që vetëm gjendjes së komës nuk i përket. Nuk jep as për moshën që ka, por si dhjetë vjet më i ri. Duket për marshallah! E kemi mbajtur mirë me ushqim dhe shërbim 24 orë. Por qenka e kotë. Asnjë ndryshim tjetër nuk ka bërë. Jeton sepse zemrën e ka të fortë, gjithë analizat i dalin mirë, por truri qenkërka kryesori. E ka të dëmtuar rëndë në krahun e djathtë pas veshit, shton Hatixheja. Ka pesë vjet që ruan ditë natë lëvizjet e të shoqit, se mos ndoshta papritur një çast po ndodh mrekullia në dorë të të cilës e kanë lënë mjekët. Shpresojmë, i thonë ata vit pas viti, sa herë bën skanerin. Se ndoshta nis reagon, i vjen shikimi, i foluri. Por këtë herën e fundit sikur na u fikën shpresat. Nuk kishte asnjë përmirësim. Madje një nga mjekët e dëgjova të pëshpëriste: Prapë e kanë sjellë këtë?!. Hatixhja i falenderon mjekët për gjithçka që kanë bërë dhe të gjithë që e kanë parë janë habitur me këtë rast të jashtëzakonshëm. Madje e ka vizituar edhe një mjek turk, i cili pasi e pa skanerin, nuk e mori përsipër. Tjetërkund, jashtë vendit nuk e kemi çuar, sepse nevojiten edhe shumë pará. Ne nuk kemi mundësi, as ndihma deri në këtë pikë, thotë ajo. Pasi qëndruan 7 muaj në spital pa dalë pas aksidentit fatkeq që i ndodhi Skënderit, meqë gjendja nuk po përmirësohej, mjeku Fatos Olldashi i Spitalit Ushtarak iu tha: Për mua rrini sa të doni. Por përderisa nuk po ka ndryshim, më mirë merreni në shtëpi, kujton Hatixheja, e cila në fillim kishte frikë, a do ia dilte dot kësaj përgjegjësie, por tani arrin ia bën vetë të gjitha shërbimet.
Përveç ushqimit, çdo dy orë i lëviz sa mundet trupin, që ti lehtësojë qarkullimin e gjakut. E lan përditë, pasi në të kundërt merr plagë. E larë i thënçin! Nuk di si të ta shpjegoj moj motër larjen! Është dramë më vete. Aty në dyshek e lajmë, duke e rrotulluar, dhe dyshekun e ka me gropëza që mbledhin ujin, thotë gruaja, të cilës i ndrin dora tek mbulesat e pastra të të shoqit. I jep çdo ditë edhe ilaçet pasi heras-herës ka tension të lartë apo ato kundër mbledhjes së ujrave të trurit. Nga koka deri në fshikëzën e urinës ka një tub, drenazhim e quajnë mjekët, që mbledh ujërat e trurit, shpjegon gruaja e shndërruar edhe në infermiere.
Ndonjëherë më duket sikur do bëhet më mirë, se duket pak më mirë, por e kotë, në fund të fundit prapë ato shenja ka çdo ditë, thotë, duke u ndjerë e pafuqishme, që nuk ka gjë tjetër në dorë veç shërbimit. Kur dëgjonte për raste të tjera, i dukeshin çudi pesë ditë apo pesë muaj në këtë gjendje. Por jam pikërisht unë që po bashkëjetoj me këtë fat pesë vjet. Zoti na ka në dorë! Ndodhi çndodhi, por Zot, mos më keq tek fëmijët!, përgjërohet në lot. Më parë nuk ka qenë besimtare e madhe, por këto pesë vjet i është lutur me shpirt Zotit. Gati po me humb shpresa, duke parë që mrekullia nuk po ndodh. Por prapë është po kjo shpresë që ngjallet sërish e më mban gjallë, thotë Hatixhe Goga, gruaja me fat të keq dhe të pazakontë për çdo ditë, jo prej pesë ditësh, jo prej pesë muajsh, por prej pesë vjetësh.
