E Diel, 1 Nëntor 2026

Asnjë ndryshim

Siç edhe pritej, Këshilli Kombëtar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë e ka mbështetur të enjten propozimin e Kryetarit Nexhat Daci për anëtarët e Kryesisë së re.

Në fakt, të rinj nuk ka në Kryesinë e re.

Pjesa dërrmuese e udhëheqësve të partisë mbeten ata që kanë qenë edhe në Kryesinë e kaluar, me përjashtim të Adem Salihajt dhe Tomë Hajdarajt, të cilët nuk arritën të jenë as anëtarë të Këshillit Kombëtar pas acarimit të marrëdhënieve me Liderin e LDD’së, Nexhat Daci.

Mospajtimet dhe debati i nxehtë që e shoqëroi Konventën e Dytë të LDD’së i kanë dhënë mësim partisë së Dacit për të mos i lënë mediat afër vendimmarrjes në këtë subjekt politik.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar, të enjten u mbajt pa praninë e mediave, në zyrat e LDD’së.

Pas mbledhjes nuk u mbajt as edhe një konferencë për media.

E gjithë ngjarja është transmetuar nëpërmjet një komunikate shtypi.

“Duke u bazuar në rolin e këtyre personaliteteve që kanë pasur në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, në fuqizimin e demokracisë në vend, në funksionalizimin dhe aktivitetet e LDD’së, në kontributin që ata kanë dhënë për t’u dalë në mbrojtje interesave të qytetarëve të Kosovës, Lideri i LDD’së, akademik Nexhat Daci, ka propozuar Kryesinë e re, me gjithsej 5 nënkryetarë, sekretarin e përgjithshëm dhe 17 anëtarë të Kryesisë së partisë”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Zyra e Informacionit të LDD’së.

Më tutje thuhet në komunikatë se propozimin e Kryetarit Daci, ky këshill e mbështeti në mënyrë absolute, me bindjen se ky formacion do të fuqizojë rolin e LDD’së në të ardhmen.

Lidhja Demokratike e Dardanisë, sipas komunikatës, është e bindur se roli i saj politik opozitar do të vazhdojë të fuqizohet edhe me prurje të reja, duke u mbështetur fuqishëm në programin e saj politik, kombëtar dhe zhvillimor, që janë në interes të përgjithshëm të Republikës së Kosovës.

Përbërja e Kryesisë
Nënkryetarët: Besa Gaxherri, Lulzim Zeneli, Xhemajl Hyseni, Fadil Geci, Naser Rugova.
Sekretar i Përgjithshëm: Sejdë Tolaj. Anëtarët e Kryesisë: Sali Gashi, Qamile Morina, Shefki Gashi, Hajrush Bajraliu, Drita Maliqi, Faik Hima, Sahit Krasniqi, Elmi Berisha, Mustafë Pllana, Sokol Haliti, Gazmend Çorraj, Sabri Morina, Zize Pepshi, Lulzim Kabashi, Ilir Fetahu, Besim Mehmeti, Demush Bajraktari.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›