E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit, Begaj: Sulmet kibernetike janë shtuar dhe sofistikuar, momenti të reflektojmë

Është mbajtur sot (13 qershor) mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar e thirrur nga Presidenti Bajram Begaj, e cila në fokus pati analizimin e situatës aktuale të sigurisë kibernetike dhe sfidave e kërcënimeve me të cilat përballet Shqipëria dhe institucionet.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit mungoi Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Suedi.

Kreu i shtetit, Bajram Begaj vuri theksin te sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, për të cilat u shpreh se synonin shkatërrimin e infrastrukturës dixhitale dhe destabilitetin në vend.

Sipas Begajt, ligji i ri për sigurinë kibernetike dhe strategjia kombëtare e sigurisë kibernetike do i shërbejnë më së miri ndërtimit të kapaciteteve modern.

“Sulmet synuan shkatërrimin e infrastrukturës dixhitale të Republikës së Shqipërisë, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend. Institucionet tona bënë të mundur që aktorët që ndërmorën këto sulme të mos e realizonin qëllimin e plotë të tyre. Bashkëpunimi me partnerët strategjikë SHBA, BE, NATO-n ka mundësuar trajnimin e specialistëve, ekspertëve etj. Ligji i ri për sigurinë kibernetike dhe strategjia kombëtare e sigurisë kibernetike do i shërbejnë më së miri ndërtimit të kapaciteteve modern. Pavarësisht masave të marra aktorët kërcënues kibernetikë, kryesisht të mbështetur dhe financuar nga Republika Islamike e Iranit e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre. Sulmet kibernetike janë shtuar si në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuar’, tha Begaj .

Presidenti shtoi se një vit pas sulmit kibernetik pas së cilit fshihej Irani, është koha për reflektim. Ai theksoi nevojitet një fokusim në përpjekje dhe investime për forcimin e mbrojtjes kibernetike.

“Një vit pas sulmeve është koha të reflektojmë se çfarë kemi bërë, sa të përgatitur jemi në përballje me sulme të mundshme. Të vendosim se ku duhet të fokusohen përpjekjet dhe investimet tona për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kibernetike. Krahas sigurisë kibernetike ne do diskutojmë edhe për çështje të tjera me rëndësi për sigurinë kombëtare. Diskutimet gjate KSK edhe mbi kërcënimet që vijnë nga Irani në formën e propagandës dhe në forma hibride”, tha Begaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›