Mblidhet Kryesia e Partisë Socialiste, diskutime mbi organizimin
Kryesia e Partisë Socialiste të Shqipërisë u mblodh sot për të diskutuar mbi disa çështje të karakterit organizativ.
Sekretari organizativ Blendi Klosi bëri një përmbledhje të ecurisë së procesit të brendshëm zgjedhor në Partinë Socialiste dhe i paraqiti Kryesisë vendimet për shpalljen e kandidaturave për kryetar partie në disa njësi vendore. Gjithashtu, zoti Klosi informoi Kryesinë e PS edhe mbi një tjetër proces tejet të rëndësishëm, regjistrimin e anëtarëve të rinj në degët e PS në bashki dhe komuna, proces i cili deri në këto momente ka qenë shumë i suksesshëm duke afruar një numër të konsiderueshëm anëtarësh të rinj.
Kryesia miratoi propozimin e Kryetarit të Partisë Socialiste të Tiranës, Saimir Tahiri, për të nisur procesin e riorganizimit të partisë në Kryeqytet, që konsiston në regjistrimin e anëtarëve të rinj dhe riorganizimit të strukturave të forumit të rinisë dhe gruas në Tiranë.
Sekretari për çështjet e rinisë dhe emigracionin informoi Kryesinë e PS mbi ecurinë e procesit së riorganizimit të FRESSH në mbarë vendin që do të kulmojë me kongresin zgjedhor të forumit rinor eurosocialist në fund të muajit Prill. Zoti Veliaj theksoi gjithashtu impaktin e rëndësishëm të punës së forumit rinor në regjistrimin e anëtarëve të rinj në çdo komunë dhe bashki.
Ndërkaq anëtarja e Kryesisë së PS, Eglantina Gjermenji, njëherazi përgjegjëse për grupin e punës të ngarkuar me ristrukturimin e forumit të gruas socialiste, i paraqiti Kryesisë së PS hapat e ndërmarra deri tani në këtë fushë. Zonja Gjermeni theksoi se një temë e rëndësishme që do të trajtohet gjatë takimeve që grupi I punës do të organizojë me gra dhe vajza në çdo qytet të Shqipërisë do të jetë barazia gjinore dhe pjesëmarrja e gruas në politikë.