Premtojnë investime
Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) e shohin si alarmante për Qeverinë, anulimin e ndeshjes ndërmjet përzgjedhjes së Superligës dhe Dinamo Zagrebit për shkak të infrastrukturës.
Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu kishte thënë të premten se Qeveria e Kosovës e ka anashkaluar futbollin, në dallim prej sporteve të tjera, pasi më së paku ka investuar nëpër stadiumet e Kosovës, të cilat aktualisht janë në gjendje katastrofale.
Por, të kundërtën e thotë zëdhënësi i Qeverisë në largim, Memli Krasniqi. Sipas tij, institucionet më të larta të shtetit janë të vetëdijshme se stadiumet e Kosovës kanë nevojë të madhe për t’u riparuar.
“Stadiumi i Prishtinës veç është duke u rinovuar nga Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Sportit. Aty do të rregullohet fusha, do të rregullohen golat, reflektorët, zhveshtoret, etj, etj. Punimet në këtë stadium do të përfundojnë në fillim të muajit mars”, ka deklaruar Krasniqi për Express.
Madje, ai pohoi se pas riparimit të stadiumit të kryeqytetit dhe pas formimit të institucioneve të reja shtetërore, Qeveria e re do të vazhdojë të investojë edhe nëpër stadiumet e qyteteve të tjera të Kosovës.
“Punimet në stadiumin e Prishtinës shpejt do të përfundojnë, andaj nuk mund të thuhet se Qeveria nuk është duke punuar në këtë drejtim. Pasi të formohet Qeveria e re, sigurisht se do të investojmë edhe në përmirësimin e gjendjes së stadiumeve të tjera”, theksoi Krasniqi.
Ai kujtoi se Qeveria e Kosovës vazhdimisht i ka përcjellë zhvillimet në sportin kosovar dhe është munduar ta mbështesë me seriozitet të madh.
“Nuk mund të thuhet se sporti nuk ka qenë ndër prioritet e Qeverisë, sepse ne vazhdimisht i kemi mbështetur aktivitetet e federatave sportive, posaçërisht në rrugën e tyre drejt ndërkombëtarizmit, kemi investuar në infrastrukturë sportive, madje kemi ndërtuar palestra të reja, etj. Sporti do të jetë ndër prioritetet edhe të Qeverisë së re, e posaçërisht ndërkombëtarizimi”, përfundoi Krasniqi.
Krasniqi: Dinamo do të vijë
Zëdhënësi i Qeverisë në largim, Memli Krasniqi theksoi se tifozeria kosovare nuk duhet të dëshpërohet me faktin që Dinamo e Zagrebit anuloi udhëtimin drejt Kosovës, për ta zhvilluar ndeshjen e paralajmëruar më 19 shkurt ndaj përzgjedhjes së Superligës së Kosovës.
Ai ka theksuar se gjiganti kroat nuk do jetë në Kosovë për nder të përvjetorit të tretë të pavarësisë, por garantoi se do të zbarkojë në vendin tonë më së largu deri në fund të verës së ardhshme.
“Ambasadori ynë, Valdet Sadiku me vullnetin e tij të mirë e ka iniciuar procesin e sjelljes së Dinamos në Kosovë. Stadiumi i Prishtinës ishte duke u rinovuar dhe Dinamo nuk mund të humbiste kohë për të shkuar drejt Mitrovicës. Kështu, ndeshja është shtyrë dhe do të aranzhohet një datë tjetër e përshtatshme për të dyja palët dhe Dinamo do të vijë”, ka përfunduar Krasniqi.