Mbi pronën, kur nuk përdoret
Astrit LULUSHI (SHBA)
Në kapitalizëm prona private mbrohet nga shteti. Kjo mund të kuptohet edhe se prona private ekziston pavarësisht nga shteti dhe para shtetit. John Locke thotë se shoqëria u krijua pikërisht për ta mbrojtur pronën më mirë. Madje, edhe fjalën “pronë” ai e shpjegon me latinishten “proprius” - "i përket vetes" - “private”.
* * *
Mendohet se prona private lindi së bashku me nevojën e njeriut për të ngrënë, çka solli nevojën për të punuar. Shembullin klasik e sjell po Loku, i cili pronën e krahason me mollën që njeriu këput nga pema dhe, ndërsa e ha, fruti bashkohet me organizmin, duke u bërë pronë e tij. Pra, për të të mbajtur veten, njeriu duhet të zotërojë, dhe për këtë duhet të punojë.
Por që çdo individ të mund ta fitojë pronën me të drejtë, Loku mendon se fillimisht duhen krijuar dy kushte: a) prona duhe të përdoret; b) çdo individ duhet të ketë qasje në pronë, ose në të mirat që rrjedhin prej saj, përderisa ai i fiton ato me punë.
Gjatë këtij procesi, një individ do të arrijë të zotërojë më shumë sesa tjetri dhe, si rezultat, do të ketë edhe pabarazi ekonomike. Por vlera në formë prone ose paraje, që një individ zotëron, duhet të jetë në përpjestim të drejtë më punën e tij. Kështu, pabarazia ekonomike bëhet e shfajësueshme dhe të drejtat e individit për pronë nuk cënohen; ata që nuk kanë prona, zotërojnë punën, që mund shkëmbejnë me para e me ato mund të blejnë pronë.
Që prona të përligjet, ajo duhet shfrytëzuar. Dhe për të justfikuar pronën private, individi duhet të ketë jo më shumë prone, sesa ajo që i duhet për të mirat e veta. E drejta e jetës, lirisë e pronës është natyrale, thotë Loku, dhe kur ato nuk përdoren, njeriu e humbet këtë të drejtë.
Që toka të përdoret, ajo duhet punuar në formë bujqësore a ndërtimore, përndryshe shkon dëm. Njësoj si "mollët" e Lokut; nëse dikush këput më shumë sesa është në gjendje të hajë, disa prej mollëve prishen e kalben, dhe kjo përbën shkelje të të drejtave natyrore të atyre që nuk kishin mundësi t’i këpusnin e t’i hanin ato mollë, edhe pse ishin në gjendje të punonin për t’i siguruar ato.
* * *
Përsa i përket pronësisë së tokës, rasti i indianëve të Amerikës merret nga filozofët si shembull klasik. Këta banorë indigjenë kontrollonin toka, por besonin se ato ishin pronë e natyrës. Kjo krijoi paradoksin: indianët nuk i shfrytëzonin të gjitha tokat që kishin në zotërim, sepse nuk i shikonin si pronë vetjake.
Ky kuptim ndaj pronës kishte bërë që kontinenti të mbetej i pazhvilluar dhe, pas ardhjes së evropianëve, indianët t’i humbisnin tokat. Në rast të kundërt, nëse kolonizatorët evropianë do t’i bënin indianët të merrnin tokën në pronësi, vendasit do të vepronin në kundërshtim me kulturën a besimin e tyre. Ky kontrast midis dy kulturave ndaj pronës solli eleminimin e njërës prej tyre.
Në kapitalizëm, ligji mbron përdorimin e pronës, sepse ky përdorim shton vlerën e pronës, ndërsa prodhimet prej saj përmirësojnë mirëqënien e secilit dhe, si rrjedhim, gjithë shoqërisë. Që në vitet 1700, Loku mendonte se Amerika kishte toka pa fund, por përdersa njerëzit nuk e shfrytëzonin, vlera e saj ishte më e ulët. Sipas tij, Anglia prodhonte më shumë në më pak tokë, vlera e tokës ishte më e lartë dhe mirëqenia e njerëzve më e mirë, sepse atje shumë pak tokë mund të gjendej e pashfrytëzuar.
Në shekullin e XX, ideologët marksistë e shihnin Lokun si themelues të “kapitalizmit borgjez”, ndërsa kundërshtarët e komunizmit e pranuan filozofinë e tij. Që nga ajo kohë emri i Xhon Lokut përmendet sa herë flitet pronën private, që bëhet pengesë zhvillimi vetëm kur nuk përdoret.
24 Gusht 2009