Mbijetesa në plan të dytë
Ferizaj është ekipi i vetëm i Superligës që nuk është përforcuar fare gjatë afatit kalimtar të janarit dhe që i ka nisur përgatitjet me vonesë të madhe. Por, jo vetëm kaq.
Ky ekip e ka mbyllur pjesën e parë të sezonit në pozitën e fundit të tabelës, fakt ky që i ka vështirësuar tej mase. Për këtë, ferizajasit, të cilët bënë ndryshime rrënjësore së fundmi, mbi të gjitha në Kryesi, nuk e kanë imperativ kryesor mbijetesën këtë sezon.
“Ta them të drejtën, me Kryesinë nuk e kam bërë llaf punën e mbijetesës. Sigurisht, loja e futbollit nuk do të kishte kuptim nëse nuk lufton dhe nëse nuk e synon fitoren, por ne nuk dëshirojmë të krijojmë iluzione. Do të mundohemi të kemi paraqitje të mira në pranverë dhe në asnjë ndeshje nuk do të dalim me flamurin e bardhë, për t’u dorëzuar. Do ta japim maksimumin”, u shpreh trajneri i ri, Agron Selmani për Express.
Ish-trajneri i Ulpianës e Kosovës (V), thotë se do të mundohet ta krijojë një bazament të sigurt dhe një ekip stabil, në mënyrë që në të ardhmen ferizajasit mos të kenë probleme, me të cilat janë përballur në vitet e fundit.
“Unë do të përkushtohem te lojtarët e rinj, të cilëve nuk do t’u mohohet mundësia që të luajnë rregullisht. Do të punojmë diçka ndryshe, për t’u prezantuar më mirë. Planifikoj ta ndërtoj një bazë të fortë, në mënyrë që në një të ardhme të afërt, Ferizaj ta ketë një ekip stabil dhe për çdo lakmi”, vazhdoi Selmani, i cili është rikthyer te skuadra e Ferizajt, të cilën e kishte udhëhequr edhe më parë.
Ferizaj e ka mbyllur pjesën e parë të sezonit në pozitën e fundit të Superligës, me vetëm 13 pikë të grumbulluara, nga 17 ndeshje. Prandaj, me të drejtë ky ekip mund të konsiderohet si më i rrezikuari për të rënë nga Superliga. Vetëm ndonjë mrekulli do t’i shpëtonte ferizajasit pa u përshëndetur nga elita e futbollit kosovar.