Mbivendosjet e pronave, ngrijnë mbi 7 mijë pasuri

Tiranë, 26 Prill NOA/Rajmonda Lajthia - Pronarët e të paktën 7 mijë pasurive që rezultojnë me mbivendosje në zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, do të duhet ti drejtohen gjykatës, për të fituar të drejtën e pronësisë.
Ky është efekti i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i hoqi para pak ditësh të drejtën kryerregjistruesit që të anulojë mbivendosjet në hipotekë.
Deputeti demokrat, anëtar i Komisionit të Ligjeve Edurad Halimi, thotë se tashmë zyrat e Regjistrimit (ZRPP) në të gjithë vendin do të bllokojnë këto pasuri, derisa gjykata të zgjidhë konfliktet.
Sipas tij, pezullohet dhënia e dokumenteve apo certifikatave të pronësisë, për të gjitha pasuritë që kanë mbivendosje, deri sa të përfundojnë proceset gjyqësore.
E drejta e ankimimit në gjykatë është rruga juridike që ndiqet, ndërkohë, sipas Halimit pritet që qeveria të ndërmarrë një nisëm politike për ti dhënë zgjidhje kësaj situate.
Nga i gjithë ky proces qytetarët mbeten më të penalizuarit, pasi do ti duhet të nisin një tjetër betejë të re në dyert e drejtësisë.
Sipas Myrshit Vorpsit, anëtar i Shoqatës së Pronave, ligji i miratuar nga qeveria nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka rritur kostot për qytetarët.
Numri i pasurive që rezultojnë me mbivendosje nis nga 7 mijë, nga të cilat vetëm 4 mijë janë në rrethin e Tiranës. Ndërsa pjesa tjetër janë kryesisht në qytet bregdetare.
r.l/r.n/NOA Shkruajini autores: \n This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it
Më shumë lajme nga Ekonomia