Mblidhet sot Këshilli i Sigurimit Kombëtar, në fokus siguria kibernetike

Mblidhet sot (13 qershor) në orën 12:00 Këshilli i Sigurimit Kombëtar. Kreu i Shtetit, Bajram Begaj vendosi të mbledhë Këshillin e Sigurimit me synim analizimin e gjendjes aktuale të sigurisë kibernatike, kërcënimeve e sfidave me të cilat përballet vendi ynë. Institucionet përgjegjëse do të informojnë Këshillin e Sigurimit Kombëtar për masat që kanë marrë në funksion të forcimit të mbrojtjes kibernetike, në zbatim këto edhe me rekomandimet që u janë dhënë në mbledhjet e muajit tetor 2022 dhe janar 2023.
Në mbledhjen e kësaj të martë të Këshillit të Sigurimit Kombëtar do të jetë i pranishëm Kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, zv.kryeministrja Belinda Balluku, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, kreu i Komisionit të Sigurisë Nasipo Naço, Shefi Shtabit të Përgjithshëm të FARSH Arben Kingji, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, Kreu i SHISH Vlora Hyseni, Drejtori i Autoriteti Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurisë Kibernetike, Igli Tafa, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj.
Më 15 korrik 2022, Shqipëria përballoi sulmin më të ashpër kibernetik, i cili goditi shumë prej sistemeve qeveritare, të hostuara pranë AKSHI-t, me qëllim fshirjen e tyre të plotë, por pa ia arritur qëllimit.
Sulmi u konsiderua vepër e hakerave iranian kundër qeverisë shqiptare, me motive të pastra politike. Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Shkak për këtë u bënë “provat e pakundërshtueshme” për sulme kibernetike.
/rtsh.al/