E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita të bëhet pjesë e ndryshimeve në Kod

LSI kërkon që ndryshimet në Kod të kryhen brenda muajit tetor, në mënyrë që të respektohen afatet kushtetuese


TIRANË - Ndërkohë që kriza politike midis mazhorancës dhe opozitës nuk është zgjidhur, partia e dytë në pushtet, Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon ndryshimin sa më parë të reformimit të sistemit elektoral. Zëvendëskryetari i kësaj force politike, Edmond Haxhinasto, theksoi dje gjatë një konference për shtyp se përmirësimi i Kodit Zgjedhor duhet të mbyllet si proces brenda muajit tetor për të respektuar afatet kushtetuese, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme vendore të zhvillohen në kushte normale.


Për ndryshimet në sistemin zgjedhor, sipas Haxhinastos, duhet që të përfshihet edhe spektri opozitar për të dëshmuar, kauzën për transparencën e zgjedhjeve që, sipas tij, mund të bëhet vetëm nëpërmjet përmirësimeve në Kod. "Përfundimi i reformës duhet bërë në kohë. Në muajin tetor duhet përfunduar për të respektuar afatet kushtetuese për zhvillimin normal të zgjedhjeve të ardhshme vendore.


Angazhimi në kohë në këtë proces është treguesi më i mirë nëse transparenca e procesit zgjedhor dhe përmirësimi i standardeve zgjedhore janë vërtet kauza dhe objektiva politike të opozitës, dhe jo kamuflazh i dëshirës për të krijuar kriza politike dhe për të përfituar pushtet ilegjitim nëpërmjet tyre", - tha dje Haxhinasto. Për sa i përket qëndrimit të fundit të opozitës për të vendosur marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, Haxhinasto nënvizoi se kjo është një mosnjohje e përgjegjësive politike e institucionale të opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›