E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret të Dërguarin e Posaçëm të BE-së në vendin tonë, Miroslav Lajçak

3 shkurt 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot pasdite të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në vendin tonë Drejtorin Ekzekutiv të Shërbimit të Jashtëm, zotin Miroslav Lajçak dhe delegacionin zyrtar që e shoqëron. I pranishëm në këtë takim ishte dhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui.

Temë qendrore e bisedimeve në këtë takim ishte situata dhe klima e rënduar politike e krijuar në vendin tonë me fokus ngjarjet e 21 janarit dhe zhvillimet e vëna re më pas.

Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian përmes përpjekjeve, apeleve dhe deklaratave të njëpasnjëshme lidhur me zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, duke e quajtur misionin e zotit Lajçak: “një mision jetik për Shqipërinë”. Presidenti Topi ritheksoi qëndrimin institucional se dialogu konstruktiv, i maturuar dhe me tone të qeta mes palëve është rruga e vetme e domosdoshme drejt zgjidhjes së krizës politike dhe garanti i stabilitetit dhe i funksionimit të drejtë të shtetit ligjor dhe institucioneve, në frymën dhe sipas standardeve demokratike. Kryetari i Shtetit vuri në dukje se klasa politike shqiptare në këto momente duhet të gjejë e të verë në përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë, demokratikë për të dalë nga kjo situatë problematike në interes të Shqipërisë dhe të shtetasve të saj, për të siguruar qetësinë dhe stabilitetin e duhur për vendin dhe shoqërinë shqiptare në realizim të projekteve dhe të ardhmes sonë evropiane.

Gjatë takimit, zoti Lajçak, edhe në emër të autoriteteve më të larta të Bashkimit Evropian si Baronesha Eshton dhe Komisioneri Fyle shprehu shqetësimin e madh për krizën politike në Shqipëri e për dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të saj, duke vënë në dukje se kjo situatë, pavarësisht sukseseve të mëdha të arritura si: anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe përparimi, në rrugëtimin integrues për në familjen evropiane, është vendimtare dhe po pengon procesin e mëtejshëm të anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.

Pasi “vlerësoi Presidentin Topi për rolin konstruktiv në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi dhe si simbol i unitetit të popullit duke e inkurajuar për vazhdimin e luajtjes së këtij roli në këto momente të vështira e delikate”, zoti Lajçak theksoi nevojën urgjente për qetësi dhe rregull publik si dhe të respektit të Kushtetutës, shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së institucioneve që të ushtrojnë detyrat e tyre kushtetuese. Në këtë pikë, të dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë “e zhvillimit të një hetimi tërësor, profesional, transparent e të paanshëm të ngjarjeve të 21 janarit” që duhet të shoqërohet njëkohësisht edhe me rivendosjen e menjëhershme të dialogut politik institucional si dhe respektimin e institucioneve të pavarura kushtetuese.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›