E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mbrëmje napolitane” në Tiranë

27/02/2009  Tingujt napolitanë kanë qenë kryefjala e mbrëmjes së djeshme në Akademinë e Arteve. “Mbrëmje napolitane” titullohej koncerti i mbajtur në kuadër të sezonit të nëntë ndërkombëtar të muzikës klasike, me pjesëmarrjen e Pietro Quirinos, shoqëruar nga “Quartetto Calace”. Artistët pjesëmarrës paraqitën për të pranishmit një përmbledhje të rafinuar historike të këngës napoletane, duke kaluar nga muzika klasike në atë tradicionale etnike e më pas te këngët e autorëve.

Një udhëtim historiko-muzikore, duke filluar nga mesi i viteve ’600 e deri në gjysmën e parë të viteve ’900 ka sjellë traditën muzikore të kësaj krahine të Jugut të Italisë.

“Kjo është periudha e ashtuquajtur e këngës klasike napolitane, e cila ka një përcaktim historik mjaft të saktë dhe të qartë. Në këtë periudhë muzika napolitane është ajo etnike, folklorike, popullore..”, - shprehet artisti napolitan Pietro Quirino teksa flet për muzikën e kësaj periudhe në një rend kronologjik. Sipas tij, ndërhyrjet e para në këtë lloj muzike ndodhën pas periudhës së parë të viteve ’900, me të ashtuquajturin “pushtim amerikan” të përtej oqeanit me ritmet e reja.

“Ndërhyrjet e kësaj muzike infektuan dhe e çnatyralizuan atë që ishte një traditë dhe një linjë melodike, që kishte bërë për vete dhe kishin joshur të mëdhenjtë e muzikës si Mozart, Vagner e kështu me radhë. Pra, në këtë periudhë e më vonë muzika italiane e humbet disi specifikën e saj në një kuptim. Këngët u kthyen dhe mbetën vetëm histori.” Interpretimit të "Tarantella Napoletana", "Funicule funicule", "I te vurria vase ", "O sole mio", "Torna ‘a Surriento" etj., iu bashkua gjatë kësaj mbrëmjeje një teatralizim dhe një prekje delikate e elementeve historike të pranishme në çdo pjesë. Pietro Quirino erdhi i shoqëruar në kitarë nga Giovanni Dell‘Aversana, në mandolinë nga Michele De Martino dhe Agostino Oliviero dhe në mandolë nga Edoardo Converso. Aktiviteti u organizua nga Instituti Italian i Kulturës në kuadër të edicionit të nëntë të stinës koncertore “Klasik”.

Specifika “napolitane”

Bukuria e muzikës napolitane sipas Quirinos lidhet pikërisht me prezencën e elementeve metahistorike të para ’900-s, “që bënin të gjithë për vete dhe që në të njëjtën kohë pasqyronin edhe një lloj aristokracie”. Kjo gjë ndodhi me Donizetin apo Rosinin. Sipas Quirinos, kënga napolitane klasike ka të njëjtët prindër të vetë muzikës klasike. “Moxarti frymëzohej nga muzika popullore. Shumë shpesh kemi ndeshur që ka pasur një raport reciprok shkëmbimesh, që muzika klasike napolitane ka influencuar muzikën klasike tradicionale dhe anasjelltas. Për shembull, Rosini u josh kaq shumë nga “Tarantella” napolitane sa e shkroi një edhe ai. Ai nuk ishte nga Napoli, por “Tarantella” e shkruar prej tij u kthye në sinonimin e vetë “Tarantellës” napolitane në botë. Që do të thotë se ndonjëherë të tilla marrje hua kanë edhe efekte mjaft pozitive”, - specifikon artisti italian. Ai thekson se muzika napolitane, në mënyrë të veçantë muzika klasike napolitane, ka përjetuar një periudhë të artë, në të cilën kishte autorë që shkruanin tekste tepër të bukura dhe muzikantë që kompozonin muzikë të jashtëzakonshme. “Ka qenë një periudhë e artë, që zgjati rreth 150 vjet. Kënga napolitane kishte specifikë të sajën brenda një sistemi kulturor, brenda të cilit ajo ishte e aftë të rigjenerohej me një stil dhe karakteristika absolutisht origjinale. Për këtë arsye, duke pasur edhe referime që kishin të përbashkët pika etnike kulturore, siç janë, për shembull, ritmet latine e atëherë këto ndjenja, këto pika të përbashkëta, por edhe kjo linjë melodike u kthye në një pikë kaq të përbashkët, sa tani ndodh që shumë kultura të gjejnë veten.” Zbehja e muzikës napolitane për artistin ka të bëjë me një nevojshmëri politike. Ai përmend se më parë kishte një festival që quhej festivali i Napolit e që transmetohej në të gjithë Italinë. “Tani nevoja e donte që të gjithë italianët të flisnin një gjuhë të vetme, gjë që në vitet ’50 nuk ishte kështu, bëri që kënga napolitane të zhdukej në njëfarë mënyre, sepse ajo ishte tepër karakteristike, ishte një këngë tepër kryeqytetase, sepse Napoli ishte kryeqyteti i mbretërisë siciliane, ndaj edhe duhej të zhdukej disi për t’ia lënë vendin gjuhës italiane. Sepse kjo gjuhë duhej të kthehej në një çimento të kombit, që kishte nevojë të mbahej fortë. Napoli me këngën e tij ishte një pikë shumë e fortë identiteti, që në një mënyrë duhej të zhdukej për t’i dhënë mundësi Italisë të bëhej një komb.”

Tematika e dashurisë...

Dashuria është argumenti kryesor i këngës napolitane, por sigurisht që ka edhe të tjerë argumente që ajo prek. Quirino përmend për këtë një këngë të njohur, “Dy parajsat”, që tregon historinë e dy muzikantëve të vjetër, që në një çast vendosin të shkojnë t’i këndojnë një serenatë Zotit. Ndërsa ata këndojnë, të gjithë shenjtët dalin jashtë të dëgjojnë. San Pietro u kërkon më pas atyre të qëndrojnë aty, të mos kthehen pas, ndërsa ata i thonë “faleminderit, por jo se parajsa jonë është më e bukur”, duke iu referuar kështu Napolit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›