E Shtunë, 31 Tetor 2026

Driza i “Populli” ikën nga arresti shtëpiak

27/02/2009  Policia uruguaiane nuk gjen dot të akuzuarin për mashtrim

Ishte kapur shtatorin e kaluar dhe pritej ekstradimi i tij së shpejti

URUGUAJ- Presidenti i firmës piramidale mashtruese “Populli” është zhdukur në rrethana misterioze, teksa ishte duke vuajtur dënimin në shtëpi. Gjykata e këtij shteti e kishte dënuar Bashkim Drizën me “arrest shtëpie”. Lajmi mësohet nga agjencitë mediatike, të cilat thanë se prej disa ditësh, Bashkim Driza, i cili gjendej nën masën e sigurisë së arrestit shtëpiak, nuk gjendej më në banesën e tij në një lokalitet pranë kryeqytetit uruguaian. Agjentët policorë që verifikonin dy herë në javë masën e sigurisë, kanë konstatuar se Driza nuk gjendej në banesë. Autoritetet shqiptare të policisë kanë bërë të ditur se me Uruguain kishte nisur një marrëveshje ekstradimi e posaçme për Drizën, sipas të cilës, ai do të këmbehet me një tjetër të kërkuar, uruguaian, pasi nuk ka marrëveshje dypalëshe ndërshtetërore mes dy vendeve. Bashkim Driza, presidenti i piramidës financiare “Populli”, është kapur në Uruguai më 21 shtator 2008. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit, sqaruan se 50-vjeçari i lindur në Fier dhe banues zyrtarisht në Tiranë, është arrestuar pas kërkesës së Interpol Tiranës. Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar të këtij shtetasi është mbajtur korrespondencë e vazhdueshme me Interpol Santiagon-Kili, Interpol Montevideon-Uruguai dhe Interpol Santo Domingon - Republika Dominikane. E gjitha kjo pasi Bashkim Driza njihej nga ana e tyre, sepse ishte i pajisur me pasaportë uruguaiane dhe dominikane, si dhe kishte lëvizur nga Uruguai dhe Kili për në Republikën Dominikane dhe anasjelltas. Lushnjari është dënuar nga gjykata e rrethit Tiranë, me vendimin nr. 442, datë 18 qershor 2002, me 16 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit në bashkëpunim”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›