Të rrosh a të mos rrosh me një njeri as të gjallë e as të vdekur?
Përfytyroni çjetë mund të jetë ajo e një gruaje që i rri te koka burrit të saj në koma prej pesë vjetësh?
Tortura sistematike shpirtërore dhe fizike e Hatixhesë përkapet tek lotët që shpërthejnë kur sapo ke komunikuar fjalitë e para me të në telefon. Edhe gjatë vizitës në shtëpi gjithë rrëfimin e ka të mbushur më shumë me lot se sa normal. Shenja të limitit të dhimbjes dhe durimit të ndjeshmërisë së një gruaje, qenieje njerëzore. As punon, as bën dot vizita, festa, dasma si dikur në krah të bashkëshortit. E shumta dy orë liridalje deri tek shtëpia e të ëmës, duke lënë fëmijët te koka e tij, të cilët në fakt nuk dinë ta kujdesojnë babanë si e ëma apo me një frymë deri tek marketi poshtë pallatit. Jam njeri i ngujuar. Mik tjetër kam televizorin. Edhe njerëzit më vijnë, por prapë ata kanë shtëpitë e tyre. Fatin e keq e kam unë. Vetë tregon dhe dhjetë vjet më e madhe në moshë. Është bërë me hernie diskale nga ngritjet peshë të të shoqit, i cili nga moslëvizja dhe trajtimi i mirë shtoi në peshë. U detyrova ti rralloj sasinë e ushqimit, se pesha mund ti dëmtonte zemrën, thotë. Megjithë vuajtjet e pashoqe dhe të drejtën e saj për të jetuar normalisht, duket e vendosur për të bashkëjetuar me të keqen që e ka zënë. Do ti shërbejmë njëri-tjetrit. Sa të kem këmbë e dorë do tia bëj hyzmetin. Kemi shkuar mirë. Është njeri kaq i mirë. Ne nuk i kemi bërë keq as mizës. Nuk e di pse na ndodhi ne. Më mirë ta shohë në këtë gjendje apo mos ta shihte fare? Kush e do këtë lloj jete?! Dhe kur ishte shëndoshë e mirë, im shoq thoshte shpesh: O Zot po më ndodhi ndonjë sëmundllik, nuk dua të prishem në fytyrë! Sikur e ndjente. I bukur është në fytyrë, por dhe në këtë gjendje nuk shihet me sy. Por kështu i sëmurë na duket sikur është bashkë me gjithë familjen. Brenda tij ka jetë. Është i gjallë mes të gjallëve. Eh sikur të paktën të fliste!.., thotë dhe përhumbet në lotët dhe dhimbjen e saj të thellë gruaja dhe nëna Hatixhe, e cila nuk e di se çdo të bëhet me ta, nëse një ditë ajo nuk do të ketë më fuqi..
Kur ndodhi aksidenti
Skënderi fatkeq kishte pak kohë që kishte dalë në reformë si një ish-nënoficer ushtrie. Për të plotësuar pensionin e parakohshëm punonte në një firmë private si roje. Rreth orës 22:15 merrte turnin dhe vinte makina e punës që e merrte. Niset në këmbë dhe pikërisht diku të rrethrrotullimi i Vorës i ndodh gjëma. Përplaset me një makinë të panjohur. Gjëra që ndodhin. Vetë shoferi i makinës e çoi në moment në Spitalin Ushtarak. U duk nja dy muaj përditë e që atëherë nuk është dukur më. E hodhëm në gjyq, por fajin ia kanë lënë Skënderit. Hajde gjeje të drejtën!, thotë Hatixheja. Ndërkohë kujton e përlotur momentin kur një kushërirë e saj e lajmëroi. Nuk ishte as i mërzitur atë ditë. Më dukej e pabesueshme çfarë i kishte ndodhur. E kam gjetur tim shoq me rroba të gjakosura, këmbë e duar thyer. Mendova një aksident i riparueshëm, por një mjek më la të kuptoja se sa rëndë ishte ai.
30 mijë lekë të reja në muaj merr familja si pension nga shteti. Hatixheja