E Enjte, 5 Nëntor 2026

Mbledhja e përbashkët e qeverive Shqipëri-Kosovë, Policia merr masa, ndërpritet qarkullimi i mjeteve në disa akse

Mbahet sot mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Shqipëri-Kosovë, ku pritet të firmosen disa marrëveshje. Në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, Policia e Kosovës ka marrë masa për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, duke ndërprerë përkohësisht qarkullimin e automjeteve në disa segmente rrugore, aty ku pritet të kalojnë delegacionet.

“Në kohën e ardhjes së përfaqësuesve shtetërorë nga Shqipëria, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim, Policia e Kosovës, sipas itinerarit të lëvizjes së personaliteteve/delegacioneve do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojnë delegacionet”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas axhendës, në orën 11:15 do të bëhet hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive, ku do të mbajnë fjalën dy kryeministrat, Edi Rama dhe Albin Kurti. Pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve në orën 12:30, do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›