Mblidhet tryeza, shtyhen protestat dhe caktohet shtabi për situatën
Drejtuesit e opozitës shqiptare gjatë një mbledhje të zhvilluar dje në mbrëmje kanë vendosur krijimin e një shtabi të jashtëzakonshëm për të përballuar situatën e krijuar. Rama ka thirrur dje në takim kreun e PSD-së, Skënder Gjinushin, kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dulen, kreun e PLD-së Spartak Ngjelën, Ndre Legisin etj. Përveç vendimit për të shtyrë protestat e opozitës për çështjen e zgjedhjeve, opozita shqiptare ka vendosur që një grup i posaçëm të instalohet në zonët e përmbytura ku do të mbledhin, koordinojnë dhe shpërndajnë ndihmat për banorët e rrezikuar.
Nga ana tjetër, do të ngrihet një grup ekspertësh juridik për të formuluar një padi zyrtare ndaj ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, tha se “nuk jemi përballë një fatkeqësie natyrore, sepse ka dyshime që rregullorja teknike nuk është zbatuar normalisht. Cilat janë arsyet, është një diskutim që do të vazhdojë.
Ne i kërkojmë Presidentit të Republikës, që urgjentisht të mbledhë dhe të krijojë një komision, për të parë ecurinë dhe dinamikën e respektimit të rregullores teknike, e cila ka të bëjë me jetën e një numri shumë të madh qytetarësh. Sipas të dhënave që kemi, kjo rregullore është shkelur. Aspekti i dytë është për faktin se nuk është vetëm fatkeqësi natyrore, por më tepër një neglizhencë. Dëmi i qytetarëve që është krijuar nga ky shkak duhet të riparohet nga qeveria 100%”.
Ndërkaq, kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, ka akuzuar qeverinë për papërgjegjshmërinë në menaxhimin e situatës. “Nuk është fatkeqësi natyrore, por paaftësi e papërgjegjshmëri e kësaj qeverie. Për pasojë, opozita bashkohet dhe solidarizohet për kapërcimin e situatës. është koha për solidaritet, bashkëpunim dhe pas kalimit të emergjencës patjetër që është koha të dalin përgjegjësitë që kanë të bëjnë direkt për këtë qeveri aktuale, e cila duhet të largohet sa më parë.
Strategjia e opozitës do të bëhet e njohur pas kapërcimit të situatës në të cilin ndodhet Shqipëria dhe veçanërisht veriu i Shqipërisë, ku dështimi i kësaj qeverie për mosorganizimin e zgjedhjeve apo moshapjen e kutive, solli hapjen e digave dhe hidrocentraleve, si pasojë e keqmenaxhimit të situatës”. Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Duke, ka bërë thirrje për të shpëtuar në radhë të parë jetët e njerëzve: “është momenti që të gjithë, çdo qytetar, aq më tepër ata që kanë mundësi, të solidarizohen me njerëzit në nevojë.
Llogaritë e hapura bankare duhet të jenë një motiv për të gjithë qytetarët që të japin kontributin e tyre tepër të domosdoshme. Opozita, krahas këtyre veprimeve, do të jetë këmbëngulëse për normalizimin e situatave, që të dalë përgjegjësia e fundit dhe të ndëshkohen përgjegjësit për këtë situatë fatkeqësie civile”.