Reformimi i Kodit Zgjedhor, i domosdoshëm
TIRANE- Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth tha sot se, reformimi i Kodit Zgjedhor është i domosdoshëm.
Duke folur për gazetarët pas një aktiviteti të OSBE-së në një nga Universitetet ne kryeqytet, Wollfarth u shpreh se, Reforma e Kodit Zgjedhor është shumë e rëndësishme, para së gjithash për të dhënë një tablo të qartë teknike fotografike se çfarë duan zgjedhësit ditën e zgjedhjeve. Sidomos në zgjedhjet e fundit, situata ishte veçanërisht e ndërlikuar, për shkak se pati më shumë se sa një foto finish këtu në Tiranë, në kryeqytet, i cili ngriti disa çështje të tjera të paparashikuara në Kodin Zgjedhor, si për shembull se çfarë duhej bërë me fletët e votimit të hedhura jo në kutitë e caktuara. Kjo tregon se disa çështje shumë teknike si hedhja e votave mund të politizohen shumë në rastin e rezultateve shumë të afërta, duke ndikuar te rezultati.
Ky është thjesht një shembull praktik nga një listë më e gjatë çështjesh që OSBE/ODIHR-i, përmes Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, ka rekomanduar që të rishikohen në kuadrin e procesit të reformës së Kodit Zgjedhor.
Më tej, ambasadori i OSBE-së ka theksuar se, me përvojën e zgjedhjeve të kaluara dhe zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, përmirësimi i Kodit Zgjedhor del si detyrë, në mënyrë që KQZ-ja të jetë në një pozicion më të mirë teknik për t’u shërbyer qytetarëve, ku përfshihen sigurisht edhe partitë politike.
Është gjithashtu shumë e rëndësishme të krijohet besimi midis partive në mënyrë që KQZ-ja të funksionojë siç duhet dhe në mënyrë krejtësisht teknike. Kjo do të çlirojë akoma më shumë energji edhe për pjesë të tjera të procesit të vazhdueshëm të reformave shumë të rëndësishme, i cili, e theksoj, është shumë i rëndësishëm për integrimin evropian. Ndër këto reforma mund të përmend si më të rëndësishmet reformën në drejtësi dhe reformën parlamentare.- përfundoi prononcimin e tij për gazetarët Wollfarth.