Mbledhja e Qeverisë, Berisha: Ftesa për Ramën, të votojë 3 ligjet e integrimit
-- Mazhoranca mirëpret sugjerimet e opozitës për 3 ligjet e mbetura – mocion për Qarkun e Fierit
-- 100 vjetori i Pavarësisë, festime në Tiranë dhe Vlorë - s’ka përjashtime
Veç mesazhit të urimit për rizgjedhjen e Presidentit Barack Obama, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha u ndal dhe në tre kushtet e Komisionit Evropian, për marrjen e plotë të statusit të vendit kandidat. Shefi i ekzekutivit i drejtoi një tjetër ftesë kryetarit të opozitës që të votojë këto ligje, sikurse shprehu zotimin e mazhorancës për të mirëpritur propozimet e PS për ligjin e Gjykatës së Lartë, Rregulloren e Parlamentit dhe ligjin për Shërbimin Civil. “Po u nisëm nga interesi i qyetetarëve nuk mund të ketë asnjë pengesë për miratimin e tre ligjeve kusht për integrimin. Ndaj e ftoj Ramën të votojë 3 ligjet për integrimin. Për Gjykatën e Lartë ne pranuam amendamentet e PS. Duhet të konsolidojmë më tej shërbimin civil dhe ndaj jemi të gatshëm të dëgjojmë propozimet e PS”- u shpreh Berisha. Duke u ndalur te reforma parlamentare, kreu i qeverisë vlerësoi se me insistimin e tij Rama synon që të shpallet Kryeministër. “Meqë Rama kërkon me cdo kusht të shpallet kryeministër edhe kur nuk është duhet t’i them të informohet mirë se në të gjitha protokollet kryetari i opozitës ka statusin një ministri dhe s’ka status tjetër dhe këtë status unë jam i pari që ia kam akorduar atij në të gjitha aspektet dhe është vepruar shumë drejt. Nuk kam nxjerrë ndonjëherë këtë tezë se kam menduar se gradualisht do ta realizojë, vendo nuk mund të ketë dy statuse të njëjta ndaj dhe kushtetuta parashikon të drejtën e kryeministrit si të drejtë kryeministri dhe kjo ka logjikë ligjore dhe është absolutisht e paimagjinueshme që parlamenti të shndërrohet në një arenë të dy vetëve, nuk mund të ndodhë”- tha ai. Duke qenë se lidershipi socialist e kushtëzon votën “pro” tre ligjeve me qarkun e Fierit, Berisha ofroi alternativën, e cila do të zgjidhte dhe një ngërç të tillë, konkretisht atë të ndërmarrjes së mocionit nga ana e të zgjedhurve vendorë në këtë qark. “Nuk ka njeri që mund të lidhë ligjin e Gjykatës së Lartë me Fierin sepse janë dy gjëra të ndryshme. Nëse Rama dyshon në statusin aktual të qarkut FR, të kryetarit të anëtarëve të qarkut, atëherë i ofroj një kompromis të qartë politik, secili nga anëtarët dhe instancat t’i nënshtrohen mocionit të besimit, ata në bashki në këshillat bashkiake dhe në komuna dhe përbërja e këshillit të mund të përcaktohet përmes këtij votimi. Por nuk ka jashtë kushteve ligjore, askush nuk mund të cënojë mandatin e këshilltarit, sepse është deputeti i rajonit. E kam thënë 10 herë, më ka dëgjuar të shkoj në Gjykatë të shkoj për Paulinin, njerëzit nuk janë skllevër. Mendoj të mos lidhim të palidhshmen, por urdhërto të votohet ligji në interesin më të mirë dhe meqenëse ke bërë kazus të madh për Fierin t’i vëmë në mocion. Pse ke frikë? Nuk mund të mohosh të drejtën ligjore për anëtarët e këshillave. Këto tre ligje janë kërkuar në mënyrë eksplicite nga Komisioneri Fyle, kur paraqiti progress-raportin për Shqipërinë. Është absurde të besosh se do krijosh kapital politik nga bllokimi”, sqaroi Berisha.
Festimet për Pavarësinë në Tiranë dhe Vlorë, s’ka përjashtime
Për të disatën herë, edhe gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë Berisha sqaroi se në kremtimet për 100 vjetorin e Pavarësisë nuk ka përjashtime as të Tiranës e as të Vlorës. Sipas tij, festa e Pavarësisë është mishërimi i bashkimit të shqiptarëve rreth interesit të kombit. “Ky është një muaj shumë i veçantë, festojmë dhe të ndihemi krenar e të privilegjuar për 100 vjetorin e pavarësisë. E festojmë sepse qëndrojmë mbi sakrificat mbinjerëzore të shqiptarëve në këto 100 vite. Më vjen shumë mirë që Rama do jetë me ne më 8 nëntor në Vlorë bashkë me ne. Absurditet se nuk do festohej në Vlorë, sepse do festohet në mënyrë madhështore. Por, nëse për një provincializëm të shkuar hoxhist mendon se do përjashtohet Tirana, them se Tirana nuk është e imja apo Ramës, por e të gjithë shqiptarëve. Tirana nuk mund të përjashtohet. Nëse ndokush mendon se duke përjashtuar kryeqytetin nga festimet e 100 vjetorit, i them se ka mbetur të paktën 200 vjet mbrapa, kur nuk dihej se ku binte Tirana. Më 28 do të nderojmë bashkë Ismail Qemalin, qytetarët e Vlorës dhe shqiptarët. Ky muaj kërkon bashkim, më shumë se çdo gjë tjetër është apel të bashkohemi rreth interesit të vendit, që është më i pari”, nënvizoi Berisha.
...