E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e pazakonshme e aristokracisë së PS-së

Servet Pëllumbi dhe Dritëro Agolli kanë befasuar shumë njerëz dje, natyrisht mes tyre shumë socialistë, teksa kanë ndërtuar një media event së bashku për tu dërguar një mesazh drejtuesve kryesorë të PS-së dhe veçmas Edi Ramës, që të hiqte dorë nga bojkoti i Parlamentit dhe mjetet e tjera radikale. Ata u takuan në shtëpinë e Agollit dhe nën vështrimin e kamerave biseduan për politikën aktuale në vend dhe pozicionimin e Partisë Socialiste në këtë periudhë duke ngritur një pikëpyetje të madhe mbi aftësitë e Edi Ramës për të drejtuar socialistët shqiptarë dhe një pikëpyetje po aq të madhe rreth mjeteve politike që ai ka zgjedhur për të bërë opozitë.

Që të dy kanë mundësi ta takojnë edhe personalisht Ramën dhe ta bisedojnë çështjen e përsëritjes së bojkotit ndaj Parlamentit. Ata kanë mundësi tia thonë edhe në telefon mendimin e tyre dhe është e sigurt që Rama ka një prirje të dëgjojë secilin prej tyre. Por nuk kanë zgjedhur asnjërën prej këtyre rrugëve, duke sjellë për herë të parë një distancim të qëllimshëm të aristokracisë së PS-së prej kryetarit të saj.

Dritëro Agolli prej shumë vitesh ka një peshë të padiskutueshme brenda së majtës dhe ka diktuar shpeshherë zhvillimet e brendshme në momente të rëndësishme të saj. Më 1996 mbështeti mocionin e Nanos drejtuar PS-së dhe sulmin që ai u bëri që nga burgu nënkryetarëve socialistë të asaj kohe. Po ashtu, mbështeti edhe rizgjedhjen e tij kryetar të PS-së. Fatos Nano rifitoi mjaft lehtë postin e tij, edhe pse ishte në qeli prej tri vitesh. Pak javë pasi Nano u bë Kryeministër në 97-n, ai e sulmoi meritokracinë e projektuar si model për të ndërtuar administratën e re të qeverisë së PS-së, duke e quajtur shkërdhatokraci. Sërish fjala e tij u dëgjua, edhe pse asaj here u mor me rezerva, për shkak të mundësisë së një konflikti interesi në akuzat e tij.

Ndërhyrjet e Agollit nuk kanë munguar edhe në jetën politike të Ramës, duke e mbështetur këtë të fundit pa rezerva dhe në ndonjë rast edhe me më shumë pasion sesa Nanon apo Metën në periudha të ndryshme. Agolli e mbështeti në të dy rastet e fundit që ai garoi për kryetar të PS-së. Madje, krahasuar me protagonistët e majtë, Rama ka marrë nga Agolli më tepër mbështetje se të tjerët përgjatë qëndrimit të tij në politikë. Po ashtu, edhe Servet Pëllumbi është një nga ikonat e PS-së. Pas Fatos Nanos ai llogaritet si një prej drejtuesve më me peshë.

Pëllumbi ka një mënyrë tjetër ndikimi tek socialistët. Ai ka punuar në strukturat e saj dhe nuk e njeh nga sipër si Agolli, por nga brenda, duke ndërhyrë sa herë e ka parë të nevojshme, jo vetëm për të rregulluar ekuilibrat, por edhe për ti përcaktuar ata. Ai gëzon besimin e Ramës dhe ky i fundit është shfaqur disa herë në tavolinë me të përgjatë bojkotit të Parlamentit.

Një socialist romantik, por me nuhatje politike të hollë, si Agolli, dhe një socialist teknicien dhe me strategji të gatshme për sjelljet politike, si Pëllumbi, janë të mjaftueshëm të ndërtojnë një stil komunikimi që mund të tejkalojë pa shumë mund teknologjinë publike të Ramës, jo vetëm mes socialistësh, por edhe pjesës tjetër të qytetarëve. Kësaj here ata nuk janë konsultuar me Ramën për ti dhënë ndonjë porosi, këshillë ose mendim. Pra, nuk kemi ndonjë kafe, qoftë edhe të rastit mes Agollit dhe Ramës apo Pëllumbit dhe Ramës. Kemi një takim Agolli-Pëllumbi, ku Rama mungon dhe një takim ku flitet për mediat fill pas tij. Dhe flitet për Ramën. Nuk flitet mirë për të, bile bëhet kujdes që kjo të dalë në pah. Gati-gati si të thuash që Rama është kryetari i Partisë Socialiste, ai që ne duam, por jo i pazëvendësueshëm siç ka qenë deri pak më parë.

Është një zhvendosje e madhe e Ramës nga qendra, edhe pse kjo zhvendosje nuk bie menjëherë në sy. Aristokracia e PS-së, një instrument që ka funksionuar në ndryshimet brenda partisë më të madhe në të majtë, ka dhënë një paralajmërim për kryetarin. Nuk është paralajmërimi i fundit. Duket se nuk ka ndëshkim të fundit, pasi ka ende mundësi korrigjimi, nëse flasim me diskursin e majtë. Rama edhe mund të mos i dëgjojë, ti heshtë ose të ndërtojë ndonjë batutë për ta, ndonjë batutë me dashuri, siç flitet për pleqtë. Mund të thërrasë ndonjë prej çunave të vërë emrin te ndonjë shkrim që do të botojë për takimin. Por batuta nuk mund të zëvendësojë Gralin që Rama nuk e ka dhe nuk mund ta marrë edhe për shumë vite. Në politikë, ikja prej qendrës është proces ireversibël, pothuajse gjithmonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›