Filmi i Camerun, rezulton i suksesshëm edhe në kinematë shqiptare
Në vazhdën e sukseseve të jashtëzakonshme që ka korrur në të gjithë botën qysh nga premiera botërore e datës 18 dhjetor, “Avatar”, filmi me regji të James Camerun, që në Shqipëri u shfaq fillimisht në kinema “Imperial” duket se ka marrë të njëjtat duartrokitje nga publiku. Pas më shumë se dy javësh në “Imperial”, “Avatar” do të vijojë të shfaqet në kinema “Kristal” pjesë e rrjetit të kinemave “Imperial”. Shikueshmëria e lartë ka bërë që filmi i ri fantastiko-shkencor të kalojë nga dita e sotme e në vazhdim në kinema “Kristal” për të shuar kureshtjen e të gjithë të interesuarve. “Avatar” është filmi më i ndjekur dhe që po qëndron për një kohë më të gjatë se një film i zakonshëm në ekranin e madh të kinemasë edhe në Shqipëri. Vetëm pak ditë më parë të gjitha mediat e huaja bënë të ditur lajmin se “Avatar” ka grumbulluar më shumë se një miliardë dollarë pas vetëm 17 ditësh shfaqjeje, duke thyer një rekord përfitimesh. Vetëm në SHBA, ky film (për 17 ditë) ka grumbulluar 352.1 milionë dollarë, ndërsa jashtë Shteteve të Bashkuara ka grumbulluar 670 milionë dollarë. "Avatar", është një film aksion, me elemente të reja të efekteve speciale. Ai ka përcjellë një eksperiencë kinematografike tërësisht të re. Ky film fantashkencë, është i realizuar në tredimensional. “Avatar” është një projekt kinematografik i krijuar prej James Cameron gjatë vitit 1995. Ngjarjet e filmit janë vendosur në vitin 2154, në një planet të quajtur Pandora, shumë të ngjashëm me tokën sa u përket dimensioneve dhe formave të jetës. Një shoqëri ndërplanetare tokësore RDA-ja, dëshiron të pushtojë këtë planet për shkak të pasurive të shumta minerare, e mbi të gjitha për një mineral të veçantë të quajtur Unobtainium, që gjeneron fusha të forta magnetike. Pandora është e mbuluar nga pyje të dendura me pemë të larta deri në 300 metra. është një planet i banuar nga krijesa të ndryshme mes të cilave edhe disa shkencëtarë humanoidë të quajtur Na‘Vi, të gjatë tre metra, lëkura e të cilëve është ngjyrë blu me vija si tigri. Ajri në Pandora nuk është për njerëzit, për këtë arsye këta të fundit kanë zhvilluar një lloj hibridi mes njerëzve dhe Na‘Vi-të, pra avatarët. Një qenie njerëzore mund të kontrollojë një avatar duke e lidhur me sistemin e vet nervor: individi hyn në një lloj kome dhe nëpërmjet ndërgjegjes arrin të përdorë avatarin si një shtrirje të trupit të tij. Tokësorët duhet të kontrollojnë avatarin për t‘u infiltruar në popullatën Na‘Vi.