E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKEP miraton transfertën e numrave, afat kompanive deri në fund të vitit

Tarifa për portabilitetin deri në 6 mijë lekë, transferta 3 ditë pas kërkesës


Miratohet rregullorja përfundimtare për portabilitetin e numrit. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike, pas debatesh dhe konsultimesh të gjata me operatorët, ka miratuar dokumentin mbi bazën e të cilit do të mundësohet ndryshimi i operatorit, duke mbajtur të njëjtin numër. Burime nga AKEP bëjnë të ditur se portabiliteti do të jetë i vlefshëm si për numrat fikse,

ashtu edhe për ata celularë. Sipas të njëjtave burime rregullorja parashikon që bartja e numrit të bëhet brenda tre ditësh pune nga paraqitja e kërkesës. AKEP ju ka lënë kohë kompanive private deri në fund të vitit për të zbatuar rregulloren. Përdoruesi që dëshiron të bartë numrin e tij tek një operator tjetër mund ta bëjë këtë me një ndalesë të vetme dhe kjo ndalesë do të jetë operatori marrës, pra, ai ku përdoruesi dëshiron të kalojë. AKEP i njeh të drejtën operatorëve dhënës që në kontratat me përdoruesit të vendosin që në fillim një tarifë për bartjen e mundshme të numrit, por kjo tarifë nuk mund të jetë më e lartë se 600 lekë.


Njoftimi
Operatori marrës është i detyruar ti njoftojë çdo numri që thërret një numër të bartur, përpara kryerjes së thirrjes  faktin që ky numër është bartur dhe operatorin ku është bartur. Kjo është e detyrueshme të bëhet për shkak të transparencës në tarifimin e klientëve, sepse dihet që thirrjet drejt rrjeteve të ndryshme kanë çmime të ndryshme. Ende nuk ka një afat të qartë për implementimin e plotë të kësaj rregulloreje dhe mundësimin e bartjes së numrit, megjithatë sipas AKEP gjithçka do të jetë gati mes fundit të këtij viti dhe fillimit të vitit të ardhshëm.


Ligji
Ligji i komunikimeve elektronike i përgatitur nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, paraqiti një sërë rregullash të reja për këtë treg. Sipas ligjit, Enti Rregullator i Telekomunikacioneve zëvendësohet me një institucion tjetër, që është Agjencia e Komunikimeve Elektronike (AKE). Në këtë projekt, parashikohet që të ketë një metodike të re për përcaktimin e operatorëve me fuqi në treg. Projekti përcakton që të hiqet pozita me fuqi në treg (FNT) e një operatori që ka më shumë se 24% të tregut, që përcaktohej sipas ligjit të vjetër dhe futet koncepti i ri, ku një sipërmarrës do të konsiderohet se ka FNT, nëse i vetëm ose së bashku me të tjerë zotëron një pozitë të tillë ekonomike, që mundëson një zgjerim të ndjeshëm dhe të pavarur nga konkurrentët, klientët apo përdoruesit përfundimtarë.


Referencat për tarifat
Projekti parashikon që AKE rregulloi tarifat sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj, duke iu referuar niveleve që zbatohen në tregun Evropian apo atë të vendeve të rajonit. Referuar ligjit, në këtë rast, tarifat e referencës mund të merren në nivel mesatar, ose duke përdorur teknika të gërshetuara për llogaritjen e tyre. Për të orientuar tarifat që përdorin konsumatorët përfundimtarë drejt kostos, që është edhe thelbi i këtij ligji, nevojitet që fitimi i realizuar në Shqipëri nga kompanitë me fuqi në treg të janë të ngjashme me fitimet mesatare në vendet e tjera të Bashkimit Europian, rajonit apo të vendeve të tjera në zhvillim. Enti Rregullator duhet të bëjë atë që ka katër vjet që nuk e bën, të llogarisë metodologjinë dhe kostot e operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg. Tarifat që rregulloi ligji ishin dy; shërbimet universale, që është shumë normale që të rregullohen me ligj, sepse kërkohen të realizohen objektivat sociale të qeverisë dhe në disa raste qeveria mund të mbulojë edhe një pjesë të tyre, ndërsa, rasti tjetër është ai i sipërmarrjeve me FNT në tregun përkatës.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›