E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbillen drurë për Ditën e Tokës

Ambasadori i SHBA-së, Christopher Dell, ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj dhe ai i Bujqësisë, Blerand Stavileci, kanë shënuar sot së bashku Ditën Ndërkombëtare të Tokës, duke mbjellë drunj në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Të shoqëruar nga shumë të rinj, ata po ashtu kanë pastruar një pjesë të kësaj lagjeje.

Ambasadori Dell theksoi se kjo është një pjesë shumë e vogël e asaj që duhet të bëhet në Kosovë. “Ne jemi duke sponsorizuar këtë javë ‘javën e turizmit’. Kjo është diçka shumë e vogël që ne po mundohemi të bëjmë. Nëse dy milionë kosovarë nuk marrin iniciativën që të pastrojnë vendin e tyre, atëherë më vjen keq se nuk do të ketë sukses ajo që ne po mundohemi ta bëjmë, pra promovimin e turizmit”, tha Dell.

Sikur transmeton MASHT, nëpërmes një komunikate për shtyp, ambasadori amerikan ka theksuar se Kosova është një vend i bukur, por që nëse i mbulojnë mbeturinat, nuk do t’i vizitojë askush.

“Edhe sot është dita kur ne të gjithë duhet t’i përvjelim mëngët, të dalim të pastrojmë, në mënyrë që ky vend të duket sa më i bukur. Përveç asaj që ta promovojmë turizmin, toka është një vend që duhet t’ua lëmë si trashëgimi fëmijëve tanë”.

Kurse ministri Hoxhaj deklaroi se për çdo shoqëri, mjedisi është pasuria dhe mirëqenia më e mirë që ka një shoqëri. “Për ne është shumë kyç që nxënësit të informohen sa i takon përbërësve kryesorë të mjedisit, siç janë ajri, uji, toka, dhe në të njëjtën kohë ta kultivojmë një traditë të mbrojtjes së mjedisit, i cili çdo ditë e më tepër në Republikën e Kosovës rrezikohet, shkatërrohet nga mënyrat e ndryshme”.

Ministri përmendi disa nisma që ka ndërmarrë Ministria e Arsimit për sensibilizimin dhe krijimin e kulturës ndër nxënësit, por edhe te komuniteti në përgjithësi, për ruajtjen e ambientit dhe kultivimin e hapësirave të gjelbëruara.

Ai bëri të ditur se MASHT ka hartuar një “Paketë të gjelbër”, dhe 1100 kopje të saj janë shpërndarë në të gjitha shkollat e vendit. “Mendoj që Republika e Kosovës ka një objektiv madhor që të shndërrohet në një shtet të dijes, mirëpo me iniciativën e ambasadorit Dell, ka edhe një iniciativë që të shndërrohet në një shtet të gjelbër”.

Ndërsa, ministri Stavileci foli për strategjitë që ka ministria që udhëheqë ai për krijimin e një ambienti sa më të pastër.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›