E Diel, 1 Nëntor 2026

Dialogu Kosovë-Serbi, sot takimi mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiç

07-11-2012 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë së Kosovës: S’do të ketë bisedime për veriun

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur se në takimin me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçic në Bruksel do të bisedojë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, por nuk do të flitet për statusin e Kosovës. Thaçi ka theksuar problemet që duhet të zgjidhë Beogradi, në mënyrë që dialogu të ketë sukses. Ai ka shtuar se së pari duhet të zbatohen marrëveshjet teknike të arritura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë deri tani dhe se ajo që duhet zbatuar në mënyrën më urgjente është largimi i strukturave paralele të sigurisë. “Mbetjet e Milloshevicit në Kosovë, për të cilat gjithë bota e di, që financohen e kontrollohen nga Serbia”, ka thënë Thaçi, për të shtuar se një çështje tjetër që në mënyrë urgjente të zgjidhet është fati i më shumë se 1800 të pagjeturve në Kosovë. I pyetur, nëse është i gatshëm që me Daçic të flasë për platformën e Serbisë për Kosovën, Thaçi ka thënë se Serbia nuk ka të drejtë morale, politike e as ligjore që të zgjidhë çështjen e Kosovës. “Statusi i Kosovës është zgjidhur përgjithmonë me shpalljen e pavarësisë së saj”, është shprehur Thaçi. Nga ana e tij kryeministri i Serbisë Ivica Dacic është shprehur se në Bruksel nuk do të flitet për njohjen e Kosovës. Daçic ka thënë se Serbia, nuk do ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës. “Nuk kemi asgjë kundër që të flasim për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe kjo nënkupton marrëveshje dhe kompromis me Serbinë”, ka thënë Daçic. Ai ka theksuar se takimi me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Catherine Ashton dhe kryeministrin e Kosovës, i dyti me radhë, nuk është i jashtëzakonshëm.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›