E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbipopullohen shkollat në Tiranë, mësimi me turne

Mësimi me turne do ti shoqërojë edhe këtë vit nxënësit dhe studentët në Tiranë. Nëse numri i nxënësve është rritur vitet e fundit, ambientet shkollore kanë mbetur po të njëjtat.
Shkollat 9-vjeçare
Tashmë sipas afatit të përcaktuar nga Ministria e Arsimit, mësimi do të fillojnë më datë 10 shtator, por mungesa e ndërtimeve të ambienteve bën që mësimi të zhvillohet me turne e numri i nxënësve në klasa të jetë ende i lartë. E megjithatë përfaqësues të MASH thonë se ndërtimi i shkollave të reja do kohën e vet dhe nuk mund të bëhet sa hap e mbyll sytë. “Sigurimi i mësimit në një turn nuk bëhet me një të rënë të shkopit. Të marrësh në konsideratë numrin e klasave që bëjnë mësim pasdite, në mënyrë të veçantë ciklin e ulët, do të thotë që ne duhet të kishim ndërtuar këtë vit 5-6 shkolla. Fakti është që nuk kemi ndërtuar në kryeqytet këto ndërtesa të reja. Ka pasur disa zgjerime, disa modifikime, meremetime, shtesa të shkollave, por që nuk e përballojnë dot nevojën. Në shkollat 9-vjeçare nuk do të ketë ndonjë ndryshim domethënës”, tha drejtori i Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu.
Gjimnazet
Sipas Vejsiut në shkollat e mesme nuk do të ketë numër të lartë nxënësish nëpër klasa, pasi do të rritet me 10 % numri i nxënësve që frekuentojnë shkollat profesionale, për shkak të shtimit të degëve në to. Nga ana tjetër Vejsiu tha se nuk do të lejohet që nxënësit të regjistrohen në gjimnazet që preferojnë, siç ndodh në Tiranë, ku preferohen vetëm 5 prej tyre dhe të tjerat nuk plotësojnë numrin e nxënësve.
Regjistrimi në shkolla
“Janë marrë masat që Drejtoritë e Shkollave të mos bëjnë tejkalime të regjistrimeve jashtë territoreve. Ne kemi shkollat e mëdha, si “Sami Frashëri” që hapi 20 vite të para, që është një shifër shumë e lartë”, tha Vejsiu. Sipas drejtorit të Arsimit Parauniversitar kanë nisur përgatitjet dhe në 27 gusht nis shpërndarja e librave në ambientet e shkollave, si dhe nisin regjistrimet që do të zgjasin deri më datë 9, një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›