Qeveria lehteson investimet ne energjetike

Tokat shtetërore, ku do të ngrihen projektet që lidhen me prodhimin e energjisë së rinovueshme do t’u jepen investitorëve kundrejt tarifës 1 euro. Këshilli i Ministrave miratoi së fundmi, vendimin për disa shtesa në vendimin “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore.”
Synimi i këtij vendimi, i propozuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, është të nxisë investimet në sektorin e energjisë së rinovueshme.
Ky vendim propozon aplikimin e tarifës së përdorimit prej 1 euro kontrata, për truallin pronësi publike, me qellim zhvillimin dhe stimulimin e projekteve për ndërtimin e burimeve të reja energjetike. Me anë të këtij vendimi rregullohen marrëdhëniet e përdorimit mbi truallin në pronësi publike, gjatë zbatimit të projekteve koncesionare në këtë sektor.
Një vendim i tillë vjen pas një tjetër nisme që është marrë së fundmi për këtë sector, që i kalon procesin e koncensioneve në një praktikë elektronike.
Kryeministri Berisha ka deklaruar edhe më parë se do të merren të gjitha masat për të lehtësuar investimet në sektorin energjetik, si një nga sektorët më të rëndësihme për zhvillimin ekonomik të vendit.