MOSTRACCIO
RRYMA
Në vende të gdhendura,
në vende të vizituara nga fryma e jetës
mbetet gjatë një gjurmë e zbehtë, imcake,
por e gjallë dhe e përhershme;
në nëntokën e qyteteve
rrjedhin rryma të vazhdueshme kujtimesh
që ndonjëherë, vetëm ndonjëherë, kristalizohen
për çaste të rënda të pambarimta:
vetëm një lëvizje e mbetur molekulash
që duken pastaj si fantazma
para syve të hapur
të atij që dëshiron të shohë.
Rrjedha të nëndheshme ajri dhe uji
të përkrahura nga vullneti i erës,
dridhje të saponisura që s’i dëgjon,
por që shënojnë me zjarr në tru
një mesazh të sigurt dhe të dhimshëm.
Ajo që ka qenë, kjo që do të jetë, mbase
përsëritet me transparencë në ekran,
me pamje mospërfillëse dhe tregon e thërret,
nëvizon konturet e sendeve
duke zhdukur shijen e fëlliqur të së tashmes,
duke refuzuar thirrjen rrëshqitëse
duke ia dorëzuar veten befas
kujtesës së hapur, pjellore
që kërkon një qiell joarmik dhe e gjen.
Ngjarjet, fjalët e deformuara,
dhe fytyrat të shtrëmbëruara,
vazhdojnë të rrjedhin pa pushim.
Dhe rrjedha, e shtrirë,
nis përsëri rrëshqitjen e përjetshme
në mënyrë të vrullshme, të pamëshirshme
e sigurt, gur më gur,
gjer në prekjen e duarve shoqe të dashura
MARSIANI I FUNDIT
Po, unë jam marsian. Kam lëkurë të blertë,
mendime të lodhura, emocione të vogla;
e kaloj jetën duke kundruar erën
që fshin tej pluhurin e skuqur
të planetit tim të vdekur.
Në mushkëri infiltrime rëre të kuqe e të ashpër,
psherëtima të mbytura keqardhjeje për botën time
të zhdukur tashmë.
Dikur Marsi ishte qendra e këtij universi ,
planeti më fisnik, më i këndshmi;
ishte plot jetë, plot gjallëri,
gëzim, qetësi e paqe.
Mbi sipërfaqen e tij
arabeska kanalesh të pasur me ujë të vrullshëm,
lulëzonte miqësia, vlonte zjarri i pasioneve, i zellit
dhe të gjithë jepnin gjithçka pa kërkuar.
Së bashku me lëngun jetësor
të vëllazërisë konkrete,
rridhte zjarri i ngrohtë i hekurit të shkrirë,
të shtrënguarit me njëri-tjetrin në një përqafim solidar,
që përballë çfarëdo rrethane
të mos prekej kurrë ajo tokë e të gjithëve.
Megjithatë një ditë, një ditë rënie fatale,
u këput përqafimi i njerëzve,
u shpartallua gëzimi i padjallëzuar dhe i pastër,
u shemb jeta në një çast.
Ra zjarri nga qielli, si një rrufe,
shi me mijëra deej inkandeshentë;
dhe uji i kanaleve u davarit në avuj fishkëllues
dhe në re të zymta tymi të ashpër të kuqërremtë;
dhe u davarit gjithçka në një çast,
në nota të zeza metali kërcëllitës e shurdhues.
U mund jeta, gjallëria,
u thanë shkëmbi, fushat e blerta
mbushur me lule ylberore,
gjithçka u bë pluhur i kuqërremtë, i ashpër,
i thatë, bezdizës dhe i ankthshëm,
që futet në shpirt dhe në ndjenja
dhe aty shuan çdo dritë të ndrojtur lirie.
Unë mbetem vetëm dhe shoh
pa pasur ç’të shoh më asgjë,
dhe mendoj më kot, pa pasur më mendime,
dhe flas në erë, pa pasur më fjalë,
duke parë diellin që lind në boshësi
dhe dy hëna në net opake,
duke thirrur kujtimin pa kohë
të kësaj ëndrre në mungesë.
OBLLOMOV
Karro me rrota ari
të vizatuara në erë
nga rrathët e gishtave të lodhur dhe përhumbje
që enden të hutuara
nga tastiera e pluhurosur dhe e shuar
në sipërfaqen e tavolinës sime, agjëroj
prej shumë kohësh prej faqeve dhe rreshtave.
Vetëtima të thata të padukshme
prapa perdeve të qepallave
thërrasin mendjen në punën e saj,
të ankthshme, konkrete, të përcaktuara,
si Obllomovi celulat e tij të sfilitura
që mendja refuzon duke u shtrirë
mbi një shtrat të kotë ëndrrash përgjysmë;
një shtrat si fakir, midis ciflave
të dëshirave të këputura, filmash
të parë e stërparë për një kohë vetëm,
të prerë gjithmonë para finales.
Përktheu Faslli Haliti
24 Gusht 2009