E Enjte, 5 Nëntor 2026

Mbledhja me Kryebashkiakët, Rama: Po s’përmbushët detyrimet financiare do marrim bashkitë në administrim

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot kryebashkiakët e vendit për decentralizimin dhe performancën financiare të qeverisjes vendore. Rama ka qenë i ashpër me kryebashkiakët teksa ka deklaruar se nuk po krijojnë të ardhura, situatë që sipas tij nuk mund të tolerohet. Rama ka paralajmëruar kryebashkiakët se së shpejti do të hyjnë në një fazë shtrënguese, pasi është e pamundur që bashkitë të mos kenë aktivitete ekonomike që prodhojnë të ardhura. Në mbyllje të fjalës, Rama paralajmëroi se nëse Bashkitë nuk përmbushin detyrimet financiare, do i marrin në administrim.

“Ne do të hyjmë në një fazë shtrëngimi pa tolerancë. Kjo është e domosdoshme sepse nuk mundet dot që akumulimi historik i borxheve të bëhet një rrugë e hapur edhe për vitet që kemi përpara. Rritja e performancës së bashkive është një prioritet për ne, të gjithë së bashku.

Bashkia është një prioritet për ne. Nuk forcohet disiplina financiare nëse nuk fillojnë të mendojmë për të shtuar burimet financiare me të ardhura që burojnë nga tregu. Është e dhëna më dramatike e gjithë 30 viteve që volume i aktiviteteve që lidhin bashkitë me krijimin e të ardhurave buxhetore është afër zeros. Është e pamundur që ne akoma sot në nivel bashkiak, nga Tirana deri te bashkia më e fundit, nuk kemi asnjë aktivitet ekonomik që prodhon të ardhura, duke filluar nga ndërtimi.

Bashkitë i kanë të gjitha mundësitë që të ndërtojnë dhe krijojnë shumë më tepër shanse për njerëzit që kanë nevojë për strehim dhe të fitojnë para për buxhetin e tyre.

Më thoni një kompani bashkiake që ndërton në funksion të strehimit në Shqipëri? Nuk ka. Kemi patur një debat të fortë me drejtuesit e bashkisë së Tiranës për këtë. Nuk ka pse oportunitete që kanë aty për tu shfrytëzuar të mos i shfrytëzojë dhe sektori publik bashkiak, por t’ia delegojë kompanive private. Nuk ka arsye.

Sa janë pikat e grumbullimit të prodhimit dhe shpërndarjes? Me pjesëmarrje apo pronësi bashkiake? Sa kanë shfrytëzuar fondin e garancisë sovrane për bujqësinë si katalizator për të adresuar nevoja të fermerëve në zonat tuaja, pa pritur që ti zgjidhë investitori privat? Sa herë e keni përsëritur këtë gjë.

Për të ardhur te një tjetër gangrenë që është uji. Pse duhet të ballafaqohemi si qeveri me mangësi serioze për ujë, në kushtet kur bashkitë nuk bëjnë detyrë në një pjesë të konsiderueshme,. Bashkëjetojnë me thellimin e borxheve në emër të konfortit elektoral. Kjo pasuri prodhon vetëm borxhe. Pa folur për shërbimet e tjera. Pastrimin, transportin publik, që janë jo të lehta për tu organizuar. Ka kuptim që shërbimet publike bashkiake të jepen me letra dhe të mos jenë online? Ju duhet të jeni më të interesuar, se ju duhet të jeni qytetari i parë më i afërt me qytetarët e tjerë.

Do marrim masa në rast të mospërmbushjes së detyrimeve financiare në raport me disiplinën financiare, duke marrë bashkinë në administrim, kur bashkitë shkojnë në kolaps dhe kur situata financiare bëhet një gropë që nuk mbushet dot më duke bërë sikur nuk sheh”, tha Rama.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka shprehur pakënaqësi ndaj punës së bërë nga disa prej bashkive, të cilët sipas tij kanë thelluar borxhet dhe janë në prag të falimentimit.

“Duhet të gjejmë pika të përbashkëta kompromisi për rekomandimet e ODIHR. Ne nuk kemi mundur t’i adresojmë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR. Kemi disa rekomandime të reja që vijnë nga zgjedhjet e 2021. Palët mund të diskutojnë dhe për çështje të tjera që mund të dalin. Do bëjmë maksimumin për të gjetur konsensusin. Janë disa vendime për të marrë sot që unë i propozoj. Do kërkojmë ekspertizën e OSBE/ODIHR.

Në vendimin e Kuvendit është shkruar që ne do kërkojmë mbështetje dhe nga organizma të tjerë, ambasada e SHBA, E BE. Këshilli i Europës, të cilëve do iu drejtohem me një letër. Shpresojmë që këtë komision ta drejtojmë pa debate. Debatet politike tua lëmë parive politike. Ligji zgjedhor është një ligj që reflekton vullnete politike.

Rendi i ditës: Kërkimin zyrtarisht të asistencës nga të gjithë organizmat, lejimin për t’iu drejtuar zyrtarisht organizmave, përcaktimin e numrit të ekspertëve dhe ekspertët do të na sjellin rekomandimet, një program pune”, tha Gjiknuri.

Ndërsa ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Ibrahimaj ka zbuluar tre bashkitë që kanë përkeqësuar situatën financiare, Bashkia Cërrik, Bashkia Belsh dhe Bashkia Malësi e Madhe. Ndrësa Bashkia e Vorës dhe ajo e Poliçanit, theksoi Ibrahimaj mbeten në zonat me vështirësi financiare.

“Në varësi të kategorizimit të secilës prej bashkive, secili prej jush që bien në ato kategori duhet që 15 korrik të dorëzoj një plan rixhit të detajuar për masat që duhet të marrë bashkia për daljen nga vështirësitë financiare në bazë të graviteti tëe saj. Për kategoritë e bashkive me vështirësi serioze financiare ky plan do hartohet nga Ministria e DFinancave dhe Ekonomisë dhe do duhet të miratohet nga këshillat tuaj bashkiakë dhe do kushtëzohet në buxhet brenda datës 30 korrik.

Nga viti 2020-2021 kemi pasur përmirësim të performancës, por nëse do shkojmë në detajim për bashki, ka nga ato që kanë pasur një performancë pozitive. Por ka dhe bashki si ajo e Vorës dhe Poliçanit ku mbetën në zonat me vështirësi financiare.

Janë 3 bashki që kanë përkeqësuar situatën financiare: Bashkia Cërrik, Bashkia Belsh dhe Bashkia Malësi e Madhe.

Duke qenë se fondet e transferuara për çdo bashki të trashëguara janë të larta në krahasim me detyrimet e prapambetura, ne do propozojmë që pjesë e këtyre fondeve të shkojë për pagimin e detyrimeve të prapambetura. Janë disa bashki që kanë nënhua të dhëna nga buxheti I shtetit, të cilat do duhet të paguajnë huatë. Ne do propozojmë gjatë këtij viti një ndryshim ligjor me qëllim kushtëzimin e fondeve të trashëguara me pagesën e këtyre nënhuave”, tha Ibrahimaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›