Mblidhet ECOFIN ne Bruksel
Ministrat e financave të BE janë mbledhur në Bruksel për të kërkuar nga të gjitha vendet anëtare një kompromis për kërkesat e reja të kapitalit për bankat, të akorduara sipas rregullave të Bazelit 3. Presidenca e radhës daneze në BE e ka kërkuar këtë takim emergjent të Ecofin për të gjetur një konsensus nga të 27 vendet për një progres thelbësor brenda fundit të gjysmës së parë të vitit. Ministri gjerman i Financave Shoble ka deklaruar përpara takimit se sot nuk do të ketë një marrëveshje mbi bankat, ndërsa homologu i tij suedez është shprehur se mungon ende dicka dhe jemi duke kërkuar një zgjidhje mbi kërkesat e reja të kapitalit bazë të bankave europiane, por duhen ende të bëhen hapa të tjerë. Ndërkohë ministri danez i ekonomisë është shprehur se duhet të gjendet një kompromis politik, për të miratuar masa të reja që shërbejnë për ta bërë më të sigurt të gjithë sistemin bankar europian. Nga njëra anë një grup vendesh të udhëhequra nga Franca dhe Gjermania mbështet propozimin e Komisionit Europian që parashikon një harmonizim maksimal të kërkesave mbi asetet e bankave, ndërsa nga ana tjetër Britania e Madhe dhe Suedia kërkojnë një autonomi kombëtare për të stabilizuar këto kritere.