E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbifaturimet e CEZ, zbardhet skema e gjobave

Sokol Çobo

Një vendim i bordit drejtues i hapi rrugën kësaj nisme. Zgjidheshin buxhetorë dhe kompani me fitime

Skema e gjobave

Rregullorja e bordit - Bordi drejtues kishte miratuar një rregullore të brendshme bazuar edhe në ligj, por duke i bërë disa modifikime, të cilat linin hapësira për mbifaturime

Filtrimi i listave - Më pas u caktua një grup personash, i cili bënte filtrimin e listave ndaj konsumatorëve apo bizneseve që do tu shkonte mbifaturimi

Familje dhe biznese - Kryefamiljarët që merrnin gjoba ishin kryesisht buxhetorë, pra persona që si kishin problem pagesat, ndërsa bizneset ishin ato që kishin dalë me fitime

Matësit e energjisë - Kontrollorët e matësve, me pajisjen e quajtur palmar, u vendosnin gjoba, pa i lajmëruar më parë apo pa verifikuar matësin e energjisë elektrike

Sokol Çobo

Ne rradhe te CEZ ShperndarjeProkuroria ka zbuluar një organizim perfekt të mbifaturimit të energjisë elektrike nga CEZ Shpërndarje, megjithëse faktet e reja erdhën menjëherë sapo çekët u larguan nga Shqipëria. Njësia Task-Forcë thotë se ka disa skema sesi shqiptarëve u faturohej më shumë energji elektrike, ndërsa më problematike ka qenë skema e gjobave, pasi në këtë rast pagesa ishte mjaft e kripur. Hetuesit kanë zbuluar se organizatorët kanë qenë anëtarët e bordit drejtues, ndërsa zbatuesit kanë qenë punonjësit e thjeshtë, që nga inxhinierët elektronikë e elektrike e deri te  kontrollorët e matësve.

Rregullorja e bordit

Prokuroria ka zbuluar se skema ka funksionuar të nisë menjëherë pas problemeve që CEZ Shpërndarje kishte me ERE-n. Është zbuluar një vendim për të faturuar energjinë e pamatur te qytetarët. Në këtë vendim ishin shkruar se bazohej në ligj dhe rregullore, por pas konsultimit me specialistë të pavarur të fushës u zbulua se prej kësaj rregulloreje kishte filluar edhe skema e gjobave. Hetuesit kanë marrë të dhëna se anëtarët e bordit të CEZ kishin autorizuar disa persona që të filtronin listën e konsumatorëve, familja apo biznese. Punonjësit e CEZ, me anën e filtrimeve, arrinin që të krijonin një listë me emrat e konsumatorëve ndaj të cilëve do të vendosej mbifaturimi. Skema ishte shumë e thjeshtë. Personat e autorizuar nga CEZ gjenin emrat e klientëve buxhetorë, apo edhe biznesmenë, që nuk i kishin shumë problem pagesat e energjisë. Madje, edhe persona që nuk ishin ankuar për ndonjë faturë të kripur. Kjo listë më pas u kalonte kontrollorëve, sipas zonave përkatëse, dhe këta të fundit u vendosnin fatura aforfe. Pra, nëse një familje harxhon mesatarisht 50 mijë lekë të vjetra, kësaj familjeje i shkonte një faturë pesë herë më e lartë, pra 250 mijë lekë të vjetra. Në sistem, kontrollorët shkruanin se kjo ishte energji e harxhuar, ndërsa nëse klienti e konstatonte, atëherë përgjigjja e tyre ishte se kjo ishte një gjobë, pohojnë burimet nga prokuroria. Sipas saj, dijeni për këtë parregullsi kanë pasur edhe drejtuesit madhorë të CEZ-it, të cilët i kanë autorizuar punonjësit që të kryejnë mbifaturime, për energjinë e pamatur.

Si vendosej gjoba

Prokuroria ka zbuluar edhe vendosjen e gjobave, të cilat firmoseshin nga kontrollorët e matësit dhe jo nga personat përgjegjës. Persona të paautorizuar, pra kontrollorët e matësve, vendosnin fatura aforfe për klientët, me motivacionin se ka pasur ndërhyrje në sahat. Ata, me një pajisje elektronike që quhet palmar, arrinin që të çonin në bazë kilovatët e harxhuar nga një familje, e cila shtohej disa herë. Sipas rregullores dhe ligjit, vendosjen e gjobave e kryente një grup tjetër. Në një rast normal, nëse konstatohej se matësi i energjisë elektrike kishte probleme, apo në të ishin bërë modifikime pa autorizimin e CEZ, në vendngjarje shkonte ky grup dhe bëhej sekuestrimi i sahatit. Më pas vendosej fatura e energjisë aforfe, duke marrë një mesatare të energjisë së harxhuar të familjes përkatëse. Nëse konstatohej se në këtë matës energjie kishte ndërhyrje të jashtme, atëherë vendosej gjoba. Por, një gjë e tillë nuk është realizuar nga CEZ Shpërndarje, e cila ka vendosur ta gjobisë para se të kryejë këto procedura dhe në parregullsi totale, pohojnë burimet nga prokuroria.

Akti i ekspertimit

Dosja që ndodhet në duart e njësisë Task-Forcë prej më shumë se një viti ka marrë një kthesë muajt e fundit, pasi shumë qytetarë janë ankuar se u kanë ardhur fatura të kripura pa asnjë motivacion. Burimet nga prokuroria thanë se ka disa skema sesi është ndërhyrë në këta matës, ndërsa krahas gjobës është edhe skema e hakerave, ku disa njohës të mirë të elektronikës futeshin në sistemin e CEZ-it dhe shtonin kilovatë konsumatorëve. Megjithatë, prokuroria thotë se ka sekuestruar disa pajisje elektronike në CEZ, të cilat kanë qenë edhe objekt ekspertimi. Kemi gjetur disa gjurmë të ndërhyrjeve në sistem, por një gjë e tillë është shumë e vështirë për ta provuar, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës.

Procesi

Kolaudimi i sahateve, në varësi të METE-s

Skandali me manipulimin e të dhënave përmes sahateve të energjisë elektrike, nga ku dyshohet se janë vjedhur rreth 15 mijë konsumatorë, vë në pikëpyetje sistemin matës. Prej më shumë se një viti, tregu i matësve të energjisë elektrike menaxhohet nga dy-tri kompani private, të licencuara nga Ministria e Ekonomisë, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Kalibrimit dhe Metodologjisë. Sipas VKM-së, çdo sahat që del në funksion të matjes së energjisë, duhet më parë të kalojë testin në njërën nga shoqëritë e autorizuara, të cilat japin garancinë se mjeti i përmban standardet e sigurisë. Në rast se dyshimet e prokurorisë rezultojnë të vërteta, skema e grabitjes duhet të përfshijë edhe vetë zyrtarët e shtetit, madje deri në nivele të larta. Sakaq, anëtari i kryesisë së PS-së, Arben Ahmetaj, akuzoi pak kohë më parë CEZ-in, ku sipas të cilit, kompania aplikonte fatura të larta, që nuk përputheshin me realitetin e konsumit. Energjia e harxhuar nga qytetarët ka qenë 3.6 milionë megavat, por CEZ-i u ka faturuar atyre 4.25 milionë megavat. Pra, qytetarët kanë paguar në mënyrë të padrejtë afro 50 milionë euro, deklaroi në nëntor, deputeti Ahmetaj.

Mbifaturimet e CEZ, zbardhet skema e gjobave burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›