E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e OSBE-së, Ilir Meta nis nesër vizitën në Athinë

TIRANE-Zv/kryeministri Ilir Meta, njëherësh shefi i diplomacisë shqiptare, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Greqi në datat 1 dhe 2 dhjetor. Ai është ftuar të marrë pjesë në mbledhjen e radhës së OSBE-së, kryesimin e së cilës deri në fund të këtij viti e ka Greqia. Ndërkohë, gjatë qëndrimit të tij dyditor në Athinë, Meta pritet të ketë një takim me homologun e tij grek, njëherësh kryeministër, Jorgo Papandreu. Vizita e shefit të diplomacisë shqiptare në Greqi bëhet në një kohë kur mbarë opinioni publik është përfshirë në debatin e marrëveshjes së kufirit detar mes dy vendeve. Kjo mendohet të jetë dhe një nga temat kryesore të bisedimeve që Meta pritet të zhvillojë me shefin e qeverisë greke, Papandreu. I pyetur pak ditë më parë lidhur me këtë çështje, Meta sulmoi "Gazeta Shqiptare" dhe gazetarin e saj, Tedi Blushi lidhur me transparencën e marrëveshjes së përcaktimit të kufirit detar me Greqinë. Në një konferencë për shtyp pas takimit që zhvilloi me ministrin Plotësues të Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Droutsas, gazetari Tedi Blushi pyeti ministrin grek për marrëveshjen, por çuditërisht z.Meta preferoi të përgjigjej në vend të tij, duke shpërthyer në sulm dhe akuza personale për shpifje ndaj tij dhe "Gazetës Shqiptare".

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›